Kërko

 Papa Françesku në audiencën e përgjithshme, në Sallën Pali VI Papa Françesku në audiencën e përgjithshme, në Sallën Pali VI  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Papa kujton popujt viktima të konflikteve: lufta është marrëzi e disfatë

Nga Salla e Palit VI, në audiencën e përgjithshme, jehoi lutja e Papës për vatrat e shkatërrimit nga lufta e armatosur në botë. Në veçanti Ati i Shenjtë kujtoi Palestinën, Izraelin, Ukrainën. Pa harruar as Rohingya-t, që vijojnë të persekutohen. E akoma, një mendim për viktimat e tërmetit dhe të përplasjes ajrore në Japoni.

R. SH. - Vatikan

“Të mos i harrojmë njerëzit, që janë në luftë. Lufta është çmenduri. Lufta është gjithnjë disfatë, gjithmonë humbje”. Fjalët e Papës Françesku në audiencën e parë të përgjithshme të vitit 2024, në Sallën Pali VI,  vazhdojnë të jehojnë me tonin e lutjes për dhuratën e paqes.

Thirrja e Papës për njerëzit në luftë e persekutim

Në fund të katekizmit të audiencës së përgjithshme, Papa ftoi veçanërisht  për lutje, që të marrë fund drama në Lindjen e Mesme dhe në zemër të Evropës. Kujtoi edhe një popullatë, për të cilën ka folur jo pak herë:

“Lutemi për njerëzit në Palestinë, Izrael, Ukrainë dhe në shumë vende të tjera, ku ka luftë. E, të mos i harrojmë vëllezërit tanë Rohingya, që vijojnë të persekutohen”.

Kërkoni zemër të ndjeshme për të varfrit dhe refugjatët

Në përshëndetjen e shtegtarëve polakë, Papa ftoi për t'iu lutur Zotit, "që të na dhurojë zemër të ndjeshme ndaj nevojave të të varfërve, refugjatëve dhe viktimave të luftës. Me ndërmjetësimin e Marisë - shtoi - i lypi Zotit dhuratën e paqes dhe ju bekoj nga thellësia e zemrës!”. Më pas, duke u drejtuar një përshëndetje të përzemërt edhe kandidatëve për krezmim dhe adoleshentëve të dioqezës latine, i nxiti që, ashtu si Maria, ta meditojnë dhe ta ndjekin Fjalën, që u bë njeri në Betlehem, "për ta përhapur - theksoi - ndërmjet miqve dhe shokëve  mesazhin e mirësisë dhe të paqes”.

Françesku u foli përsëri për paqen besimtarëve arabishtfolës. I ftoi që, me fillimin e vitit të ri, të "vijojnë lutjet dhe pendesët" për "të gjetur paqen dhe gëzimin që dëshiron Zoti për ne.  Zoti ju bekoftë të gjithëve - përfundoi - dhe ju ruajtë "gjithmonë nga çdo e keqe!".

Lutje për viktimat e Japonisë

Në përshëndetjet drejtuar shtegtarëve anglishtfolës, Papa u lut edhe për viktimat e forcat e ndihmës pas tërmetit në Japoni, duke i përshëndetur veçanërisht edhe ata, që po punojnë për të përballuar dëmet dhe vdekjet e shkaktuara nga përplasja e avionit gjithnjë në vendin aziatik, në Tokio. Numri i atyre që humbën jetën nga tërmeti i Vitit të Ri ka arritur në 64 vetë, por situata është jashtëzakonisht e pasigurt, pasi disa lëkundje të tjera vijojnë të tronditin tokën në këtë zonë.

Lëkundja, e regjistruar në orën 10.54 me orën lokale (2.54 në Itali) në rajonin Noto, në prefekturën Ishikawa, në një thellësi prej 10 kilometrash, ishte me magnitudë 5.5. Nuk ka asnjë paralajmërim për cunami. "Pothuajse asnjë nga shtëpitë nuk është në këmbë. Janë shkatërruar pjesërisht ose tërësisht"- pohon Masuhiro Izumiya, kryebashkiak i qytetit të Suzu, i cili pësoi dëme të mëdha.

03 janar 2024, 12:29