Le Pape avec les participants de l"Université des communicants en Église"  (VATICAN MEDIA Divisione Foto) Le Pape avec les participants de l"Université des communicants en Église" (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Françesku komunikuesve të Kishës së Francës: komunikimi nuk është propagandë, por mision i madh

150 drejtues të mediave nga dioqezat, kongregatat rregulltare, lëvizjet, bashkësitë dhe shoqatat e reja të Kishës në Francë, u pritën sot nga Papa, në përfundim të takimit të tyre të lutjes dhe të formimit

R.SH. / Vatikan

“Unë kam një problem, kam pak bronkit dhe nuk mund të flas mirë. Nëse nuk fyheheni, do t’ua dorëzoj kopjen e fjalimit. Më falni. Do ta dorëzoj për t'ua dhënë të gjithëve, por e kam vështirë të flas. Faleminderit për mirëkuptimin tuaj. Dhe faleminderit që erdhët. Faleminderit shumë për punën tuaj”.

Françesku i përshëndeti kështu pjesëmarrësit në simpoziumin "Université des Communicants en Église", të pritur në Sallën Klementine të Pallatit apostolik, duke i falënderuar "që erdhën", duke thënë disa fjalë, e pastaj duke kërkuar falje që nuk arriti ta lexonte fjalimin e përgatitur.

Kujtojmë se Konferenca e Ipeshkvijve të Kishës katolike të Francës organizon rregullisht "Universitetet për komunikuesve në Kishë". E pikërisht në Romë u takuan 150 drejtues komunikimi, të udhëhequr nga tre ipeshkvij, ndërmjet të cilëve, imzot Xavier Malle, ipeshkëv i Gap-Embrun dhe prijës i projektit. Patën një sërë takimesh, ndërmjet tjerash, me realitetin e medias së Vatikanit dhe me aktivistë të caktuar të Jubileut të vitit 2025. Shkëmbimi i përvojave, lutja së bashku dhe dëgjimi është i nevojshëm - u kujtoi Papa Françesku sot, 12 janar, duke i pritur në përfundim të takimit të tyre e duke ua dorëzuar fjalimin kushtuar komunikimit.

“Këto çaste shërbejnë për të rizbuluar rrënjën e asaj që komunikojmë, të vërtetën që duhet ta themi, bashkimin që na bën një me Jezu Krishtin”. Këto takime - vijoi Ipeshkvi i Romës, duke saktësuar se edhe “shërbimi i Papës është sot pjesë e botës së komunikimit”- ndihmojnë për të kuptuar se komunikimi në Kishë nuk përbëhet nga strategji apo biznese individuale. Përkundrazi, kërkon të shkosh përtej "fiksimit për kontrollin, fuqinë, suksesin", të komunikosh "me zemër" për t’i parë "gjërat, që të tjerët nuk i shohin, në mënyrë që t'i ndajmë dhe t'i tregojmë me k,” duke i lexuar me lexim të krishterë ngjarjet”.

Duke përmendur Shën Françeskun e Sales, festa e të cilit kremtohet më 24 janar, Papa kujtoi se pikërisht kjo ditë  do t’i kushtohet takimit vjetor ndërkombëtar të mediave katolike, në Lourdes. Theksoi, në vijim se  "zhurma bën pak mirë, ndërsa e mira bën pak zhurmë", duke i ftuar të pranishmit të krijojnë një "rrjet për ta përhapur të mirën, të vërtetën dhe të bukurën” dhe për t’i  përfshirë të rinjtë në komunikim.

Dëshmi, guxim, çiltërsi

Dëshmi, guxim, çiltërsi! Pasardhësi i Pjetrit e përqendroi fjalimin rreth këtyre tri fjalëve, themelore, sipas tij, për komunikim të mirë në Kishë. Dëshmia e përbashkët e bën Kishën të besueshme në marrëdhënien e saj me median laike dhe zgjeron rrjetin e saj të komunikimit. “Mos ngurroni ta ndani përmes komunikimit gjithçka është e mirë në dioqezat tuaja, kongregacionet tuaja, lëvizjet tuaja. Mos ngurroni të ndërtoni, nëpërmjet komunikimit, bashkimin në Kishë dhe vëllazërinë në botë. Behuni krijues. E të mirëpritur”- i porositi Ati i Shenjtë.

Të dëshmosh kërkon guxim. "Unë e di se pas turpit krijuar nga shkandulli   i abuzimit, Kisha në Francë po ecën në rrugën e pastrimit" - kujtoi Françesku. Konteksti nënkupton komunikim modest, serioz dhe profesional. Ai i inkurajon komunikuesit: “Ecni përpara, pra! Çastet më të errëta janë shpesh pikërisht ato, që i paraprijnë dritës”.

Mesazhi i Papës fton të mos gjykojmë, të ndajmë gëzimin e Ungjillit me të gjithë ata që kanë etje për Zotin dhe që kërkojnë ta takojnë atë “përmes nesh”. Prandaj është e nevojshme - porositi – t’i "hapim sytë" për të zbuluar, "mes murmuritjeve të kohës sonë", "se ajo që na bashkon, është gjithnjë më e madhe se ajo që na ndan".

12 janar 2024, 13:13