Ndjeti i lutjes së Papës në janar: për dhuratën e larmisë, pasuri për të krishterët

Papa Françesku bën të ditur ndjetin e lutjes për muajin janar, duke i ftuar të krishterët ta konsiderojnë shumëllojshmërinë e karizmave e të traditave të ndryshme kishtare si pasuri, që i mban të bashkuar rreth Krishtit

R.SH. – Vatikan

“Të lutemi që Shpirti Shenjt të na ndihmojë ta pranojmë dhuratën e karizmave të ndryshme në gjirin e bashkësive të krishtera dhe të zbulojmë pasurinë e traditave të ndryshme rituale brenda Kishës Katolike”.

Me fillimin e vitit të ri, Papa Françesku publikon një video, që tashmë prej kohësh shoqëron ndjetin e tij të lutjes. Në muajin janar 2024, gjatë të cilit të krishterët kremtojnë, nga 18 deri më 25 janar, Javën e Lutjes për Bashkimin e tyre, Ati i Shenjtë i fton t’i shohin larminë dhe ndryshimet ndërmjet tyre si pasuri, pasi pikërisht kjo larmi është mundësi për “t’u gëzuar” së bashku në Krishtin.

Papa vë në dukje se si ndryshimet, ashtu edhe uniteti, kanë qenë të pranishme që në bashkësitë e hershme të krishtera, duke shtuar se tensioni i shkaktuar nga dallimet, gjithnjë, "duhej të zgjidhej në një nivel më të lartë".

Dhuratë e Zotit për Kishën

Larmia në Kishë, pohon Papa, përfshin edhe vëllezërit dhe motrat tona të traditave të ndryshme të krishtera.

“Për të ecur përpara në rrugëtimin e fesë, kemi nevojë edhe për dialogun ekumenik me vëllezërit dhe motrat tona të besimeve dhe të bashkësive të tjera të krishtera”, nënvizon Françesku në video. “Kjo nuk është diçka konfuze apo shqetësuese, por është dhuratë, që Zoti ia jep bashkësisë së krishterë, në mënyrë që ajo të zhvillohet si një korp i vetëm, si Korpi i Krishtit”.

Ati i Shenjtë jep më pas,  shembullin e shumëllojshmërisë së riteve në Kishat Lindore, që janë në bashkim me Romën.

"Ato kanë traditat e tyre, ritet e tyre karakteristike liturgjike, megjithatë e ruajnë unitetin e fesë," thekson Papa. "E përforcojnë atë, nuk ndahen".

Të bashkuar nga Shpirti Shenjt

Në përfundim, Françesku kujton se uniteti i krishterë është dhuratë e Shpirtit Shenjt.

"Nëse udhëhiqemi nga Shpirti Shenjt, begatia, shumëllojshmëria dhe larmia nuk shkaktojnë kurrë konflikt", vëren ai. “Shpirti Shenjt na kujton para së gjithash se jemi bij të dashur nga Zoti – të gjithë të barabartë para dashurisë së Hyjit dhe të gjithë të ndryshëm”.

Kryqi si simbol i unitetit të krishterë në larmi

Rrjeti Botëror i Lutjes së Papës, i cili prodhon çdo muaj videon e ndjetit, në një deklaratë për shtyp, shpjegon lutjen e janarit të Atit të Shenjtë.

Në të vihet në dukje se Kryqi është filli që përshkon videon e këtij muaji, ku ai shihet si simbol i unitetit të të krishterëve, por edhe i larmisë së tyre.

“Kryqi – thuhet në deklaratë - është shumë më tepër se objekt përkushtimi”. “Ai është misteri i dashurisë, nën të cilin qëndrojnë të gjithë të krishterët, pavarësisht nga emërtimi, tradita dhe riti i tyre”.

02 janar 2024, 16:01