Kërko

Papa: dashuria e vërtetë nuk rrëmbehet, dhurohet. Duhet ta mbrojmë dashurinë

Flligështia është vesi për të cilin Papa Françesku tërhoqi sot vëmendjen e besimtarëve të mbledhur në Sallën e Palit VI për audiencën e përgjithshme të kësaj së mërkureje. Katekizmi ishte vijim i ciklit kushtuar veseve dhe virtyteve. Krishterimi nuk e dënon instinktin seksual, as dashurinë "një nga ndjenjat më mahnitëse të jetës", por seksualitetin që, nëse nuk bën pjesë në marrëdhënie, është prangë. "Të duash do të thotë ta respektosh tjetrin, flligështia rrëmben e konsumon gjakftohtësisht”

R.SH. / Vatikan

Ky është vullneti i Hyjit, shenjtërimi juaj: që të ruheni nga fëlligështia e që secili të dijë të jetojë me gruan e vet në shenjtëri e respekt  dhe jo në prirje të ulëta porsi paganët, që nuk e njohin Hyjin”(1 Ts 4,3-5)”.

Pasi reflektoi, të mërkurën e kaluar, për vesin e grykësisë, në katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur paradite në Vatikan, Papa Françesku foli për një ves tjetër “gjithmonë të strukur pas portës së zemrës”: atë të epshit. Papa shpjegoi ndryshimin dhe saktësoi:

“Ndërsa grykësia është ves i njerëzve që hanë e nuk ngopen kurrë, vesi i dytë është një lloj "pangopësie" për një person tjetër, domethënë lidhje e helmët e njerëzve me njëri-tjetrin, veçanërisht në sferën e seksualitetit. Duhet pasur mirë parasysh: krishterimi nuk e dënon instinktin seksual, nuk ka dënim. Libri i Biblës titulluar ‘Kënga e Këngëve’, është poezi e mrekullueshme dashurie  e dy të rinjve të fejuar”.

Dashuria është një nga ndjenjat më fisnike

Papa Françesku e quan dashurinë "përvojë tronditëse në jetën e njerëzve" e edhe "një nga realitetet më befasuese të ekzistencës". Pse është kaq në qendër të jetës së njeriut ‘askush prej nesh nuk e di’- pohon Ati i Shenjtë - "një njeri bie në dashuri me një tjetër, bie në dashuri" dhe përshkruan forcën dhe bukurinë e dashurisë:

Nëse nuk ndotet nga vesi, dashuria është një nga ndjenjat më të pastra e fisnike. I dashuruari bëhet bujar, kënaqet duke dhënë dhurata, shkruan letra dhe poezi përplot me ndjesi fisnike. Nuk kujdeset më vetëm për veten, por për t’iu kushtuar i tëri të tjerëve. E kjo është mrekullisht e bukur. Dhe nëse e pyet një të dashuruar "pse dashuron", ai nuk do të jetë në gjendje të përgjigjet, sepse dashuria është e pakushtëzuar, pa asnjë arsye".

Epshi shkatërron marrëdhëniet mes njerëzve

Ky realitet, që ndonjëherë të duket paksa naiv, sepse synon ta idealizojë tjetrin, "nuk është i sigurt nga sulmi i së keqes" e mund të shkatërrohet nga epshi - vërejti Papa - ves "veçanërisht i urryer, të paktën për dy arsye": sepse "shkatërron marrëdhëniet mes njerëzve" dhe mjafton të ndjekësh lajmet e përditshme, për të parë sa shumë dashuri kthehen në marrëdhënie helmuese. Janë dashuri - nënvizoi Papa - të cilave u mungon dlirësia – për të saktësuar më pas se dashuria e dlirë "nuk duhet ngatërruar me abstinencën seksuale - dlirësia është përtej abstinencës seksuale - por me vullnetin për të mos e shtënë kurrë në dorë tjetrin".

Të duash do të thotë ta respektosh tjetrin, të kërkosh lumturinë e tij, të kultivosh empati për ndjenjat e tij, të njohësh një trup, një psikologji dhe një shpirt që nuk janë tonët dhe që duhen kundruar për bukurinë e tjetrit. Kësaj i thonë dashuri, e dashuria është e bukur. Ndërsa epshi, nga ana tjetër, tallet me të gjitha këto: epshi grabit, rrëmben me nxitim, nuk dëshiron ta dëgjojë tjetrin por vetëm të ngopë nevojat dhe kënaqësitë e veta.

Pornografia mund të krijojë forma të varësisë

Epshi është ves i rrezikshëm - vazhdoi Papa Françesku - sepse seksualiteti i përfshin të gjitha shqisat, trupin dhe psikikën. E më pas paralajmëron se po të mos jetë marrëdhënie “shndërrohet në pranga” e ia grabit tjetrit lirinë. Kështu është pornografia: përmbushje e kënaqësisë seksuale "pa  marrëdhënie, që mund të krijojnë forma të varësisë". "Duhet ta mbrojmë dashurinë, dashurinë e zemrës, të mendjes, të trupit, dashurinë e pastër duke iu dhuruar njëri-tjetrit. Kjo është bukuria e marrëdhënies seksuale"- shton Papa duke folur lirisht. E nëse lufta kundër vesit të epshit mund të zgjasë përjetësisht, shpërblimi "do të jetë më i rëndësishmi nga të gjithë":

…sepse ka të bëjë me ruajtjen e asaj bukurie, që Zoti shkroi në krijim, kur përfytyroi dashurinë e burrit me gruan jo si përdorim i njëri-tjetrit, por si dashuri e njërit për tjetrin. Atë bukuri që na bën të besojmë se krijimi i një historie së bashku, është më i mirë se gjahu për aventura, e mbrojtja e dashurisë, më e mirë sesa gjunjëzimi para demonit të zotërimit - dashuria e vërtetë nuk zotëron, dhurohet - të shërbesh është më mirë se të pushtosh!”.

17 janar 2024, 12:04

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >