Kërko

Martin Scorsese e Papa Françesku Martin Scorsese e Papa Françesku

Martin Scorsese në audiencën e Papës. Regjisori po përgatit një film mbi Jezu Krishtin

Ndërmjet të pranishmëve në Sallën Pali VI në Vatikan, për audiencën e përgjithshme të Papës Françesku, ishte sot edhe regjisori amerikan Martin Scorsese. Pas suksesit të filmit të tij të fundit “Killers of the flower moon”, regjisori po përgatit një film të bazuar në romanin “Jeta e Jezusit”, botuar në vitin 1973 nga shkrimtari japonez Shasaku Endo. Frymëzimi i erdhi pas një takimi me Papën, vitin e kaluar, si edhe pas pjesëmarrjes së tij në konferencën “Estetika globale e imagjinatës katolike"

R.SH. – Vatikan

Ndërmjet të pranishmëve në Sallën Pali VI në Vatikan, për audiencën e përgjithshme të Papës Françesku, ishte sot edhe regjisori amerikan Martin Scorsese. "Dialogu ndërmjet Martin Scorsese dhe Papës Françesku vazhdon. Dy njerëz gjenialë dhe me përvojë, për të cilët figura e Jezusit ka bukuri dhe vlerë të jashtëzakonshme", komenton në platformën X, Át Antonio Spadaro, zv.sekretar i Dikasterit për Kulturën dhe Edukimin.

Pas suksesit të filmit të tij të fundit “Killers of the flower moon”, regjisori po përgatit një film të bazuar në romanin “Jeta e Jezusit”, botuar në vitin 1973 nga shkrimtari japonez Shasaku Endo, i cili vdiq në vitin 1996, në moshën 73-vjeçare. Nuk është hera e parë, që regjisori i mirënjohur përdor romanet e tij. “Silence” (Heshtja) është tjetër vepër e Shasaku Endo, shkruar më 1966, që u kthye në një film historik nga Martin Scorsese në vitin 2016, me aktorët Andrew Garfield dhe Adam Driver.

Frymëzimi për filmin e ri, kushtuar Krishtit, i erdhi pikërisht pas një takimi me Papën, vitin e kaluar, si edhe pas pjesëmarrjes së tij në konferencën me temë “Estetika globale e imagjinatës katolike”, organizuar në maj nga revista e jezuitëve “La Civiltà Cattolica” në bashkëpunim me Universitetin Georgetown. Në takim morën pjesë rreth dyzet poetë, tregimtarë, skenaristë dhe regjisorë nga e gjithë bota.

Gjithnjë për temën e jetës së Krishtit, kujtojmë se Scorsese pati folur me admirim për filmin e regjisorit italian Pier Paolo Pasolini, “Ungjilli sipas Mateut”, pati saktësuar domethënien, që deshi t’i jepte filmit “Tundimi i fundit i Krishtit”, realizuar prej tij më 1988 dhe pati vënë në dukje hapin tjetër në punën e tij kërkimore mbi figurën e Jezusit gjatë realizimit të filmit “Silence” (Heshtja). Argument, që e ka munduar gjithmonë.

31 janar 2024, 12:52