Në audiencë tek Papa, Instituti Shekullar i Meshtarëve Misionarë të Mbretërisë së Krishtit Në audiencë tek Papa, Instituti Shekullar i Meshtarëve Misionarë të Mbretërisë së Krishtit

Françesku: meshtarët t’u shërbejnë të varfërve pa mendësinë e kësaj bote

Në audiencë tek Papa, Instituti Shekullar i Meshtarëve Misionarë të Mbretërisë së Krishtit, themeluar 70 vjet më parë nga Át Gemelli. Françeskut i dhurohet planimetria e Qendrës së formimit në Burundi: do të mbajë emrin e imzot Michael Courtney, nuncit apostolik, që punoi shumë për pajtimin kombëtar, vdekur në një atentat të vitit 2003

R.SH. – Vatikan

Papa Françesku priti në Vatikan një përfaqësi të Institutit Shekullar të Meshtarëve Misionarë të Mbretërisë së Krishtit, themeluar nga Át Agostino Gemelli, në kuadrin e kremtimeve për 70-vjetorin e tij. Nuk është fjala për një institut rregulltarësh, por meshtarësh dioqezanë, që jetojnë në vende të ndryshme, duke iu bindur ipeshkvit vendas e duke bërë kushtet e varfërisë, të bindjes, të dlirësisë dhe të apostullimit, sipas karizmës së Institutit.

Mendësia e kësaj bote e përhapur edhe në mesin e priftërinjve

Në fjalimin, që Papa ua dorëzoi, nënvizohet vlera e të qënit shekullarë, pra, jo rregulltarë, në shërbesën e meshtarëve, duke vënë në dukje se kjo nuk është sinonim i laicitetit. Kujtojmë se me të njëjtin emër njihen edhe dy degët rregulltare, mashkullore e femërore. Ati i Shenjtë i fton ta jetojnë besnikërisht thirrjen e tyre, duke u distancuar nga dy prirje “të përhapura sot, edhe ndër priftërinjtë: vetëreferencimi dhe ndjekja e mendësisë së kësaj bote”, nga të cilat askush nuk është imun. Kisha, kujton ai në tekstin e shkruar, ashtu si çdo i pagëzuar, është në botë, punon për botën, por nuk është e botës, nuk i përket asaj.

Shërbeni, në solidaritet me të varfërit dhe të përjashtuarit

Karizma françeskane, e mishëruar në punën e anëtarëve të Institutit, është ajo e vogëlsisë: "Kështu, formoheni për shërbimin e përvuajtur, të gatshëm, vëllazëror - vëren Papa - sipas modelit të mbretërimit të Krishtit, që konsiston në shërbimin, në dhurimin bujar të vetvetes, në impenjimin personal, në solidaritet me të varfërit dhe të përjashtuarit”.

Në Burundi, qendra e formimit kushtuar imzot Courtney

Vitet e fundit, në institutin e themeluar nga meshtari, që i dha emrin spitalit Gemelli në Romë, kanë hyrë edhe shumë priftërinj nga Guinea, Burundi, Ruanda dhe nga vendet e tjera afrikane. Pikërisht në Burundi, do të ngrihet një Qendër formimi, kushtuar imzot Michael Courtney-t, nuncit apostolik, që u vra në një atentat, ndërsa punonte me të gjitha forcat për pajtimin kombëtar. Vdiq më 28 dhjetor 2003. Papës iu dorëzua sot planimetria e Qendrës, që do të jetë vend formimi shpirtëror dhe dialogu ndërfetar.

11 janar 2024, 13:24