Papa me Volodymyr Zelensky-n, President i Republikës së Ukrainës Papa me Volodymyr Zelensky-n, President i Republikës së Ukrainës  (Vatican Media)

Zelensky falënderon Papën për mbështetjen e përpjekjeve të paqes në Ukrainë

Presidenti ukrainas, në një telefonatë të re me Françeskun, i shprehu Papës mirënjohjen për urimet e Krishtlindjes drejtuar Ukrainës dhe për mbështetjen e të ashtuquajturës Formula e Paqes, që përfshin më shumë se 80 shtete.

R. SH. - Vatikan

Bisedë e re telefonike e Papës Françesku me Volodymyr Zelensky-n. E kujtoi mbrëmë vetë presidenti ukrainas, gjatë një fjalimi botuar  në faqen zyrtare të presidencës dhe në faqen e tij të internetit.

“Sapo fola me Shenjtërinë e Tij, Papën Françesku, duke i shprehur mirënjohjen për urimet e Krishtlindje drejtuar Ukrainës dhe ukrainasve – pohoi Zelensky - urime për paqe, paqe të drejtë për të gjithë ne. Diskutuam për punën tonë të përbashkët lidhur me Formulën e Paqes: më shumë se 80 shtete u përfshinë tashmë në nivelin e përfaqësuesve të tyre. Do të ketë edhe të tjerë. I shpreh mirënjohjen Vatikanit - përfundoi - për mbështetjen e punës sonë”.

Françesku e ka pritur presidentin ukrainas në Vatikan më 13 maj, takimi i dytë personal pas atij të vitit 2020, i pari që nga pushtimi rus në Ukrainë.

Pas sulmit të 24 shkurtit 2022, pati disa biseda telefonike ndërmjet Françeskut dhe Zelenskit. E para, më 26 shkurt të vitit të kaluar, dy ditë pas fillimit të konfliktit. Papa - kujton Zelensky në Twitter - shprehu dhimbjen e tij më të thellë për ngjarjet tragjike që po ndodhnin në vend, ndërsa presidenti kujtonte sesi populli ukrainas e ndjente mbështetjen shpirtërore të Papës.

Një bisedë e re telefonike u zhvillua më 22 mars 2022. Zelensky informoi në Twitter se i kishte folur Papës "për situatën e vështirë humanitare dhe bllokimin e korridoreve të ndihmës nga forcat ruse", duke theksuar se "e përshëndeti rolin e ndërmjetësimit të Selisë së Shenjtë për t'i dhënë fund vuajtjeve njerëzore".

Më pas, një tjetër bisedë telefonike, më 12 gusht 2022. Presidenti ukrainas informonte, sërisht në Twitter, se u fol për tmerret që po pëson popullata, pasojë e pushtimit rus. Zelensky i shprehte mirënjohjen Papës për lutjet e tij dhe i kujtonte shpresën për vizitën e tij në Kiev.

29 dhjetor 2023, 10:29