Papa Françesku Papa Françesku

Kremtimet e kryesuara nga Papa në janar e shkurt

Kalendari i takimeve të Atit të Shenjtë u njoftua nga mjeshtri i kremtimeve liturgjike papnore, imzot Diego Ravelli. Takimi i parë, më 21 janar, në Shën Pjetër, me meshën e së Dielës së Fjalës së Zotit

R.SH. – Vatikan

 Janë pesë, kremtimet kryesore të Papës Françesku gjatë janarit e shkurtit, siç njoftoi sot, më 9 janar, kryeipeshkvi Diego Ravelli, mjeshtër i kremtimeve liturgjike papnore. Dy, me një distancë prej katër ditësh nga njëri-tjetri, do të mbahen nga fundi i janarit. Së pari, mesha, që Ati i Shenjtë do ta kryesojë në orën 9.30 të datës 21 janar, në Bazilikën e Vatikanit, me rastin e së Dielës kushtuar Fjalës së Zotit. Pastaj, më 25 janar, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, në orën 17.30, kremtimi i Mbrëmësores së dytë, në solemnitetin e Kthimit të Shën Palit apostull, ngjarje tradicionale ekumenike, që mbyll Javën e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve.

Më 11 shkurt, mesha e kanonizimit

Muaji shkurt, për Papën do të hapet në datën 2, sërish në orën 17.30, me kremtimin eukaristik në Shën Pjetër, me rastin e festës së Paraqitjes së Zotit në Tempull, ditë që mbarë bota katolike ia kushton jetës së shuguruar. Më 11 shkurt, ditë e diel, në orën 9.30, Françesku do të kremtojë meshën, gjatë së cilës do të shpallë shenjte Maria Antonian e Shën Jozefit de Paz y Figueroa, rregulltaren argjentinase, themeluese të Bijave të Shpëtimtarit Hyjnor, të cilën Papa e pati lumnuar në vitin 2016.

Ritet e Krezhmëve

Së fundi, më 14 shkurt, të Mërkurën e Përhime, Ati i Shenjtë do të hapë periudhën e Krezhmëve me ritet tradicionale: në orën 16.30, do të kryesojë “Statio” dhe procesionin pendestar në Kishën e Shën Anselmit e, më pas, do të shkojë në Bazilikën e afërt të Shën Sabinës, në orën 17.00, për kremtimin e meshës, e cila do të përfundojë me bekimin dhe përhimjen e besimtarëve.

09 janar 2024, 13:03