Padre Enzo Fortunato Padre Enzo Fortunato

Atë Fortunato emërohet nga Papa drejtor i komunikimit të Bazilikës së Shën Pjetrit

Françeskani At Fortunato, ish-drejtor i Zyrës së Shtypit të Kuvendit të Shenjtë në Asizi, është emëruar edhe koordinator i Ditës Botërore të Fëmijëve që do të mbahet më 25 dhe 26 maj 2024.

R.SH. - Vatikan

Frati françeskan Atë Enzo Fortunato emërohet nga Papa drejtor i komunikimit të Bazilikës së Shën Pjetrit, kryeprift i së cilës është Kardinali Mauro Gambetti. Do të merret edhe me organizimin e takimit botëror të fëmijëve në Vatikan, planifikuar për majin e ardhshëm.

''Nga zemra e Françeskanizmit, Bazilika e Shën Françeskut - në zemër të Kishës Universale, Bazilika e Shën Pjetrit. Do të doja t’i quaja kështu, në mënyrë simbolike, angazhimet e reja që Papa Françesku m’i beson dhe që do t'i çoj përpara me të njëjtin entuziazëm dhe përkushtim me të cilin jetova përvojën dhe shërbimin në Asizi” - pohon Atë Fortunato - që e shpreh kështu entuziazmin për këtë risi të papritur:

''Falënderoj Atin e Shenjtë për besimin dhe dashurinë, që më tregon, në këtë ditë, në të cilën më kërkon t'i shërbej Kishës duke kryer detyra delikate dhe ta jetoj thirrjen time përmes komunikimit të mesazhit të krishterë. E ndjej peshën e përgjegjësinë, por edhe gëzimin e entuziazmin prej nga do të nisem sërish: nga fëmijët. Më të vegjlit janë pikënisja më e mirë për të filluar, përmes së cilës mund ta prekësh me dorë bukurinë e shoqërimit me fëmijët dhe aftësinë për të parë botën me sy të rinj” -shkruan frati Françeskan.

“I shpreh mirënjohjen Papës Françesku dhe bashkëpunëtorëve të tij. Do të jetoj me të njëjtin shpirt, që jetoja në Asizi, duke ditur se Zoti ruan për secilin prej nesh faqet e  pashkruara të jetës, që do të shkruhen si shërbim. Vitet e Asizit, ishin vite pune intensive, jetuar me entuziazëm dhe duke krijuar sinergji për ta çuar përpara përgjegjësinë, për komunikimin e Bazilikës së Shën Françeskut, në mënyrën më të mirë të mundshme.

Faleminderit Gjeneralit të Fretërve, Atë Carlos Trovarelli, Familjes Françeskane dhe Kujdestarisë së Asizit për redaksinë e Revistës San Francesco dhe për të gjithë ata që bashkëpunuan vitet e fundit për ta bërë Asizin dhe Bazilikën e tij vend dhe pikë referimi për dialogun ndërkombëtar, vëllazërinë dhe kujdesin ndaj krijimit. I shpreh mirënjohjen familjes së madhe Bravagente, me të cilën takohem çdo mbrëmje duke shpallur Ungjillin! Më bën të kuptoj gjithnjë e më shumë vlerat e thjeshtësisë dhe të shpresës. Janë dhe do të jenë erëzat e mira të udhëtimit tim. Kujtoj një shprehje të Shën Palit, që më ka shoqëruar gjithmonë e të cilën dua ta kem edhe sot si yll polar: “Caritas Christi urget nos” – “Dashuria e Krishtit na nxit''- nënvizon në këtë ditë të madhe të jetës së tij Frati françeskan.

19 janar 2024, 15:06