Papa: Inteligjenca Artificiale nuk mund ta zëvendësojë kurrë urtinë e zemrës së njeriut
R.SH. – Vatikan
Lajme të rreme (fake news) dhe falsifikime të thella (deep fake), echo chambers, machine learning, media sociale. Fjalë të reja, mjete të reja, kanale të reja, mundësi të reja, por njëkohësisht, edhe "patologji" e gracka të reja në fushën e komunikimit, që ka rrezik të kontribuojnë në shtrembërimin e njohurive mbi realitetin, përmes tregimeve të rreme, mesazheve false të postës zanore dhe fotografive false (edhe Papa është vënë në shënjestër), ose përmes zhvlerësimit të rolit të çmuar të reporterëve në terren, veçanërisht në skenarët e luftës. Papa Françesku reflekton mbi Inteligjencën Artificiale (IA) në Mesazhin e tij për Ditën e 58-të Botërore të Komunikimit Shoqëror, që ka për temë pikërisht “Inteligjenca artificiale dhe dija e zemrës: për një komunikim plotësisht njerëzor”. Dokumenti u bë i njohur sot, 24 janar, në festën liturgjike të Shën Françeskut të Sales, pajtor i gazetarëve.
Papa e sheh me admirim, por edhe me shqetësim, zhvillimin e sistemeve, që “po e ndryshojnë rrënjësisht informacionin e komunikimin” dhe “disa prej bazave të bashkëjetesës civile”. Është fjala për një ndryshim, në të cilin përfshihen të gjithë, jo vetëm profesionistët, vëren ai.
Rëndësia e reporterëve
Ati i Shenjtë vë në dukje veçanërisht mënyrën e raportimit të luftërave, si edhe atë “luftë paralele”, që krijohet përmes fushatave dezinformuese. “Sa gazetarë plagosen, ose vdesin në terren për të na lejuar të shohim atë, që kanë parë sytë e tyre”, shkruan Françesku. “Vetëm duke i prekur vuajtjet e fëmijëve, grave dhe burrave, mund ta kuptojmë absurditetin e luftërave”.
“Përdorimi i inteligjencës artificiale – nënvizon Papa - mund të kontribuojë pozitivisht në fushën e komunikimit, nëse nuk e zhduk rolin e gazetarisë në terren, përkundrazi, e mbështet atë; nëse e vlerëson profesionalitetin në komunikim, duke e përgjegjësuar komunikatorin; nëse i kthen çdo qenieje njerëzore rolin e subjektit, me aftësi kritike për vetë komunikimin”.
Rreziku i “fake news”
Françesku fton të mbetemi njerëzorë para këtij ndryshimi kulturor epokal, pa e demonizuar të renë që përparon, por edhe pa e idealizuar atë në këtë kohë, që “ka rrezik të jetë e pasur me teknikë, por e varfër me humanitet”. Dijen, urtinë, mençurinë, nuk mund ta pretendojmë nga makinat, duke i bërë vetëm në dukje më njerëzore, vëren Ati i Shenjtë. Duhet “zgjuar njeriu nga hipnoza, në të cilën bie, për shkak të delirit të gjithëpushtetit, që e bën të besojë se është subjekt krejtësisht autonom, i ndarë nga çdo lidhje shoqërore, duke harruar se kush e ka krijuar”. Kështu, njeriu mendon se është “si Zoti, por pa Zotin”. Prandaj, paralajmëron Papa, sistemet e inteligjencës artificiale mund të ndihmojnë në shkëmbimin e informacionit, por mund të përhapin edhe lajme të rreme, që duken si të vërteta. Françesku përmend sistemin e “deep fake”, pra të krijimit e të përhapjes së imazheve, që duken si të vërteta, por janë të rreme, gjë që i ka ndodhur edhe atij vetë. E njëjta gjë mund të ndodhë me mesazhet zanore, që simulojnë zërin e njerëzve të vërtetë për të thënë gënjeshtra.
Mundësitë e rreziqet e rrjeteve shoqërore
Më pas, në Mesazh, Ati i Shenjtë ndalet në mediat sociale, të cilat, po të bien në duar të gabuara, mund të krijojnë skenarë negativë. “Algoritmet nuk janë neutralë”, nënvizon Papa, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të miratojë një traktat të detyrueshëm për të gjithë, ku të përcaktohen normat për përdorimin etik të Inteligjencës Artificiale. Françesku denoncon përdorimin e të dhënave të mbledhura nga interneti për të krijuar një mendim unik anonim, ose për fitime, që ua mohojnë njerëzve të drejtën për të zgjedhur.
Pyetje themelore
Ati i Shenjtë shtron një sërë pyetjesh themelore mbi profesionalitetin e dinjitetin e punonjësve të komunikimit, por edhe mbi përgjegjësinë e platformave dixhitale për gjithçka përhapin në internet; mbi transparencën e proceseve të informacionit, por edhe mbi autorësinë e shkrimeve, të cilat nuk duhet të mbeten anonime, ose të përhapen pa fund në një proces “kopjo e ngjit”, që bën të humbasë burimi i tyre origjinal. Gjithashtu, kërkon promovimin e një ambienti dixhital, që ruan pluralizmin dhe e bën të dukshëm realitetin me të gjitha ndërlikimet e tij. Dëshiron që ky sistem, i cili është i fuqishëm, por edhe i kushtueshëm e kërkon shumë energji, të bëhet i qëndrueshëm në anët e tij pozitive e të jetë edhe në dispozicion të vendeve më pak të zhvilluara.
Skllavëri të reja apo fitore e lirisë?
Nga përgjigjet, që do t’u jepen këtyre çështjeve, përfundon Papa Françesku, do të kuptohet nëse Inteligjenca Artificiale do të krijojë kasta të reja, që do të manipulojnë informacionin, duke zhvilluar forma të reja shfrytëzimi dhe pabarazie apo "do të sjellë më shumë barazi", duke promovuar korrektësinë e informacionit dhe ndërgjegjësimin më të madh për këtë ndryshim epokal. “Nga njëra anë, duket fantazma e një skllavërie të re, nga ana tjetër, një fitore e re e lirisë; nga njëra anë, mundësia që pak vetë të ndikojnë në mendimin e të gjithëve, nga ana tjetër, mundësia që të gjithë të marrin pjesë në mendimin kolektiv”. Përgjigja varet nga ne: “I takon njeriut të vendosë nëse do të bëhet ushqim për algoritmet, apo do ta ushqejë zemrën e vet me liri”, përfundon Mesazhi i Papës për Ditën e 58-të të Komunikimit Shoqëror.