Zoja e Qumështit në Te Deum-in e Papës në Vatikan, më 31 dhjetor
R.SH. – Vatikan
Papa Françesku do të kremtojë Mbrëmësoret e para të solemnitetit të Nënës së Zotit, më 31 dhjetor, në orën 17, në përfundim të vitit 2023. Menjëherë pas tyre, “Te Deum-i” tradicional, me të cilën Ati i Shenjtë e gjithë Kisha Katolike falënderon Zotin për të mirat, që ka dikuar në botë gjatë vitit.
“Ty të lëvdojmë o Zot”
Kujtojmë se “Te Deum laudamus”, që do të thotë “Ty të lëvdojmë o Zot”, është himn i krishterë me zanafillë të lashtë dhe lidhet me kremtimet e falënderimit. Përveçse më 31 dhjetor, ai këndohet edhe në Kapelën Sikstine kur zgjidhet Papa i ri, para se të shpërndahet Konklavi, ose në përfundim të një Koncili kishtar. Në Liturgjinë e orëve, “Te Deum-i” e ka vendin në fund të Ufices së Leximeve, para lutjes përfundimtare, në solemnitete, në festat e shenjtorëve, në të gjitha të dielat përveç atyre të Kreshmëve, në ditët ndërmjet tetëditëshit të Krishtlindjes dhe tetëditëshit të Pashkëve.
Fugurja e Zojës së Qumështit
Kësaj radhe, në altar, së bashku me Papën, do të jetë edhe fugurja e Zojës së Qumështit, ose e Zojës së Shën Guljelmit, siç quhet Shën Maria, e cila i jep të pijë Foshnjës hyjnore, Jezu Krishtit të sapolindur. Është fjala për një pikturë në tempera, që ruhet në muzeumin abacial të shenjtërores së Montevergine-s, në Itali.
Sipas traditës, fugurja është realizuar nga Gualtieri, një piktor lokal. Pasi ra nga një skelë, duke thyer krahun, piktori u shërua mrekullisht nga shën Guljelmi. Kështu, vendosi të bëhej murg e të pikturonte fuguren. Deri këtu, tradita. Në të vërtetë, ikona, që daton ndërmjet shekullit XII e XIII, është realizuar nga një mjeshtër kampan e ka qenë e para, e nderuar në shenjtërore. Gjatë viteve, është ndryshuar disa herë, si për shembull, i është zëvendësuar aksi i djathtë dhe, ka pësuar edhe dëme, si shenjat nga djegja e qirinjve krejt pranë saj. Është restauruar dy herë, më 1960 e më 2015.
Shën Guljelmi nga Vercelli porositi veprën
Tema ikonologjike e pikturës është ajo e Zojës, që i jep të pijë Jezu Krishtit: skena paraqitet në tri tabllo prej druri gështenje. Virgjëra Shenjte është pikturuar me tiparet dhe veshjen e një bazilise (perandoreshë bizantine) të Perandorisë Romake të Lindjes: mbi kokë duket qartë kufja, që i mbledh flokët e, menjëherë sipër, kurora e artë. Ka një veshje të purpurtë e një mantel blu, me zbukurime në ar, perla e korale. Në qafë, një diademë. Jezusi Fëmijë, në krahët e Nënës, ndërsa pi qumësht, ka mbi krye aureolën me një kryq në të.
Poshtë, në anën e djathtë, shihet një kurorë e artë, simbol mbretëror, ndërsa nga e majta, duket një murg me veshje të bardhë, në aktin e nderimit të Zojës e të Birit të saj. Sipas traditës, murgu është vetë shën Guljelmi nga Vercelli, që porositi veprën.