Kërko

 Shkatërrimi pas bombardimit të Rafahut, në Rripin e Gazës Shkatërrimi pas bombardimit të Rafahut, në Rripin e Gazës 

Françesku: lufta, krim kundër njerëzimit, duhet edukimi me paqen

Papa, menjëherë pas lutjes së Engjëllit, përsëriti thirrjen kundër konflikteve, të cilat mbjellin "vdekjen e civilëve" dhe shkatërrojnë "qytete e infrastruktura", veçanërisht në Ukrainë, Palestinë dhe Izrael. Citoi, më pas, Atë Ibrahim Faltasin e Kujdestarisë të Tokës së Shenjtë, i cili na rikujtoi se duhet të edukohemi me paqen. E më pas iu drejtua "atyre që kanë fuqi mbi këto konflikte, duke i ftuar të reflektojnë e ta kuptojnë se “Lufta nuk është udha, që duhet ndjekur për t’i zgjidhur”.

R. SH. - Vatikan

Nuk harrojmë! Françesku e përsëriti edhe një herë këtë thirrje, pas Engjëllit, me shikimin drejt shumë vendeve të botës, por sidomos drejt Ukrainës, Palestinës dhe Izraelit. “Të mos i harrojmë ata që vuajnë nga mizoria e luftës” - është thirrja e tij e përhershme drejtuar atyre, që kanë “fuqinë mbi këto konflikte”, duke i ftuar të reflektojnë për faktin se lufta sjell vetëm shkatërrim:

“Në fillim të vitit shkëmbyem urimet për paqe, por armët vazhduan të vrasin dhe të shkatërrojnë. Ne lutemi që ata, të cilët kanë pushtet mbi  konfliktet, të reflektojnë mbi faktin se lufta nuk është mënyra për t'i zgjidhur, mbasi ajo mbjell vdekjen e civilëve dhe shkatërron qytete e infrastruktura. Me fjalë të tjera, lufta sot është në vetvete krim kundër njerëzimit. Të mos e harrojmë këtë: lufta është në vetvete krim kundër njerëzimit”.

Populli, e gjithë bota, kanë nevojë për paqe - përsërit Françesku - që citoi, më pas, Atin Ibrahim Faltas, famullitar i Kujdestarisë së Tokës Shenjte në Jerusalem, të cilin e dëgjoi vetëm pak minuta para kremtimit të Engjëllit në transmetimin televiziv Rai 1. “A sua immagine”, duke përsëritur se duhet “të edukojmë për paqen”.

Duhet të edukojmë për paqen. E duket se nuk jemi ende - mbarë njerëzimi - në lartësinë e një edukim të tillë, që ndalon çdo luftë. Të lutemi gjithmonë për këtë hir: të edukojmë për paqen!

Françesku u drejton një mendim edhe viktimave të rrëshqitjes së dheut në Kolumbi, me pasojë mbi 30 të vdekur, kryesisht fëmijë, dhe dëmtime të rënda të një bashkësie indigjene në veriperëndim të vendit, në departamentin Choco, që kufizohet me Oqeanin Paqësor me një pyll të pafund, mbi të cilin ranë shira me rrëshekë.

14 janar 2024, 13:21