Papa: respekt e humanizëm në drejtimin e punës dhe mbrojtjen e njerëzve
R.SH. / Vatikan
“Respekti e humanizmi, që vlejnë për përdorimin e tokës, vlejnë edhe për të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me përmasën njerëzore, e cila duhet t’i kuptojë e t’i përvetësojë mesazhet e çmuara që i dërgon natyra. Papa Françesku u takua sot paradite me pjesëmarrësit e konferencës së organizuar nga Vinitaly, me temë: "Ekonomia e Françeskut dhe bota e verës italiane", të cilëve u kujtoi nevojën themelore për mbrojtjen e Krijimit, dhuruar njeriut nga Zoti:
“Respekti, ngulmi, aftësia për të krasitur, që të ketë sa më shumë fryte: këto janë mesazhe të çmuara për shpirtin, që mësohen mirë nga ritmet e natyrës, nga hardhitë dhe nga përpunimi tyre. Krasitja kërkon një numër të pafund aftësish, të transmetueshme vetëm pjesërisht në mënyrë teknike, "skolastike" e shpesh të lidhura me dijen praktike, jetësore, me përvojën e posaçme që duhet fituar në këtë fushë, në mënyrë që sa më shumë të përfshihemi në përmasën njerëzore të asaj që bëhet, aq më shumë përfitojmë”.
Dhuratat e Zotit për njeriun
Vera, toka, aftësitë bujqësore dhe sipërmarrëse janë dhurata të Zotit besuar njeriut - shtoi Papa Françesku - në mënyrë që ai, me ndershmëri dhe ndjeshmëri, t'i bëjë "burim të vërtetë gëzimi për zemrën e njeriut", të çdo njeriu, jo vetëm të atyre, që kanë më shumë mundësi":
“Ju falënderoj, atëherë, që zgjodhët të frymëzoni aktivitetin tuaj me ndjenja harmonie, ndihmë për më të dobëtit dhe respekt për krijimin, siç na mëson Françesku i Asizit”.
Respekt dhe humanizëm
Vinitaly - kujtoi më tej Papa - është padyshim "realitet domethënës, si në skenën e verës italiane, ashtu edhe në atë ndërkombëtare", gjë që e bën të rëndësishëm reflektimin e përbashkët "mbi aspektet etike dhe përgjegjësitë morale që sjell e gjithë kjo", duke u nisur nga vlera themelore e respektit:
“Për një prodhim cilësor, nuk mjafton zbatimi i teknikave industriale dhe i logjikës tregtare; toka, hardhia, proceset e kultivimit, fermentimit dhe pjekjes kërkojnë qëndrueshmëri, vëmendje, durim”.
Prandaj respekti dhe humanizmi janë vendimtarë edhe “në drejtimin e punës, në mbrojtjen e njerëzve dhe në konsumin e prodhimeve, për të ndihmuar që individët dhe kompanitë të fitojnë pjekurinë e duhur”.