Papa: kujtimi i përqafimit të Palit VI me Athenagorën na nxit të punojmë për paqen

Pas lutjes së Engjëllit tëZotit, në ditën e Dëftimit të Zotit, Papa Françesku kujtoi 60-vjetorin e "gjestit historik të vëllazërimit në Jerusalem", por edhe konfliktet e përgjakshme në Palestinë, Izrael, Ukrainë dhe vende të tjera, në mbarë botën. Ngushëllime për sulmin në Iran dhe përshëndetje për "fëmijët misionarë", ditën që u kushtohet”

R. SH. - Vatikan

Duke ndjekur shembullin e përqafimit vëllazëror të Palit VI me Patriarkun Ekumenik Athenagora më 5 janar 1954, në Jeruzalem - gjest që shënoi një pikë kthese në marrëdhëniet e katolikëve me ortodoksët pas një mijëvjeçari shkishërimesh të ndërsjella - të lutemi për paqen në botë.  Papa Françesku, në përshëndetjet e tij pas Engjëllit të Zotit, rikujton takimin që hapi një kapitull të ri historik në rrugën e ekumenizmit, për të kujtuar vëllazërinë ndërmjet popujve të sotëm, kur urrejtja dhe armët po shkatërrojnë jetë në të katër anët e planetit:

“Gjashtëdhjetë vjet më parë, pikërisht në këto ditë, Papa Shën Pali VI dhe Patriarku Ekumenik Athenagora u takuan në Jerusalem, duke shembur  murin e pakomunikueshmërisë që për shekuj i mbante të ndarë katolikët dhe ortodoksët. Të mësojmë nga përqafimi i atyre dy të mëdhenjve të Kishës në rrugën e unitetit të krishterë, duke u lutur së bashku, duke ecur së bashku, duke punuar së bashku. E duke menduar për atë gjest historik vëllazërimi në Jerusalem, të lutemi për paqen, paqen në Lindjen e Mesme, në Palestinë, në Izrael, në Ukrainë, në mbarë botën. Tepër viktima të luftërave, tepër vdekje, tepër shkatërrime... Të lutemi për paqen”.

Afërsia me Iranin

Papa Bergoglio kujtoi dhunën e tmerrshme që goditi Iranin më 3 janar, e edhe shpërthimet që shkaktuan mbi njëqind të vdekur në qytetin e Kermanit:

“I shpreh afërsinë time popullit iranian, në veçanti familjeve të viktimave të shumta të sulmit terrorist që ndodhi në Kerman, të plagosurve të shumtë dhe të gjithë atyre që u prekën nga kjo dhimbje e madhe”.

Dita e Fëmijërisë Misionare

Papa Françesku përfundoi duke kujtuar se Dita e Fëmijërisë Misionare festohet edhe në ditën e Epifanisë - Dëftimit të Zotit - dhe u drejtoi përshëndetjen e tij të gjithë “fëmijëve dhe të rinjve misionarë në mbarë botën”, duke i falënderuar mbi të gjitha për “përkushtimin e tyre në lutje, mbështetjen konkrete për shpalljen e Ungjillit e, veçanërisht, për promovimin e fëmijëve në tokat e misionit”.

06 janar 2024, 13:33