Kërko

Papa, të rinjve: mos e humbni kurrë lidhjen tuaj me Jezusin

U publikua sot, 22 janar, nga gazeta italiane La Stampa, teksti i plotë i letrës së Papës drejtuar të rinjve e të rejave, titulluar "Fjalëkalimi i gëzimit", në të cilën paraqet një variant të ri të "Youcat", katekizmit të Kishës Katolike krijuar për breznitë e reja. Papa na këshillon t'i bëjmë vetes pyetjen e Shën Albert Hurtados: "Çfarë do të bënte Krishti në vendin tim?"

R.SH. / Vatikan

“Dashuria është arsyeja e parë e ekzistencës së Kishës”. Kështu e fillon Papa Françesku letrën e titulluar “Fjalëkalimi i gëzimit”, botuar më 22 janar nga gazeta italiane La Stampa, drejtuar të rinjve në mbarë botën për të paraqitur Youcat, Katekizmin e Kishës Katolike, krijuar për brezat e rinj. Papa sqaron se dashuria për të cilën flet, është ajo që Zoti Atë ka për çdo qenie njerëzore e që ia zbuloi botës nëpërmjet Jezusit, por se ka edhe një formë tjetër dashurie, për të cilën ai dëshiron të flasë: dashurinë që kemi ne besimtarët, për Jezusin: “Ai është qendra e zemrës sonë. E si mund të mos ndjejmë dashuri të vërtetë ndaj Atij, që na bëri pjestarë të dashurisë së Atit, më e madhja që mund të përfytyrohet? - shkruan Papa. “Besimtari, pra, është gjithmonë i dashuruar me Jezusin. Kështu e kuptojmë arsyen pse mënyra e duhur për t'u bërë i krishterë, është ajo e takimit".

Të jesh i krishterë do të thotë ta takosh Jezusin dhe të biesh në dashuri me Të! Kjo është zemra e jetës së krishterë, sipas Françeskut: takimi me Krishtin dhe rënia në dashuri me Të: "Ne, tashmë të rritur në fe, nuk mund të mos flasim për Jezusin - vazhdon - nuk mund të mos e paraqesim dhe të mos angazhohemi për ta bërë të njohur, për ata që nuk e kanë pasur ende mundësinë".

Një takim, pra, i cili duhet t'u propozohet edhe të rinjve, përmes katekizmit: "Ky është gëzimi i ëmbël i ungjillëzimit - shpjegon Papa - gëzimi që buron nga shtgetimi i dashurisë për Jezusin në mbarë botën". “Epo, ky libër i bukur që keni tani në duar ka lindur pikërisht nga një dashuri e tillë; dashuria për Jezusin, që ne, besimtarët, e mbartim brenda nesh” - saktëson Ati i Shenjtë Françesku. E, duke folur për variantin e ri të Katekizmit, Papa na fton "ta lexojmë me besim këtë libër. Vërtet- thekson - do të guxoja të thosha: duaje këtë libër, sepse është fryt i dashurisë".

Youcat”, një libër që flet për të gjithë ne

Papa Françesku kujton gjithashtu fjalët që Benedikti XVI shkroi në parathënien e botimit të parë të Youcat:

"Ky libër është bindës, sepse na flet për fatin tonë. Prandaj ka të bëjë nga afër me secilin prej nesh - shkruan - për këtë arsye ju lutem: studiojeni katekizmin me pasion dhe këmbëngulje! Flijojeni kohën tuaj për të! Studiojeni në heshtjen e dhomës suaj, lexojeni së bashku; nëse jeni miq, formoni grupe studimi dhe rrjete, shkëmbeni ide në internet. Në çdo rast, vijoni të dialogoni për besimin tuaj!”.

Ftesë, kjo, që Papa Françesku e bën të tijën, duke kujtuar se ne të gjithë kemi nevojë për Jezusin:

"Mos e humbni kurrë lidhjen me Të - vazhdon ai - për të shmangur humbjen e lidhjes me historinë tonë personale dhe me historinë e mbarë njerëzimit".

"Çfarë do të bënte Krishti në vendin tim?"

Papa Françesku e vazhdon letrën e tij drejtuar të rinjve duke zbuluar sekretin për të mos e humbur kurrë lidhjen me Jezusin, e fshehtë e zbuluar tashmë nga Shën Alberto Hurtado,  shenjt me origjinë nga Kili, i cili në çdo situatë, kur duhej të merrte ndonjë vendim a të zgjidhte ndonjë problem gjithmonë pyeste veten se çfarë do të kishte bërë Jezusi në vend të tij, në shkollë, në rrugë, në universitet apo në punë: "Ky është fjalëkalimi për një jetë vërtet të gjallë dhe të gëzueshme - thekson Papa - duke parë dhe duke gjykuar atë që ndodh me ne dhe vendimet, që jemi thirrur të marrim me të njëjtët sy, me të njëjtat ndjenja, me të njëjtin qëndrim që mbajti  Jezusi në mishërim”.

Ruajini qëndrimet e Jezusit në mendjen dhe në zemrën tuaj

Për të arritur këtë objektiv, Papa Françesku këshillon, përveç studimit të zellshëm të Katekizmit, leximit të shpeshtë të faqeve të Ungjillit dhe praktikimit të përditshëm të lutjes, të gjithë elementët që ndihmojnë për t’i "transferuar" qëndrimet e Jezusit në zemrat dhe mendjet, tona "duke na bërë gjithnjë e më të aftë jo vetëm t'i përgjigjemi pyetjes "Çfarë do të bënte Krishti në vendin tim?", por edhe të vendosim e të veprojmë sipas kësaj përgjigjeje" – saktëson  Papa - i cili u uron të rinjve këtë risi të jetës, këtë përkryerje të jetës: “Mos e harro kurrë: Krishti jeton. Ai është shpresa jonë dhe rinia më e bukur e kësaj bote”, përfundon Françesku, duke cituar një fragment nga nxitja apostolike Christus vivit: “Çdo gjë që prek Ai, bëhet e re, bëhet e freskët, mbushet me jetë”.

22 janar 2024, 17:19