Kërko

Papa, bashkimi me ortodoksët, jo vetëm i mundshëm, por edhe urgjent

Një ditë pas mbylljes së Javës së Lutjes për Unitetin e të Krishterëve, Papa priti në Vatikan anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar të Përzier për dialogun teologjik midis Kishës Katolike e Kishave Ortodokse Lindore. Takimi qe një rast për të theksuar edhe një herë rëndësinë e vazhdimit të rrugës drejt unitetit më të plotë ndërmjet të krishterëve përmes dialogut të bamirësisë, dialogut të së vërtetës dhe dialogut të jetës. Këto janë tri mënyra të pandashme për të ecur në rrugën ekumenike

R.SH. - Vatikan

Papa, duke pritur sot paradite në audiencë në Vatikan anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar të Përzier për dialogun teologjik ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishave Ortodokse Lindore dhe pjesëmarrësit në vizitën vjetore studimore të priftërinjve dhe murgjërve të rinj të Ortodoksëve Lindorë, shprehu bindjen se bashkimi i plotë i Kishave tona është jo vetëm i mundur, por edhe urgjent.

Kështu, një ditë pas mbylljes së Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, sot në audiencë me anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar të Përzier për dialogun teologjik midis Kishës Katolike e Kishave Ortodokse Lindore, Papa theksoi edhe një herë rëndësinë e vazhdimit të udhës drejt unitetit më të plotë ndërmjet të krishterëve përmes tre dialogëve të bamirësisë, së vërtetës dhe jetës.

Jam i bindur se “dialogu i bamirësisë” nuk duhet kuptuar vetëm si  përgatitje për “dialogun e së vërtetës”, por si “teologji në veprim”, e aftë të hapë këndvështrime të reja në rrugëtimin e Kishave tona. Këtë theksoi Papa sot, duke pritur në audiencë, në Vatikan, anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar të Përzier për dialogun teologjik ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishave Ortodokse Lindore si dhe pjesëmarrësit në vizitën vjetore studimore të priftërinjve dhe murgjërve të rinj të Kishave Ortodokse Lindore.

Në një kohë kur, për hir të Zotit, marrëdhëniet ndërmjet nesh po bëhen gjithnjë më të shpeshta, më duket gjë e bukur të rilexoj strukturën tonë të marrëdhënieve duke zhvilluar ‘teologjinë e dialogut në bamirësi’”- nënvizoi Papa:

"Dialogu i bamirësisë, dialogu i së vërtetës, dialogu i jetës - vazhdoi Papa - janë tri mënyra të pandashme për të ecur në rrugën ekumenike, që Komisioni juaj e promovon prej njëzet vjetësh".

"Njëzet: është mosha e rinisë, ajo, në të cilën bëhen zgjedhje vendimtare - nënvizoi më pas. Duke përfunduar me urimin:

Qoftë, atëherë, ky përvjetor mundësi që ta lavdërojmë Zotin për udhëtimin e kryer, duke kujtuar me mirënjohje ata, të cilët kontribuan për të, përmes aftësive të tyre teologjike dhe lutjes - dhe që mund të përtërijë bindjen se bashkimi i plotë i Kishave tona është jo vetëm i mundur, por edhe urgjent e i nevojshëm 'që bota të besojë'”

26 janar 2024, 12:31