Françesku: të krishterët të kapërcejnë paragjykimet e të ndërtojnë ura miqësie
R.SH. – Vatikan
Kontakti i drejtpërdrejtë ndërmjet bashkësive, që ndjekin Jezu Krishtin dhe i shërbejnë Kishës së tij, i ndihmon besimtarët ortodoksë, ortodoksë lindorë dhe katolikë në udhën e dialogut e të miqësisë, duke kapërcyer pengesat ekzistuese. Kështu u tha Papa Françesku studentëve të Komitetit Katolik për Bashkëpunimin Kulturor me Kishat Ortodokse dhe Kishat Ortodokse Lindore, pritur në audiencë me rastin e 60-vjetorit të institucionit.
“Ky kontakt i gjallë dhe i drejtpërdrejtë me bashkësi konkrete, në të cilat përjetohet e njëjta dëshirë për të ndjekur të vetmin Mësues, Zotin tonë Jezu Krisht dhe për t'i shërbyer Kishës së tij, i ndihmon jo vetëm studentët ortodoksë dhe ortodoksë lindorë, por edhe ata katolikë, të kapërcejnë paragjykimet, të shembin barrierat dhe të ndërtojnë ura dialogu dhe miqësie”.
Mikpritja dhe respekti vëllazëror
Papa shpreson që puna e Komitetit të kontribuojë në marrëdhëniet më të frytshme ndërmjet të krishterëve, edhe për të mirën e gjithë njerëzimit, “i cili ka nevojë të shohë se po mbijnë fara të reja paqeje dhe uniteti”. Studentëve të shoqëruar nga prefekti i Dikasterit për bashkimin e të krishterëve, kardinali Kurt Koch, Ati i Shenjtë u tregoi se rruga për këtë është të ecin së bashku pas Jezu Krishtit, të frymëzuar nga i njëjti Shpirt i Shenjtë.
“Nëse në bazë është ndarja vëllazërore e kësaj përvoje, besoj se historitë tona të kaluara, të kompromentuara nga gabimet dhe keqkuptimet, nga mëkatet dhe stereotipet, mund të përmirësohen gradualisht, pasi përfshihen në një histori shumë më të madhe, atë të besnikërisë së Krishtit, që "e deshi Kishën dhe e dhuroi vetveten për të" (Ef 5,25).
Komiteti, kujtoi së fundi Papa, duke përmendur Javën e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, që do të mbahet nga 18 deri më 25 janar, u jep mundësinë studentëve ortodoksë të "formohen në institutet akademike katolike" dhe më pas, të kthehen në bashkësitë e tyre për të vënë në dispozicion gjithçka kanë mësuar. Ky është "shërbim konkret dhe i painteres në favor të Kishave motra të Lindjes”, për misionin e përbashkët ndaj Korpit të vetëm të Krishtit.