Françesku: lufta vret buzëqeshjen dhe të ardhmen e shumë fëmijëve
R. SH. - Vatikan
Muret dhe ndarjet nuk e ndalin bamirësinë, gjë që e dëshmon veprimtaria e Nolite Timere Onlus, shoqatë e cila merret me birësimet në distancë në Ruandë, pritur sot nga Papa, me rastin e 25 vjetorit të themelimit. Françesku e vlerësoi shumë për veprimtarinë, solidaritetin dhe ndarjen e përbashkët:
“E kjo na kujton, në një botë ku duket se shtohen gjithnjë e më shumë muret dhe ndarjet ndërmjet njerëzve dhe popujve, se bamirësia nuk ka mure, siç tregon historia juaj”.
Njëzet e pesë vjet punë e kryer nga anëtarë, vullnetarë dhe dashamirës të organizatës jofitimprurëse, themeluar - kujton Papa - për të mirën e fëmijëve të Cité des Jeunes Nazareth të Mbare-s, në Ruandë", viktimave të pafajshme, jetimëve të një lufte dramatike, që shpërtheu në vend më 1994:
“Ai gjenocid ishte i tmerrshëm, ishte i tmerrshëm… Nuk duhet harruar kurrë, që të mos përsëritet”.
Françesku më pas kujtoi origjinën e Nolite Timere Onlus, themeluar me nismën e nuncit apostolik të atëhershëm në Ruandë, Imzot Salvatore Pennacchio, dhe të Don Tommaso Cuciniello, famullitar i kishës së Shën Anës në Giugliano, seli e shoqatës. Realitet i mbështetur nga Shën Gjon Pali II me parrullën: "Dhurojmë shpresën, për të filluar përsëri!", u impenjua për të mirëpritur fëmijët në Cité, duke ofruar, siç shpjegon Papa, "mjetet për ushqimin dhe edukimin e tyre shkollor e fetar”, gjithnjë, “me shpirt të hapur dhe dashuri të pakushtëzuar, njëherësh me dëshirën e përbashkët për t'u kthyer atyre buzëqeshjen dhe shpresën e së ardhmes”:
“Sepse - kujtojmë - lufta dhe armët ua rrëmbejnë buzëqeshjen dhe të ardhmen fëmijëve. E kjo është tragjike. Ndërsa është gjë e bukur çka propozoni të krijoni ju, duke i dhënë jetë marrëdhënieve, që i bëjnë ballë kohës. Krijohet kështu një rrjet miqësie, që shtrihet përtej rrethanave të çastit, duke i kapërcyer dallimet e moshës, të kombësisë, kulturës dhe gjendjes shoqërore”.
Aksioni i çuar përpara nga Nolite Timere tregon se të jesh 'vullnetar' është shumë më tepër sesa të ofrosh një shërbim apo të japësh një kontribut ekonomik". Këtë theksoi Françesku, që përfundoi me thirrjen prekëse:
“Të lutemi që të pushojnë në botë dhuna dhe konfliktet, për shkak të të cilave, për fat të keq, shumë fëmijë vazhdojnë të vuajnë, të shfrytëzohen dhe të vdesin, e t'i bëjmë jehonë me forcë fjalëve të Shën Palit VI: 'Kurrë më luftë!' Kurrë!”.