Papa: Jezusi është me ne në luftën ngulmuese të së mirës me të keqen

Edhe jeta e të krishterit është plot me sfida dhe prova, por jo të pakapërcyeshme! Mund t’i kapërcesh tundimet dhe të ecësh drejt shenjtërisë. Papa ia kushtoi reflektimin e audiencës së përgjithshme temës së "luftës shpirtërore", e gjithëpranishme në shpirtin e secilit prej nesh. Duhet të pranojmë se jemi mëkatarë, ashtu si është e rëndësishme të kujtojmë se Jezusi "e jetoi, çka edhe ne duhet të jemi gjithmonë gati për ta përballuar" dhe na tregon "mëshirën e pafundme të Hyjit Atë"

R.SH. - Vatikan

“Lufta shpirtërore” titullohet katekizmi i audiencës së përgjithshme të kësaj së mërkureje, i pari i këtij viti të ri, mbajtur në Sallën Pali VI, e i dyti i ciklit të ri të katekizmit kushtuar temës të veseve e virtyteve. Ka të bëjë me çdo të krishterë - kujtoi Papa Françesku - sepse jeta shpirtërore "nuk është paqësore, pa trazira e pa sfida. Përkundrazi, është luftë e vazhdueshme". Gjatë Pagëzimit, vajosja pa aromë e katekumenit tregon pikërisht se "të krishterit nuk i kursehet lufta" dhe se "do të duhet të hyjë në arenë". Në lashtësi, trupi i luftëtarëve vajosej - vëren Papa. Sepse për ta niste prova. Gjë që na kujton se edhe vetë jeta është varg sprovash:

“Shenjtorët nuk janë njerëz, të cilëve iu kursye tundimi, por njerëz që e dinin mirë se joshjet e së keqes duken vazhdimisht në jetë, për t'u demaskuar dhe për t'u flakur tutje”.

E rrezikshme, të ndjehesh "mirë"

Në vijim të audiencës së përgjithshme Papa nënvizoi se ata që ndihen "në rregull", rrezikohen të mos jenë më në gjendje ta dallojnë të mirën nga e keqja dhe citon një shprehje të mistikut dhe ipeshkvit të krishterë sirian lindor, Isakut të Ninivës, sipas të cilit "në Kishë kush i pranon mëkatet e veta dhe vajton për ta, është më i madh se ai që ringjall të vdekurit." Më pas Françesku vëren:

“Të gjithë duhet t'i kërkojmë Zotit hirin për ta njohur veten mëkatarë të varfër, nevojtarë për kthesë, duke ruajtur në zemrat tona besimin se asnjë mëkat nuk është shumë i madh për mëshirën e pafundme të Hyjit Atë”.

E kujton:

 “Atëherë Jezusi erdhi nga Galilea në Jordan te Gjoni, që të pagëzohej prej tij. Por Gjoni donte ta pengonte, duke i thënë: ‘Jam unë ai, që duhet të pagëzohem nga ti, e ti vjen tek unë?".

Krishti është pranë nesh

Mëshira është mësimi i parë që na jep Jezusi - pohon Papa Françesku - Duke iu nënshtruar ritit të pastrimit të kryer nga Gjon Pagëzuesi, na kujton se ai është Mesi i ndryshëm nga mënyra si përfytyrohej  prej njerëzve:

“Ai nuk mishëron Zotin e zemëruar dhe nuk kërkon gjykim, por, përkundrazi, rreshtohet me mëkatarët, si të gjithë ne dhe me të gjithë ne, që askush të mos ketë frikë prej Tij”.

Prova e tundimit në shkretëtirë

Edhe Jezusi tundohet nga Shejtani në shkretëtirë - nënvizon Papa - e kështu tregon solidaritetin e tij me ne dhe me ligëshitë tona njerëzore:

“Ai provoi çka edhe ne duhet të përgatitemi ta përballojmë gjithnjë: jeta përbëhet nga sfida, sprova, udhëkryqe, vizione të kundërta, joshje të fshehura, zëra kontradiktore”.

Mund t'ia hapësh zemrën Zotit dhe të ecësh drejt shenjtërisë

Është e rëndësishme, vazhdoi Papa, të kuptojmë se "jemi gjithmonë ndërmjet ekstremeve të kundërta": ndërmjet krenarisë dhe përvujtërisë, urrejtjes dhe dashurisë, por edhe se është e mundur, përmes luftës shpirtërore, të njohim veset tona dhe të shkojmë drejt virtyteve:

“Të krishterët ecin vazhdimisht mbi këto kreshta. Prandaj është e rëndësishme të reflektojmë për veset dhe virtytet: kjo na ndihmon ta kapërcejmë kulturën nihiliste në të cilën kufijtë ndërmjet së mirës dhe së keqes mbeten të paqarta dhe, njëkohësisht, na kujton se njeriu, ndryshe nga çdo krijesë tjetër, mund ta tejkalojë vetveten, duke ia hapur zemrën Zotit e duke ecur drejt shenjtërisë”.

03 janar 2024, 11:30

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >