Iran, pikëllimi i thellë i Papës për viktimat e shpërthimeve në Kerman
R. SH. - Vatikan
“Pikëllim i thellë” i Papës Françesku për humbjen e jetëve njerëzore, shkaktuar nga shpërthimet e fundit në Kerman, në Iranin qendro-jugor. Në një telegram, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin, Papa "kujton se lutet për ata që vdiqën dhe për familjet e tyre të pikëlluara". "Duke shprehur edhe solidaritetin shpirtëror me të plagosurit", Françesku - lexojmë në telegram - "kërkon për të gjithë popullin iranian bekimet e urtësisë e të paqes të të Gjithëpushtetshmit".
Masakra
Shpërthimet ndodhën 20 minuta njëri-pas-tjetrit më 3 janar, pranë varrezave Kerman, ku mijëra shtegtarë po shkonin për të përkujtuar përvjetorin e katërt të vdekjes së Qassem Soleimanit, kreut të forcave të Gardës Qods të Revolucionit Iranian, vrarë më 3 janar 2020 në Irak, gjatë një sulmi udhëhequr nga SHBA. Numri, tani për tani, është rreth 100 të vdekur dhe mbi 280 të plagosur. Masakra u mor përsipër nga Shteti i vetëquajtur Islamik i cili, në kanalet e tij Telegram, mori përgjegjësinë për sulmet e dy kamikazeve të tij. Video dhe lajme për një nga pritat më të rënda në historinë e fundit në Iran, u postuan edhe në rrjetet sociale.