Kërko

Un migrante Un migrante

Emigrantët: Papa, i afërt me emigrantët, kërkon të mos e kthejmë kokën mënjanë

Ndërmjet temave të trajtuara nga Françesku në fjalën drejtuar Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, është edhe ajo e emigrantëve. Varfëria, luftërat dhe shpërdorimi i shtëpisë së përbashkët, janë këto shkaqet kryesore, që i detyrojnë mijëra njerëz të braktisin tokën e tyre në kërkim të një të ardhmeje paqësore. Imzot Felicolo, drejtor i përgjithshëm i Fondacionit: "Papa tërheq vëmendjen për këtë tragjedi, mos i harroni fjalët e tij".

R.SH. / Vatikan

Nga shkretëtira e Saharasë, në pyllin Darién e deri në kufijtë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, duke arritur në Mesdhe, i cili në dekadën e fundit u bë "varrezë e madhe"… Këto, fazat e migrimit, që Papa Françesku i kujtoi në fjalimin e gjatë, drejtuar Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, duke tërhequr vëmendjen për "tragjedinë e madhe" të miliona njerëzve, të detyruar të largohen nga vendet e tyre për shkak të luftës, varfërisë apo ndryshimeve klimatike, në kërkim të një ardhmërie më të mirë për vete dhe fëmijët e tyre.

Papa Françesku - komenton për Vatican News Imzot Pierpaolo Felicolo, drejtor i përgjithshëm i Fondacionit të Migrantëve - bëri një analizë jashtëzakonisht të saktë të gjendjes së emigrantëve. E nuk foli vetëm për varrezën tragjike të Mesdheut! Vështrimi i tij u zgjerua në mbarë botën, sepse të gjitha vendet janë të përfshira në këtë tragjedi, pa përjashtim. Prandaj, vëmendja globale ndaj këtyre njerëzve është tejet e nevojshme. Fjalët e Papës  arrijnë drejtpërdrejt në zemra, ndaj nuk duhet të lejojmë të kalojnë pa u ndjerë, por t’i meditojmë dhe t'i ndiejmë si tonat". Mesdheu - kujtoi Papa Françesku - nuk duhet të jetë vend vdekjeje, varrezë, por vend ku njerëzit mund të takohen dhe të krijojnë laboratore paqeje, miqësie dhe diskutimi.

Drama e të miturve të pashoqëruar

Një tjetër problem serioz, për të cilin foli Papa Françesku, është ai i shumë të miturve të pashoqëruar që mbërrijnë e që, për fat të keq, shpesh u humbasin gjurmët. Vetëm në Itali, në vitin 2023, sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Brendshme, kishte mbi 17.200 të mitur që arritën vetëm. “Këta fëmijë - nënvizon imzot Felicolo - pa mbërrijtur mirë, jetojnë  tragjedi shumë më të mëdha se ato që lanë pas,  peshën e  të cilave do ta ndjejnë gjatë gjithë jetës së tyre. Prandaj, para së gjithash, duhet të vendosen në struktura të përshtatshme për ta, jo në qendra pritjeje për të rriturit; më pas t'u mësohet italishtja dhe t'u jepet mbështetje e fortë psikologjike. Vetëm në këtë mënyrë do të jenë në gjendje të fillojnë të jetojnë përsëri dhe të mos kenë frikë nga ajo, që i pret. Fatkeqësisht, jo gjithnjë ndodh kështu. Prandaj nuk duhet ta ulim kurrë rojen në lidhje me situatën e tyre delikate".

Me zemër të hapur

Në fjalimin e tij Papa Françesku nënvizoi se ndonjëherë kjo tragjedi, në vend që ta hapë zemrën, të bën të strehohesh pas frikës së pamotivuar të "pushtimit", duke harruar se pas atyre vdekjeve ka histori dhe njerëz që humbën jetën në kërkim të ëndrrës për të qenë të lirë. “Papa Françesku na kujton shpesh se duhet t'i shikojmë këta njerëz me sytë e zemrës - vazhdon Imzot Felicolo - larg tundimit për t’u mbyllur në vetvete përball frikës dhe mosbesimit. Duhet t’i njohim të dhënat reale, që të kuptojmë se nuk ka pushtim, por vetëm njerëz që u detyruan të lënë gjithçka dhe të ikin për shkak të luftërave civile, dhunës, por edhe ndryshimeve klimatike, në disa vende vërtet shumë dramatike, e që hapja e zemrave tona të bëhet prioritet”.

Papa nënvizoi edhe të drejtën, që secili të jetojë në atdheun e vet dhe të mos ravgojë në vende të tjera: “Në këtë rast - shpjegon drejtori i Migrantes - ne duhet të ndihmojmë në krijimin e kushteve, që i lejojnë këta njerëz të qëndrojnë në Vendet e tyre të origjinës, pa pasur nevojë të ikin. Kjo nuk është gjithmonë e mundur, veçanërisht nëse ka luftëra civile ose situata të pasigurta politike e, nëse jepet ndihma financiare, duhet të sigurohuni që fondet të jenë vërtet të destinuara për projekte pune dhe jo për qëllime të ndryshme. Natyrisht, të mbetesh në atdheun tënd është më se e drejtë, por duke u krijuar banorëve kushte të përshtatshme".

10 janar 2024, 15:24