Françesku: sa konflikte nxiten nga lajmet e rreme, të çarmatoset gjuha e komunikimit
R.SH. – Vatikan
Dialogu ndërfetar, ekumenizmi dhe mbrojtja e paqes, lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Në një kohë kur shumë konflikte ushqehen nga "lajme të rreme", ose nga "deklarata luftënxitëse", publicistët e Gesellschaft Katholischer Publizisten Deutschlands - Shoqata e publicistëve katolikë të Gjermanisë, që feston 75 vjetorin e themelimit – duhet t’i vënë vetes si objektiv të çarmatosin gjuhën e komunikimit. Ky, reflektimi i Papës Françesku në fjalimin e dorëzuar gazetarëve katolikë gjermanë, që i priti sot paradite (4 janar) në audiencë, në Pallatin Apostolik.
Zemra “të çmilitarizuara” dhe gjuhë “e çarmatosur”
Në tekst, Ati i Shenjtë nënvizon rolin themelor të komunikimit në një kontekst lufte si ky i sotmi. “Sa shumë konflikte sot, në vend që të shuhen me dialog, ushqehen nga lajme të rreme apo nga deklarata luftënxitëse, që kalojnë përmes mediave – denoncon ai. – Prandaj, është edhe më e rëndësishme që ju, të fortë në rrënjët tuaja të krishtera dhe në fenë e jetuar çdo ditë, me zemër të “çmilitarizuar” nga Ungjilli, të mbështesni çarmatimin e gjuhës së komunikimit”.
Papa jep disa këshilla praktike për këtë mision: "Të favorizohet toni i paqes dhe i mirëkuptimit, të ndërtohen ura, të jeni të gatshëm për të dëgjuar, të realizohet një komunikim me respekt për tjetrin dhe për arsyet e tij". “Shoqëria ka nevojë urgjente për këtë, por edhe Kisha ka nevojë për një komunikim të butë e, njëkohësisht, profetik”, nënvizon Françesku.
Mos qëndroni “neutralë”, jepuni zë të varfërve
“Ju vini nga një vend i begatë dhe i zhvilluar – u shkruan Ati i Shenjtë komunikatorëve gjermanë - por edhe atje ka shumë vështirësi, nganjëherë të fshehura. Mendoj për fenomenin e varfërisë së fëmijëve, për familjet, që nuk kanë me se të paguajnë faturat dhe për situatën e shumë emigrantëve refugjatë, të cilët Gjermania i ka mirëpritur me shumicë. Atje, Zoti i dashurisë pret lajmin e mirë të bamirësisë sonë: pret të krishterë, që dalin dhe shkojnë drejt njerëzve të periferive. Pikërisht për këtë, kemi nevojë që komunikatorët t’i nxjerrin në pah historitë dhe fytyrat e atyre, të cilëve pak e kush u kushton vëmendje”.
“Prandaj, kur komunikoni, - përfundon Papa Françesku, duke iu drejtuar me shkrim gazetarëve gjermanë - mendoni gjithmonë për fytyrat e njerëzve, veçanërisht për të varfrit e të thjeshtët dhe filloni prej tyre, nga realiteti i tyre, nga dramat dhe shpresat e tyre, edhe kur kjo do të thotë të shkosh kundër rrymës e të konsumosh shojen e këpucëve”.