2024.01.13 Membri dell'Associazione sportiva "Athletica Vaticana" 2024.01.13 Membri dell'Associazione sportiva "Athletica Vaticana"  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Françesku: sporti shemb muret dhe krijon vëllazërimin

Papa pret anëtarët e Atletikës Vatikanase, të cilët i vlerëson për "dëshminë e rëndësishme të krishterë në botën e sportit". E pa harruar kurrë karakterin e saj amator, në një çast të vështirë si ky, që po jeton njerëzimi, mund të krijojë "marrëdhënie paqësore", sepse i bashkon "njerëzit, pavarësisht nga aftësitë e tyre fizike, ekonomike apo sociale".

R. SH. - Vatikan

“Në çastin veçanërisht të errët historik” që po jeton njerëzimi, sporti mund të jetë urë, e cila i hap rrugën paqes. Këtë shpreson Papa, i cili sot priti anëtarët e Athletica Vaticana, shoqatë zyrtare sportive e Vatikanit, e themeluar pesë vjet më parë, në vitin 2017. Një takim, ky, me Françeskun, i cili, siç theksoi vetë Papa, u mbajt “në ditët e para të vitit 2024, vit Olimpik dhe Paralimpik”.

“Duke menduar për vlerën e ‘armëpushimit olimpik’, shpresoj që, në çastin veçanërisht të errët historik, që po jetojmë, sporti të mund të ndërtojë ura, të thyejë barrierat, të nxisë marrëdhënie paqësore”.

Sporti, mjet i përfshirjes

"Stili plot thjeshtësi", si dhe përkushtimi për të nxitur vëllazërinë, përfshirjen dhe solidaritetin, janë disa nga aspektet e veçanta të Athletica Vaticana, të përshkruara nga Françesku, i cili mbi të gjitha nënvizoi "dëshminë e krishterë në botën e sportit", që e quajti "shprehja kulturore më e përhapur", për sa kohë, siç sqaroi, "mbetet gjithmonë ajo natyrë amatore, që ruan sportin" dhe mëson "vlerën e vëllazërisë":

“Nuk jemi ishuj: në fushë, nuk ka rëndësi origjina, gjuha apo kultura e njeriut. Çka ka rëndësi, është përkushtimi dhe qëllimi i përbashkët. Ky unitet në sport është metaforë e fuqishme për jetën tonë. Na kujton se, pavarësisht nga dallimet, jemi të gjithë anëtarë të së njëjtës familje njerëzore. Sporti ka fuqinë për t’i bashkuar njerëzit, pavarësisht nga aftësitë e tyre fizike, ekonomike apo shoqërore. Është mjet përfshirjeje, që  rrafshon muret e kremton larminë”.

 Mësim për të rinjtë

Sporti, përveçse ka rregulla që duhen respektuar, na mëson të fitojmë përvujtërisht dhe të humbasim me dinjitet, vlera - theksoi - "që duhen jetuar në jetën e përditshme, për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe vëllazërore":

“Sporti na tregon edhe se ne mund t'i përballojmë me durim dhe vendosmëri kufizimet tona. Çdo sportist, përmes disiplinës dhe angazhimit, na mëson se me besim e këmbëngulje mund të arrijmë objektivat, që nuk i kishim menduar kurrë. Ky mesazh shprese dhe guximi është vendimtar, veçanërisht për të rinjtë”.

Shprehje e vlerave të krishtera

Burrat dhe gratë që ushtrojnë Athletica Vaticana, përveç shërbimit ndaj Selisë së Shenjtë, i bashkon edhe "pasionin sportiv, parë si përvojë ungjillizimi", dhe "çastet e lutjes e të shërbimit për më të varfërit". Më pas, një aspekt tjetër i misionit të Athletica Vaticana, theksuar nga Françesku: ishte ai i shprehjes së "afërsisë konkrete me njerëzit më të ligësht", përmes nismave "me të rinjtë me lëndime fizike dhe aftësi të kufizuara intelektuale, me të burgosurit, me emigrantët, me familjet më të varfra".

“Po përsëris fjalën 'afërsi', afërsi që zbutet me sportin. Ashtu si Zoti me ne: Zoti është i afërt dhe i butë, ndaj është edhe i mëshirshëm. 'Afërsi dhe butësi, pra'!”.

 Si përfundim, inkurajimi që Papa i drejton Atletikës Vatikanase është "ta shikojë sportin si rrugë jete", e cila, përveç ndërtimit të "një bashkësie më solidare", mund të çojë përpara "vlerat e jetës së krishterë: besnikërinë, flijimin, përkushtimin, përfshirjen, asketizmin, shpengimin”, pa harruar asnjëherë aspektin amator, “i cili është si lëngu, që i jep jetë veprimtarisë sportive”.

13 janar 2024, 11:27