Papa Françesku  me Federatën Ndërkombëtare të Universiteteve Katolike (F.I.U.C.) Papa Françesku me Federatën Ndërkombëtare të Universiteteve Katolike (F.I.U.C.)

Françesku, universiteteve katolike: “ta shndërrojmë në kulturë pasurinë e frymëzimit të krishterë”

Papa ia dorëzon fjalimin e përgatitur Federatës Ndërkombëtare të Universiteteve Katolike, që priti sot në audiencë. U kërkon universiteteve të jenë protagoniste në krijimin e kulturës së paqes, të frymëzojnë shtigje jete të vërtetë dhe të përfshihen me Ungjillin në shndërrimin e botës dhe në shërbim të njeriut. Ndihmojeni Kishën të ndërtojë aleanca breznore dhe ndërkulturore, në impenjimin për shtëpinë tonë të përbashkët, shkruan Ati i Shenjtë

R.SH. – Vatikan

“Nuk është fakti, që janë fetare, ai që u jep identitetin universiteteve katolike: është njëri nga aspektet, por jo i vetmi. Ndoshta, është ai humanizëm i qartë, ai humanizëm, që na bën të kuptojmë se njeriu ka vlera, të cilat duhen respektuar: ndoshta, kjo është gjëja më e bukur e më e madhe e universiteteve tuaja”.

Kështu i tha Papa Françesku  Federatës Ndërkombëtare të Universiteteve Katolike (F.I.U.C.), themeluar njëqind vjet më parë dhe bekuar nga Piu XI. 150 përfaqësuesve të saj, të cilët i priti sot në audiencë, në Vatikan, Ati i Shenjtë ua dorëzoi fjalimin e gjatë të përgatitur, pasi ndihej pak i ftohur. Në tekst, Papa nënvizon se në skenarin aktual të kësaj Lufte III Botërore “pjesë-pjesë”, universitetet katolike duhet të jenë “protagoniste në krijimin e kulturës së paqes, në përmasat e saj të shumta, që duhen trajtuar në mënyrë ndërdisiplinore". Duke kujtuar se ka më se dymijë universitete katolike në botë, Ati i Shenjtë i paralajmëron: “Një projekt edukativ nuk bazohet vetëm në programe të përsosura, në mjete efikase, ose në administrimin e mirë të biznesit. Në universitete duhet të pulsojë një pasion më i madh, duhet të shihet puna kërkimore e përbashkët për të vërtetën, horizonti kuptimor dhe gjithçka duhet përjetuar në një bashkësi, që i kushtohet dijes, ku bujaria e dashurisë, si të thuash, preket me dorë".

Nuk mjaftojnë titujt akademikë”

“Mos e humbni oreksin! Ruajeni intensitetin e dashurisë së parë! Universitetet katolike të mos e zëvendësojnë dëshirën me funksionalizëm apo burokraci”, vijon t’i këshillojë Papa anëtarët e delegacionit të Federatës Ndërkombëtare të Universiteteve Katolike. Këtu, fjala “oreks” e përdorur nga Ati i Shenjtë i referohet historianes dhe filozofes Hannah Arendt, e cila studioi në thellësi konceptin e dashurisë tek Shën Agustini, që përshkruhet pikërisht me këtë fjalë, kuptuar si “prirje, dëshirë, tension drejt diçkaje”. “Nuk mjaftojnë titujt akademikë… nuk mjafton krijimi i karrierave konkurrenciale – shkruan Papa – duhet promovuar zbulimi i profesioneve të frytshme, duhen frymëzuar udhë jete të vërtetë, duke e integruar kontributin e secilit në dinamikën krijuese të bashkësisë. Sigurisht, që duhet të mendojmë për inteligjencën artificiale, por edhe për inteligjencën shpirtërore, pa të cilën njeriu mbetet i huaj për vetveten”.

“Frika e mbyt shpirtin”

“Nuk mund t'ia besojmë frikës administrimin e universiteteve tona” kërkon më tej Papa, i cili i këshillon institucionet edukative katolike të mos mbyllen në vetvete, por t’u bëjnë ballë sfidave kulturore dhe realitetit. “Frika – shkruan Françesku – e mbyt shpirtin. Asnjëherë mos e rrethoni universitetin me mure frike. Mos lejoni që universiteti katolik të kufizohet në përsëritjen e mureve tipike të shoqërive ku jetojmë: ato të pabarazisë, të dehumanizimit, të intolerancës dhe të indiferencës”. Një universitet i tillë mund të arrijë edhe nivele prestigjoze, denoncon Ati i Shenjtë, por është thjesht, “dije për hir të dijes e kjo është çnjerëzore”. Gjithmonë duhet të pyesim për çfarë shërben shkenca; ç’potencial transformues kanë njohuritë, që mësohen në universitet dhe kujt i shërbejnë ato. Universiteti nuk është neutral, sipas Papës, e një universitet katolik duhet të bëjë zgjedhje, që pasqyrojnë Ungjillin.

“Dialog për temat e mëdha bashkëkohore”

         “Ndihmojeni Kishën, në këtë çast historik, t’i shndrisë aspiratat më të thella njerëzore me arsyet e inteligjencës dhe të shpresës; - kërkon së fundi Ati i Shenjtë - ndihmojeni Kishën të hyjë pa frikë në dialog për temat e mëdha bashkëkohore”. “Na ndihmoni të shndërrojmë në kulturë, në një gjuhë të hapur për brezat dhe kohët e reja, pasurinë e frymëzimit të krishterë; të identifikojmë kufijtë e rinj të mendimit, shkencës dhe teknologjisë, për t'i banuar ato me ekuilibër dhe urti", përvijon Françesku detyrën më urgjente të universiteteve katolike. "Na ndihmoni të ndërtojmë aleanca ndërbreznore dhe ndërkulturore në kujdesin për shtëpinë e përbashkët, në vizionin e ekologjisë së gjithanshme, që i jep përgjigje të frytshme britmës së tokës dhe britmës së të varfërve”.

19 janar 2024, 12:04