Françesku: situatë shumë e rëndë në Tokën Shenjte, të veprohet për t'i dhënë fund konfliktit
R. SH. - Vatikan
Një ftesë e re për t'u lutur, pandërprerë, që të marrë fund konflikti ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve. Papa Françesku e drejtoi nga Salla Klementine e Pallatit Apostolik, gjatë audiencës me anëtarët e Studium Biblicum Franciscanum, lindur në Jerusalem njëqind vjet më parë:
“Situata aktuale e Tokës Shenjte dhe e popujve, që e banojnë, na përket e na dhemb. Është shumë serioze nga çdo këndvështrim. Shumë serioze. Dëgjova Atë Faltasin, gjërat që më bëri të di dhe çdo ditë komunikoj me famullinë e Gazës, që vuan shumë nga kjo situatë”.
Françesku vëren se lajmet që mori janë vetëm "dy shembuj" të asaj që po ndodh dhe përsërit se sa serioze dhe shqetësuese janë rrethanat:
“Kjo situatë është shumë serioze. Ne duhet të lutemi dhe të veprojmë pa u lodhur që kjo tragjedi të ndalet”.
Dëshmia e françeskanëve në Tokën Shenjte
Papa u kërkoi françeskanëve, që drejtojnë institucionin akademik, të vazhdojnë dëshminë e tyre, prej nga e ka zanafillën krishterimi:
“Qoftë kjo nxitje edhe më e madhe për ju, që të thelloni arsyet dhe cilësinë e pranisë suaj në ato Vise të martirizuara, praninë tuaj atje, në martirizimin e atij populli, në të cilin zënë fill rrënjët e besimit tonë” .
Kontributi i Studium Biblicum Franciscanum
Pikërisht në vendet e përshkruara në Bibël, Studium Biblicum Franciscanum, "me Bibliotekën dhe Muzeun e tij, u dha dhe vazhdon t'u japë shtytje gërmimeve të rëndësishme arkeologjike" nga të cilat "dolën objekte të çmuara" - vëren Françesku - që nënvizon edhe veçantinë e qendrës universitare “e cila kombinon studimin e Shkrimit Shenjt me qëndrimin në Viset Shenjte dhe kërkimin arkeologjik”.
Të finalizohet studimi i Shkrimit për shërbimin baritor
Papa kujtoi edhe se dashuria e françeskanëve për tekstet biblike është "e themeluar nga Shën Françesku", i cili e konsideroi "njohjen e Fjalës së Zotit e edhe studimin e saj", jo "si çështje e thjeshtë erudicioni", por përvojë e një natyre sapienciale, me qëllim që t'i ndihmojë njerëzit ta jetojnë më mirë Ungjillin, që t'i bëjë më të mirë". E këtë e nënvizon edhe Shën Bonaventura i Bagnoregios, dishepull i të Vobegtit të Asizit, në Prologun e Breviloquium-it, ku kujton se "për të mirëpritur dhuratën e Fjalës së Perëndisë është e nevojshme t'i afrohemi me besim të thjeshtë Atit të dritës dhe të lutemi me zemër të përvujtë'" për të arritur kështu tek "njohja e vërtetë e Jezu Krishtit":
“Me rastin e njëqindvjetorit tuaj, ju bëj thirrje të mos e humbisni këtë tip afrimi tek Shkrimi Shenjt. Studimin rigoroz dhe shkencor të burimeve biblike, pasuruar me metodat më moderne dhe disiplinat përkatëse, mund ta kombinoni me jetën e popullit të shenjtë të Zotit dhe me shërbimin e tij baritor, në harmoni dhe për të mirën e karizmës suaj të veçantë në Kishë”.
Së fundi, Françesku nënvizoi sesa e çmuar është puna e Studium Biblicum Franciscanum në një kohë, kur Zoti "na kërkon ta dëgjojmë dhe ta njohim më mirë Fjalën e tij, për ta bërë atë të jehojë në botë në një mënyrë gjithnjë e më të kuptueshme".
Në përfundim i inkurajoi françeskanët dhe studiuesit “të vazhdojnë punën e ta bëjnë gjithnjë më cilësor kërkimin, studimin dhe veprimtarinë arkeologjike”.