Françesku: në Nikaragua burgosen ipeshkvij e priftërinj; të kërkohet dialog
R. SH. - Vatikan
Dhimbje dhe shqetësim në fjalët e Papës për situatën në Nikaragua, "ku ipeshkvijve dhe priftërinjve u mohohet liria". Në Engjëllin e Tënzot të 1 janarit 2024, Françesku kujton vendin e Amerikës Qendrore ku, në vitin 2018, pas episodeve të dhunës kundër kishave dhe meshtarëve, si dhe dëbimeve në vitin 2022 të nuncit dhe rreth 220 rregulltarëve, vijon prej muash vala e re e arrestimeve dhe e kufizimeve të manifestimeve fetare.
Pikërisht priftërinjve dhe ipeshkvijve të rrëmbyer, familjeve të tyre dhe "gjithë Kishës së vendit", Papa u siguron "afërsinë në lutje":
“I ftoj të gjithë të pranishmit këtu dhe të gjithë popullin e Zotit për lutje këmbëngulëse, ndërsa shpresoj se gjithmonë do të kërkojmë rrugën e dialogut për t’i kapërcyer vështirësitë. Të lutemi për Nikaraguan sot!”.
Arrestime të reja
Vetëm në ditët e fundit u rrëmbyen të paktën 14 priftërinj - i fundmi, mbrëmë, pas kremtimit të Meshës së fundvitit - dy seminaristë dhe ipeshkvi i Siunas, Imzot Isidoro del Carmen Mora Ortega. Prelati u arrestua pasi u lut për Imzot Rolando José Álvarez Lagos, ipeshkvin e Matagalpas, administrator apostolik i dioqezës së Estelí, i dënuar me 26 vjet burgim pa gjyq, në burg që nga shkurti i vitit të kaluar.
Papa lutet për ipeshkvin Alvarez të dënuar në Nikaragua
Pikërisht për Imzotin Álvarez u lut dhe kërkoi lutje Papa në Engjëllin e 12 shkurtit 2022: Françesku shprehu "shqetësimin" për prelatin të cilin, pohoi “e dua shumë" dhe gjithashtu për të gjithë njerëzit "e dëbuar në Shtetet e Bashkuara". “Lutem për ta dhe për të gjithë venezualanët që vuajnë në atë komb të dashur” - kujtoi Papa - duke kërkuar, në vijim, ndërmjetësimin e Virgjërës Mari për t’ua “hapur zemrat liderëve politikë dhe të gjithë qytetarëve, që të kërkojnë sinqerisht paqen, e cila vjen nga e vërteta, nga drejtësia, liria dhe dashuria dhe arrihet përmes ushtrimit të durueshëm të dialogut”.
Padija e OKB-së
Papa Françesku foli për vështirësitë në Nikaragua dhe në veçanti, për gjendjen e ipeshkvit të Matagalpës, edhe në një intervistë për gazetën argjentinase Infobae, me rastin e dhjetëvjetorit të papnisë së tij, duke denoncuar mungesën e ekuilibrit të atyre që drejtojnë vendin. “Kemi një ipeshkëv të burgosur. Njeri shumë serioz, shumë i aftë. Ai donte të jepte dëshminë e tij, prandaj nuk e pranoi internimin” - kujtoi përsëri Papa.