Keqardhja e Papës për viktimat e rrëshqitjeve të dheut në Kolumbi
R.SH. – Vatikan
“Thellësisht i pikëlluar” për fatkeqësinë natyrore, që ka prekur rajonin Choco në Kolumbi dhe ka shkaktuar viktima të shumta e dëme materiale. Këtë shpreh Papa Françesku në telegramin pas rrëshqitjeve të dheut të së premtes, të cilat kanë shkaktuar së paku 36 të vdekur dhe 7 të zhdukur.
Drejtuar imzot Mario de Jesús Álvarez Gómez, administrator apostolik i dioqezës së Quibdo, në telegramin e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, Ati i Shenjtë lutet me gjithë shpirt për “për prehjen e amshuar të viktimave". Gjithashtu i kërkon Zotit t’u japë "ngushëllim atyre, që vuajnë në këto çaste dhimbjeje dhe pasigurie", por dëshiron edhe mbështetje për të impenjuarit në kërkimin e të zhdukurve.
“Papa Françesku, - shkruhet në telegram - duke iu lutur Virgjërës Mari të ndërmjetësojë tek Biri i saj Jezu Krisht për gjithë të prekurit nga kjo katastrofë, me dashuri u jep atyre bekimin apostolik ngushëllues, në shenjë të afërsisë së tij shpirtërore”.
Fatkeqësi natyrore kombëtare
Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, i deklaroi rrëshqitjet e dheut në Choco fatkeqësi natyrore për të përshpejtuar transferimin e fondeve në rajon. Ai siguroi se do të përdoren 128 milionë dollarë për përballimin e situatës. Orteku prej dheu mbuloi disa automjete, por numri më i madh i viktimave ndodhi në një shtëpi, ku ishin strehuar rreth njëqind vetë, në pritje të përmirësimit të motit të keq, që të rifillonin sërish udhëtimin e tyre në siguri.