Ndjeti i shkurtit: Papa kërkon të lutemi e të kujdesemi për të sëmurët e pashërueshëm

Videoja e lutjes së Papës, për muajin shkurt, në të cilin Kisha Katolike kremton Ditën Botërore të të Sëmurëve, bën thirrje që të sëmurët pa shërim “të kenë gjithmonë kujdesin dhe shoqërimin e duhur, si nga pikëpamja shëndetësore ashtu edhe nga ajo njerëzore”. Ati i Shenjtë nënvizon edhe rolin themelor të familjeve, të cilat “nuk mund të lihen vetëm”

R.SH. – Vatikan

“Të lutemi që të sëmurët në fazën përfundimtare të jetës dhe familjet e tyre të kenë gjithmonë kujdesin dhe shoqërimin e nevojshëm, si nga pikëpamja shëndetësore ashtu edhe nga ajo njerëzore”.

Në edicionin e shkurtit të Videos së Papës, Ati i Shenjtë Françesku kërkon lutje dhe impenjim për pacientët me sëmundje të pashërueshme, si edhe për familjet e tyre. Ndjeti i tij i lutjes u propozohet të krishterëve të mbarë botës pikërisht në muajin, gjatë të cilit Kisha Katolike kremton Ditën Botërore të të Sëmurëve, themeluar nga Papa shenjt Gjon Pali II në vitin 1992, më 11 shkurt, në përkujtimin liturgjik të Zojës së Lurdës. Françesku vëren se “ka dy fjalë që disa, kur flasin për sëmundje të pashërueshme, i ngatërrojnë: të pashërueshme dhe të pakureshme. Nuk janë e njëjta gjë”. “Shërimi, nëse është i mundur, kura, gjithmonë”, pohon Françesku, duke cituar Gjon Palin II, në videomesazhin që ai i drejton çdo besimtari përmes Rrjetit Global të Lutjeve të Papës.

Shërimi dhe kujdesi

Në video shihet një çift, që shikon detin: djali përqafon vajzën e mbetur pa flokë, për shkak të kimioterapisë. Pastaj, duket një vajzë e vogël, pranë shtratit të gjyshit në spital. E më tej, një burrë pranë shtratit të të atit, me një Bibël në prehër dhe një rruzare në duar; një infermiere, që shoqëron në kopsht pacientin, i cili nuk mund të ecë më; një mjek, që i shpjegon një familjeje rrugën e vështirë, që duhet të ndërmarrë së bashku me të afërmin e tyre.

Në varësi të mënyrës se si i shikojmë, pamjet e videos së Papës na tregojnë një sërë dështimesh, ose suksesesh: dështime, nëse i vetmi rezultat i pranueshëm është shërimi; suksese, nëse objektivi është kujdesi. Shërimi dhe kura duken sinonime, por nuk janë. Françesku e shpjegon qartë: edhe kur ka pak mundësi shërimi, “të gjithë pacientët kanë të drejtën e shoqërimit mjekësor, të shoqërimit psikologjik, të shoqërimit shpirtëror dhe njerëzor”. E, vijon: “Shërimi nuk arrihet gjithmonë. Por, gjithmonë, mund të kujdesemi për të sëmurët, t’i përkëdhelim ata”.

Pacientët, familjet dhe kujdesi paliativ

Në kulturën aktuale të hedhurinave, sipas Papës, nuk ka vend për të sëmurët e pashërueshëm. Jo rastësisht, në dekadat e fundit, gjithnjë e më shumë vende tundohen nga ligjërimi i eutanazisë. Françesku na fton ta shikojmë të sëmurin me dashuri - për të kuptuar, për shembull, se kontakti fizik mund t'u japë shumë edhe atyre, që nuk janë më në gjendje të flasin dhe duket sikur nuk i njohin më anëtarët e familjes. Të gjithë duhen shoqëruar në mënyrën më të mirë të mundshme, për aq kohë sa kanë nevojë.

Nuk është fjala për t’i zgjatur vuajtjet më kot: përkundrazi, Papa ngul këmbë në rëndësinë e kujdesit paliativ dhe në rëndësinë e familjes, e cila - siç shkroi Kongregata për Doktrinën e Fesë në vitin 2020, në letrën “Samaritanus bonus” - "i qëndron pranë pacientit dhe i dëshmon vlerën e tij unike dhe të papërsëritshme".

Përsa i përket kurave paliative, Françesku rithekson se “ato i garantojnë pacientit jo vetëm ndihmë mjekësore, por edhe shoqërim njerëzor”. Për familjet, Papa nënvizon se “nuk mund të lihen vetëm në këto momente të vështira”, sepse “roli i tyre është vendimtar. Atyre u duhen siguruar mjetet e duhura për të ofruar mbështetje fizike, shpirtërore dhe shoqërore”.

Së fundi, Papa kërkon lutjen dhe impenjimin e të gjithëve, që “të sëmurët në fazën përfundimtare të jetës dhe familjet e tyre të kenë gjithmonë kujdesin dhe shoqërimin e nevojshëm”, sipas shembullit të Samaritanit të Mirë në Ungjill. E ky është ndjeti i Françeskut për muajin shkurt.

30 janar 2024, 16:03