Papa: nuk ka konflikt sot, që të mos e prekë edhe popullsinë civile
R.SH. / Vatikan
Ati i Shenjtë Françesku pret në Vatikan Trupin diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë dhe përmend të gjitha tragjeditë, që po shkatërrojnë botën: nga lufta "gangrenë" në Ukrainë te dhuna në Tokën Shenjte, nga kriza në Nikaragua te tensionet në Kaukaz e në Afrikë. Papa dënon amësinë surrogate, teorinë gjinore, antisemitizmin dhe persekutimin antikristian, kërkon impenjim serioz në përballimin e fenomenit të migracionit dhe në arritjen e paqes përmes dialogut politiko-shoqëror dhe edukimit.
Një fjalim kushtuar tërësisht paqes, me paralajmërimin se tani nuk ka luftëra në botë që arrijnë të shmangin viktimat civile dhe se ato “nuk janë dëme anësore. Janë fëmijë, që mbeten jetimë, pa të ardhme. Njerëz që vuajnë nga uria, etja dhe të ftohtit, a që gjymtohen nga armët moderne”. Këtë theksoi sot Papa Bergoglio në fillim të takimit tradicional me trupin diplomatik e, duke shikuar më tej, i tha një "jo" të prerë dhe vendimtare surrogacitetit, duke kërkuar ndalimin ndërkombëtar të kësaj praktike. Më pas bëri thirrje për respektimin e traktateve ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut, duke përshkruar një paqe të mundshme, kundër masakrës së kotë të luftës.
Përballë ambasadorëve të akredituar pranë Selisë së Shenjtë nga vendet e ndryshme të botës, e pranishme edhe Ambasadorja e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, znj. Majlinda Frangaj., Ati i Shenjtë Françesku përshkroi prioritetet e tij diplomatike, por mbi të gjitha, "rrugën drejt paqes", që kalon përmes çarmatimit integral, arsimit, ekonomisë, madje edhe kujdesit për krijimin e sidomos, respektit për jetën. Pasqyroi më pas situatat botërore, u ndalua gjerësisht tek situata në Tokën e Shenjtë, nuk harroi Sirinë, preku Ukrainën, por pa harruar edhe Amerikën Qendrore e Jugore e duke denoncuar atë që po ndodh në Nikaragua e tensionet në Venezuelë dhe Guajana.
Është çasti në të cilin diplomacia e Selisë së Shenjtë duket se është e mënjanuar, por edhe çasti në të cilin Papa kërkon më shumë veprim dhe prani. Në përfundim të vitit të kaluar - kujtoi - më në fund arritëm të emërojmë një përfaqësues të Selisë së Shenjtë, rezident në Vietnam; nisën marrëdhëniet diplomatike me Omanin, një marrëveshje e re me Kazakistanin (negociohet për Mongolinë, të cilën Papa nuk e përmend), u kremtuan katër përvjetorë të rëndësishëm marrëdhëniesh: me Panamanë, me Iranin, me Korenë, me Australinë.
Dëshira për paqe
Papa Françesku e përqendroi fjalimin kryesisht në çështjen e paqes, duke kujtuar Piun XII dhe mesazhin e tij radiofonik të vitit 1944, kur, ndërsa lufta po i afrohej fundit, Papa Pacelli kërkoi "të bëhej kjo luftë botërore, kjo përmbysje universale, pikë nga e cila do të niste një epokë e re, epoka e përtëritjes së thellë”. Por, ankohet Françesku, "duket se përtëritja ka mbaruar dhe bota është përshkuar nga një numër konfliktesh në rritje, që po e transformojnë “luftën botërore pjesë-pjesë” në një konflikt të vërtetë global.
Skenarët
Papa Françesku e nis panoramikën e tij botërore nga Izraeli dhe Palestina. Pohon se është "i shqetësuar" nga situata e se "ne të gjithë u tronditëm nga sulmi terrorist kundër popullatës në Izrael më 7 tetor, ku shumë njerëz të pafajshëm u plagosën, u torturuan dhe u vranë në mënyrë mizore dhe shumë të tjerë u flakën në paraburgim a u morën peng", gjë që nuk mund të mos dënohet, njëheresh me "çdo formë ekstremizmi terrorizmi". "Çështjet nuk zgjidhen në këtë mënyrë" - vëren - aq sa sulmi i 8 tetorit "provokoi një përgjigje të fortë ushtarake izraelite në Gaza, me pasojë vdekjen e dhjetëra mijëra palestinezëve, shumë prej të cilëve ishin të pafajshëm, shkaktoi një situatë shumë të rëndë humanitare dhe vuajtje të papërfytyrueshme”.
Papa Françesku përsëriti thirrjen për armëpushim në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, për lirimin e pengjeve dhe për marrjen e ndihmave humanitare. Përsëriti edhe nevojën për të ndjekur zgjidhjen me dy shtete (Palestinë dhe Izrael) dhe një statut ndërkombëtar për Jerusalemin. Konflikti në Gaza - shtoi - destabilizon zonën e Lindjes së Mesme: nga Siria (Papa Françesku gjithashtu bën thirrje për një dialog për heqjen e sanksioneve ndërkombëtare, duke kujtuar gjithashtu refugjatët sirianë në vendet fqinje) deri në Liban (me kërkesën për të kapërcyer ngërçin institucional). Por Papa nuk e harron Mianmarin dhe kërkon që "të bëhen të gjitha përpjekjet për t'i dhënë asaj toke një të ardhme të denjë për brezat e rinj, pa harruar urgjencën humanitare që ende prek Rohingyat". Nga Mianmari Papa kalon në Evropën, e cila prej dy vitesh po e jeton në zemër konfliktin e shkaktuar nga agresioni në shkallë të gjerë i Rusisë kundër Ukrainës. “Ne nuk mund ta lejojmë - theksoi - të vazhdojë një konflikt që po bëhet gjithnjë e më gangrenoz, në dëm të miliona njerëzve. Tragjedisë së vazhdueshme duhet t'i jepet fund përmes negociatave, në përkim me të drejtën ndërkombëtare.
Nga qendra e Evropës, vështrimi i Papës shkon drejt Kaukazit Jugor: Françesku bën thirrje për nënshkrimin e një traktati paqeje ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit, duke kujtuar se "është urgjente të gjendet edhe zgjidhja për situatën dramatike humanitare të banorëve të asaj zone, të inkurajohet kthimi i të zhvendosurve në shtëpitë e tyre, në ligjshmëri dhe siguri dhe të respektohen vendet e adhurimit të feve të ndryshme të pranishme atje, sepse në këtë mënyrë do të jetë e mundur të krijohet "atmosfera e besimit ndërmjet të dy vendeve, në funksion të paqes shumë të dëshiruar”.
Kapitulli Afrikë: Papa Françesku nuk harron problemet e rajonit subsaharian, të prekur nga terrorizmi ndërkombëtar, por edhe nga problemet socio-ekonomike, ndryshimet klimatike dhe mbi të gjitha "nga grushtet ushtarake në disa vende dhe nga disa procese zgjedhore që karakterizohen nga korrupsioni, frikësimi dhe dhuna”. Papa bën thirrje edhe për zbatimin e marrëveshjes së Pretorias, të nëntorit 2022, e cila i dha fund luftimeve në Tigray dhe kujtoi tensionet në Etiopi e në Bririn e Afrikës. E më pas, edhe "ngjarjet dramatike në Sudan ku, për fat të keq, pas muajsh lufte civile, nuk ka ende rrugëdalje, si dhe njerëzit e zhvendosur në Kamerun, Mozambik, në Republikën Demokratike të Kongos dhe Sudanin e Jugut".
Papa vijoi të kujtojë situatën në Amerikë, ku nuk ka luftëra, por tensione në vende si Venezuela dhe Guajana, polarizim në Peru dhe situatë shqetësuese në Nikaragua, ku po jetohet "një krizë në vijim, me pasoja të dhimbshme për gjithë shoqërinë nikaraguane, veçanërisht për Kishën Katolike. Selia e Shenjtë nuk pushon kurrë së ftuari për dialog diplomatik të respektueshëm, për të mirën e katolikëve dhe të gjithë popullatës”.
Luftërat sot
Papa Françesku nënvizon se pas kësaj tabloje “jo shteruese” fshihen mbi të gjitha “miliona njerëz, fytyrat e të cilëve janë kryesisht të panjohura e shpesh i harrojmë”, sepse ndër të tjera luftërat e sotme “nuk zhvillohen në fusha beteje të demarkuara dhe as nuk kanë të bëjnë vetëm me ushtarët”. Në të vërtetë, "në një kontekst në të cilin dallimi ndërmjet objektivave ushtarake dhe civile duket se tashmë nuk vihet re, nuk ka asnjë konflikt që të mos përfundojë në një farë mënyre duke prekur popullatën civile, pa asnjë dallim. Ngjarjet në Ukrainë dhe Gaza janë dëshmi e qartë e kësaj”.
Papa Françesku denoncon: viktimat civile "nuk janë dëme kolaterale": nëse do të mund ta shikonim "secilin prej tyre në sy, t’i thërrisnim me emër dhe të njihnim historinë e tyre personale, do ta shikonim luftën ashtu siç është: asgjë më shumë sesa një tragjedi e madhe dhe një masakër e kotë, që cenon dinjitetin e çdo njeriu mbi këtë tokë”.
Papa Françesku përsërit kërkesën për "politikë çarmatimi, pasi është iluzore të mendohet se armatimet kanë vlerë parandaluese", ndërsa armët krijojnë mosbesim dhe devijojnë burimet", e se do të ishte më mirë të "investonim në politikat reale të sigurisë", përballë sfidave që "kalojnë kufijtë" dhe në krizat "ushqimore, mjedisore, ekonomike dhe shëndetësore" që karakterizojnë fillimin e shekullit. Për këtë arsye, Papa propozon edhe një herë krijimin e një Fondi Global për ta zhdukur urinë në botë dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm të të gjithë planetit. Tema e energjisë bërthamore është gjithashtu pjesë e fjalimit të Papës, i cili përsëriti se është e pamoralshme të prodhohen dhe të posedohen armë bërthamore dhe kërkoi rifillimin e negociatave për Marrëveshjen Bërthamore iraniane.
Lufta kundër urisë, kujdesi për krijimin dhe paqen
Papa Françesku kërkoi më pas “të zhduken në rrënjë shkaqet e luftës”, duke nisur nga uria, tek shfrytëzimi i burimeve, deri te fatkeqësitë natyrore dhe mjedisore, e duke pasur parasysh megjithatë se “ka fatkeqësi që dora e njeriut nuk mund t’i kontrollojë” si p.sh. tërmetet e fundit në Marok, Kinë, Turqi dhe Siri, si dhe përmbytjet që goditën Dernën në Libi.
Por ka edhe fatkeqësi që i atribuohen dorës së njeriut - kujtoi Papa Françesku - si "shpyllëzimi i Amazonës" e prej këndej vjen edhe lidhja me COP 28 në Dubai, ku nuk mundi të merrte pjesë për shkak të bronkitit. Papa ka shkruar një thirrje apostolike, Laudate Deum, e nënvizoi edhe para ambasadorëve se "kriza klimatike kërkon përgjigje gjithnjë e më urgjente dhe përfshirje të të gjithëve, si dhe të gjithë bashkësisë ndërkombëtare". Vlerëson edhe dokumentin përfundimtar të Konferencës, duke e quajtur atë "hap inkurajues", i cili zbulon se multilateralizmi mund të "rigjallërohet përmes menaxhimit global të klimës".
Migrimet
Françesku më pas shikon çështjen e migrimit, e cila është gjithashtu temë e vazhdueshme e papnisë së tij - aq sa të krijojë seksionin e veçantë "Emigrantët dhe Refugjatët" nën përgjegjësinë e tij. Papa kujton rrugët më të zakonshme (nga Sahara, në kufirin ndërmjet Kolumbisë dhe Panamasë, në kufirin ndërmjet Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara e në "varrezat e mëdha të Mesdheut). Papa Françesku megjithatë, pranon se rregullorja është “në veprim”, kujton se e drejta e parë është “të qëndrosh në atdhe”, nënvizon se “asnjë vend nuk mund të lihet vetëm e askush nuk mund të mendojë ta përballojë i vetëm çështjen, përmes legjislacionit kufizues e shtypës” – e lidhur me këtë, përshëndet Paktin e Bashkimit Evropian për Migracionin dhe Azilin e Bashkimit Evropian, por pa harruar se edhe këto i kanë kufijtë e vet”.
Amësia surrogate dhe teoria gjinore
Ati i Shenjtë foli më pas për të drejtat e fëmijëve, duke dënuar amësinë surrogate, pasi “çdo fëmijë është dhuratë e kurrë objekt kontrate”. Gjithashtu, kritikoi teorinë gjinore, që paraqitet si e drejtë njerëzore, por “është tejet e rrezikshme, sepse i zhduk dallimet ndërmjet gjinive, me pretendimin se i bën të gjithë të barabartë”. Janë kolonizime ideologjike, denoncoi Papa.
Të gjallërohet diplomacia shumëpalëshe
Më tej, Françesku vuri në dukje dobësimin e diplomacisë shumëpalëshe, duke kërkuar kthimin në rrënjët e demokracisë. U kërkoi të rinjve të votojnë në të gjitha ato shtete, që sivjet kanë zgjedhje, duke e ndierë përgjegjësinë për të ndërtuar së bashku një shoqëri më të drejtë e më të mirë. Nënvizoi rëndësinë e mbrojtjes së lirisë fetare dhe të respektit për pakicat, si edhe dënoi aktet e antisemitizmit. “Edhe një herë e theksoj se kjo plagë duhet të zhduket nga shoqëria, sidomos përmes edukimit me vëllazërimin dhe pranimin e të tjerëve”.
Më se 360 milionë të krishterë, viktima persekutimi
Po kështu, Papa denoncoi shtimin e persekutimit dhe të diskriminimit kundër të krishterëve, veçanërisht në dhjetë vitet e fundit. Shpesh kjo ka të bëjë me "mënjanimin e përjashtimin e ngadaltë nga jeta politike dhe shoqërore dhe nga ushtrimi i profesioneve të caktuara, edhe në tokat tradicionalisht të krishtera". Në botë, mbi 360 milionë të krishterë janë viktima, për shkak të besimit, gjithnjë e më shumë "të detyruar të ikin nga tokat e tyre të origjinës".
Përdorimi etik i teknologjive të reja
Për të gjitha këto plagë, sipas Papës, zgjidhja është edukimi i rinisë, i cili kërkon edhe përdorimin etik të teknologjive të reja, të cilat mund të bëhen burim përçarjeje, ose lajmesh të rreme. Zhvillimi i Inteligjencës Artificiale, nënvizoi Françesku, të bëhet në shërbim të njeriut. Nga ky këndvështrim, rëndësi të veçantë kanë dy Konferencat Diplomatike të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale, që do të mbahen në vitin 2024. Selia e Shenjtë do të marrë pjesë si shtet anëtar. “Vëmendje e veçantë duhet t'i kushtohet mbrojtjes së trashëgimisë gjenetike njerëzore, duke parandaluar zbatimin e praktikave në kundërshtim me dinjitetin njerëzor, si patentimi i materialit biologjik njerëzor dhe klonimi i qenieve njerëzore”.
Vështrimi mbi jubileun
Në fund të fjalimit, një vështrim mbi Jubileun, që do të fillojë në Krishtlindjen e vitit 2024. Përballë "errësirës së kësaj bote", vërejti Papa, Jubileu "është lajmi se Zoti nuk e braktis kurrë popullin e vet dhe i mban gjithmonë dyert e Mbretërisë së tij të hapura". Ndoshta, përfundoi Françesku, për të krishterët dhe jo vetëm për ta mund të jetë "koha, në të cilën një komb nuk do ta ngrejë më shpatën kundër një tjetri dhe as nuk do të mësohet më arti i luftës".