Forumi i Davosit Forumi i Davosit

Davos, Papa: edhe sot uri, shfrytëzim, analfabetizëm. Si ka mundësi?

Mesazh i Françeskut drejtuar presidentit të Forumit Ekonomik Botëror, i cili filloi më 16 janar, me pjesëmarrjen e rreth 3 mijë përfaqësuesve nga bota e politikës dhe e ekonomisë: "Në mes të dhunës dhe agresionit, është thelbësore që shtetet dhe bizneset të bashkohen në promovimin e modeleve largpamëse të globalizimit, etikisht të vlefshme, duke ia nënshtruar aspiratën për pushtet dhe përfitime individuale së mirës së përbashkët të familjes njerëzore"

R.SH. – Vatikan

Popuj që vdesin nga uria, punëtorë të paguar pak ose keq, fëmijë analfabetë, burra dhe gra pa kujdes mjekësor ose pa çati mbi krye. Si është ende e mundur e gjithë kjo në vitin 2024? Nuk është retorikë, por pyetje themelore, që Papa ua bën rreth 2800 krerëve të shteteve, përfaqësuesve të qeverive, administratorëve, krerëve të këshillave drejtues dhe të dërguarve të organizatave ndërkombëtare nga 120 vende, mbledhur nga 16 janari në komunën zvicerane të Davosit për edicionin e 54-t të Forumit Ekonomik Botëror. Ati i Shenjtë u kujton "përgjegjësinë morale", që rrjedh nga roli i tyre në "luftën kundër varfërisë", në arritjen e "zhvillimit të gjithanshëm për të gjithë ", në "kërkimin e bashkëjetesës paqësore ndërmjet popujve".

“Si është e mundur – shkruan Françesku - që në botën e sotme njerëzit ende vdesin nga uria, shfrytëzohen, janë dënuar me analfabetizëm, pa kujdesin bazë mjekësor dhe pa strehë mbi krye?”

Një botë e lënduar nga vuajtjet njerëzore

Papa ia dërgoi mesazhin themeluesit dhe presidentit ekzekutiv të Forumit, Klaus Schwab. Teksti u lexua nga kardinali ganez Peter Appiah Turkson, kryetar i Akademive Papnore të Shkencave dhe të Shkencave Shoqërore.

Para syve, vë në dukje Ati i Shenjtë, kemi "një botë gjithnjë e më të fragmentuar, ku miliona njerëz - burra, gra, baballarë, nëna, fëmijë - fytyrat e të cilëve nuk i njohim, vazhdojnë të vuajnë, së fundi, edhe nga pasojat e konflikteve të zgjatura dhe nga luftërat aktuale”. Këto vuajtje, përsërit Françesku reflektimin e bërë në audiencën me Trupin Diplomatik, më 9 janar, rëndohen nga fakti se "luftërat moderne nuk zhvillohen më vetëm në fusha beteje të përcaktuara mirë, as nuk përfshijnë vetëm ushtarë".

“Në një kuadër, në të cilin duket se nuk respektohet më dallimi i objektivave ushtarake nga ato civile, asnjë konflikt nuk përfundon pa goditur, në një farë mënyre, popullsinë civile”, shkruan Papa.

T’u bëhet ballë padrejtësive, në bazën e konflikteve

Ati i Shenjtë shpreson që diskutimet e Davosit të përvijojnë udhën për përballimin e sfidave aktuale, duke promovuar urgjentisht “kohezionin shoqëror, vëllazërimin dhe pajtimin ndërmjet grupeve, bashkësive dhe shteteve”. E para ndër këto sfida është paqja, e cila "mund të jetë vetëm fryt i drejtësisë". Për ta arritur nuk mjafton të pushojë lufta, por duhet të zgjidhen padrejtësitë, në rrënjë të konflikteve. Para së gjithash, uria, “e cila vazhdon të fshikullojë rajone të tëra të botës, ndërsa të tjera e shpërdorojnë ushqimin deri në tepri”.

“Shfrytëzimi i burimeve natyrore – denoncon Françesku në mesazh - vazhdon të pasurojë pak vetë, duke lënë në gjendje skamje dhe varfërie popullsi të tëra, të cilat janë përfituesit e natyrshëm të këtyre pasurive”.

E Papa e ngre zërin edhe kundër "shfrytëzimit të burrave, grave dhe fëmijëve të detyruar të punojnë me paga të ulta, të privuar nga perspektiva e vërtetë për zhvillim personal dhe rritje profesionale".

Modele globalizimi largpamëse dhe etikisht të vlefshme

Këto dukuri nuk kanë të bëjnë vetëm me disa vende, por me gjithë botën, sepse, nënvizon Papa Françesku, procesi i globalizimit dëshmon qartë "ndërvarësinë e kombeve dhe të popujve". Kjo ka një përmasë morale, që duhet të merret parasysh në diskutimet ekonomike, kulturore, politike dhe fetare për të ardhmen e bashkësisë ndërkombëtare.

“Në një botë të kërcënuar gjithnjë e më shumë nga dhuna, agresioni dhe fragmentimi, është themelore që shtetet dhe bizneset të bashkohen për të promovuar modele globalizimi largpamëse dhe etikisht të vlefshme, të cilat, për nga natyra e tyre, duhet t'ia nënshtrojnë aspiratën për pushtet dhe për përfitim individual, qoftë politik a ekonomik, së mirës së përbashkët të familjes njerëzore, duke u dhënë përparësi të varfërve, nevojtarëve dhe atyre, që përjetojnë situata më të vështira”, bën thirrje Papa.

Zhvillim i vërtetë e global

Ati i Shenjtë ua kërkon këtë jo vetëm shteteve, por edhe bizneseve private, që duhet të udhëhiqen nga parime etike, sidomos kur punojnë në vendet më pak të zhvilluara, të cilat nuk mund të mbeten peng e abuzimeve dhe e shfrytëzimit. Gjithashtu, nënvizon rëndësinë e ndërhyrjes politike në nivelin ndërkombëtar, duke vënë në dukje rolin, që duhet të luajnë strukturat ndërqeveritare për kontrollin dhe programimin në sektorin ekonomik, që të arrihet barazia, bazë e së drejtës për pjesëmarrjen e të gjithëve në zhvillim. Brezat e rinj, thekson së fundi Papa, duhet të marrin në dorë arritjet dhe aspiratat e brezave të kaluar dhe të synojnë gjithnjë e më lart. Sepse “mirësia, bashkë me dashurinë, drejtësinë dhe solidaritetin, nuk arrihen një herë e përgjithmonë, por duhen realizuar çdo ditë”.

17 janar 2024, 13:05