Kërko

Diplomacia dhe misioni i Kishës. Ja pse Papa u flet ambasadorëve

Tradicionalisht, diplomacia vatikanase lëviz në horizonte afatgjata, e paprekur nga diktatura e synimeve të çastit. Që nga viti 1622, Kongregata e sapokrijuar e Propaganda Fide pati identifikuar 13 fusha të ndryshme ndërhyrjeje për punën misionare në botë, punë që vijon edhe sot e kësaj dite e që i jep mundësinë Selisë së Shenjtë te ketë lajme të dorës së parë mbi çdo gjendje e situatë në botë, pasi rrjeti i Kishës është tejet kapilar e impenjohet vazhdimisht në favor të paqes

R.SH. – Vatikan

Fjalimi që Papa i Romës i drejton çdo vit Trupit Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë nuk është një paraqitje e thjeshtë e "mendimeve personale" të Papës në fuqi për gjendjen e botës. Në kohën që po jetojmë, duket edhe më e qartë se kontributi i mendimit kritik, dhënë nga Papa Françesku për të kuptuar natyrën e vërtetë të konflikteve mizore dhe të mekanizmave të propagandës në skenën botërore bazohet mbi një traditë të gjatë. Del sërish në pah veçantia historike e Selisë së Shenjtë, njohur nga qeveritë e mbarë botës si subjekt sovran, i akredituar për të ndërhyrë në skenarët ndërkombëtarë me anë të diplomacisë së vet.

Diplomacia vatikanase lëviz në horizonte afatgjata

Vepra "Diplomatët e Zotit", botuar në vitin 2021, me autor Victor Gaetan, gazetar, shkrimtar dhe analist me përvojë të gjatë, mund të shërbejë si bazë për këdo dëshiron të dijë më shumë. Aty vihet në pah fakti se diplomacia vatikanase lëviz në horizonte të gjera dhe mendon për kohë të gjata, e paprekur nga diktatura e synimeve të çastit. Diplomacia papnore paraqitet si realitet i strukturuar, pjesë e rrjetit dhe e praktikës së marrëdhënieve ndërmjet subjekteve gjeopolitike. Respekton rregullat dhe protokollet e lojës diplomatike. Megjithatë, karakterizohet nga tipare dhe kritere veprimi, që shpesh lënë të duket gurra intime dhe e mistershme, e cila ushqen “anomalinë e saj gjenetike”.

Trashëgimi shekujsh

Tradita diplomatike papnore është trashëgimi shekujsh, gjatë të cilëve Papa dhe Shteti Papnor janë përfshirë historikisht në sistemin e marrëdhënieve dhe të konflikteve ndërmjet shteteve paramoderne dhe atyre moderne. Prandaj, ekzistenca e saj nuk justifikohet me asnjë "të drejtë hyjnore" dhe ruan tiparin e vet të veprimit sipas rastit. I gjithë rrjeti diplomatik i Selisë së Shenjtë mund të avullojë nesër dhe Kisha Katolike mund të vazhdojë të ecë në histori pa humbur asgjë thelbësore nga natyra e saj sakramentore dhe apostolike. Por, ndërsa kohët ndryshojnë, ai mjet që nuk mund të riprodhohet me teknika inxhinierike institucionale, me gjithë bagazhin e historisë së tij mijëravjeçare, mund të vazhdojë të jetë i çmuar në kontekstet e reja me të cilat Kisha është thirrur të përballet gjatë historisë.

Veçantia e diplomacisë së Selisë Apostolike pasqyrohet në mënyrën e saj të veprimit. Misioni i kumtimit të Ungjillit dhe bazimi në të drejtën natyrore, pavarësisht nga kontradiktat e shumta dhe tradhtitë njerëzore, vazhdojnë të funksionojnë si busulla mbi të cilat rikalibrohet përdorimi i mjeteve diplomatike. Dinamikë që shpaloset me më shumë vërtetësi, që kur Kisha Katolike u çlirua nga barra e rëndë e Shtetit Papnor dhe nga pushteti kohor i Papëve.

Praktika diplomatike dhe gjeopolitike vatikanase

Mënyra unike e veprimit të diplomacisë papnore shihet në “praktikën afatgjatë” diplomatike dhe gjeopolitike vatikanase: në shqetësimin për të mos u shtypur nga njëra palë apo nga tjetra në situata konflikti; në kontributin për zgjidhjen e konflikteve gjeopolitike pa krijuar fitimtarë "triumfalistë" dhe humbës të poshtëruar e të inatosur, nëse duhet vërtet të ruhet paqja nga rikthimi i urrejtjes; në aftësinë për të kërkuar dhe për të inkurajuar dialogun me të gjithë, përfshirë bashkëbiseduesit që konsiderohen si "të padenjë" në Kancelaritë e fuqive të mëdha dhe në institucionet ndërkombëtare; në prirjen për ta përdorur durimin deri në skajin, që lejon zgjidhjen e nyjeve në dukje të pazgjidhshme, pa përdorur kërcënime. Në punën për t’u lidhur në rrjete, për të kërkuar “terrenin e përbashkët”, që i pajton interesat e ndryshme dhe konfliktuale, duke favorizuar gjithmonë rrugët dhe zgjidhjet, të cilat i shpëtojnë njerëzit nga vuajtjet e thertores së historisë. "Kur bëhet fjalë për të shpëtuar ndonjë shpirt, për të parandaluar dëme më të mëdha për shpirtrat", thoshte Papa Piu XI, Papa i Pakteve Lateranense që i dhanë fund të ashtuquajturës “Çështje Romake”, “do të ndienim guximin për të negociuar edhe me djallin vetë” (fjalimi para profesorëve dhe studentëve të Kolegjit Mondragone, 14 maj 1929).

Misioni i shpalljes së Ungjillit të Krishtit

Roli i diplomacisë papnore, i ndërthurur historikisht me misionin e shpalljes së Ungjillit të Krishtit, ishte në qendër të një seminari ndërkombëtar organizuar kohët e fundit në Paris nga Missions étrangères de Paris (MEP). Takimi, mbajtur më 9 dhjetor në selinë e Misioneve, me temë "Selia e Shenjtë në epokën moderne dhe bashkëkohore: misioni universal, ungjillëzimi dhe diplomacia papnore" synonte pikërisht të dokumentonte se si Selia e Shenjtë, edhe përmes diplomacisë papnore, çon përpara “misionin e saj të lartë të kumtimit së Ungjillit dhe të vendosjes së paqes për të gjithë, duke ruajtur neutralitetin dhe madje, edhe paanshmërinë e saj”.

Aty doli në pah se përfaqësuesit e Selisë së Shenjtë të shpërndarë nëpër botë – të gjithë diplomatë - kanë vepruar gjithmonë në bashkëpunim të ngushtë me Kongregatën e Propaganda Fide, e cila përdorte ata dhe rrjetet e tyre për të mbajtur marrëdhëniet me misionarët. Që nga 8 marsi 1622, Kongregata e sapokrijuar e Propaganda Fide pati identifikuar 13 fusha të ndryshme ndërhyrjeje për punën misionare në botë, duke përfshirë nuncët dhe përfaqësuesit apostolikë në mbikëqyrjen e punës. Punë që vijon edhe sot e kësaj dite e që i jep mundësinë Selisë së Shenjtë te ketë lajme të dorës së parë mbi çdo gjendje e situatë në botë, pasi rrjeti i Kishës është tejet kapilar e impenjohet vazhdimisht në favor të paqes e të mirëqënies së popullsive anembanë globit.

08 janar 2024, 14:36