Papa: lirimi i pakushtëzuar i pengjeve në Kolumbi është detyrë
R. SH. - Vatikan
Një lutje "për lirimin pa kushte të të gjithë njerëzve të rrëmbyer aktualisht në Kolumbi". Papa e kërkoi nga dritarja e Pallatit Apostolik, në përfundim të Lutjes së Engjëllit:
“Ky gjest, që është detyrë para Zotit, do të nxisë edhe një atmosferë pajtimi e paqeje në vend”.
Françesku ngre edhe një herë zërin në thirrjen për paqe, duke menduar për "Ukrainën, Izraelin, Palestinën dhe gjithë botën".
Më pas shpreh afërsinë e tij me Republikën Demokratike të Kongos për përmbytjet e shkaktuara nga shirat e dendura, të cilat javën e kaluar shkaktuan të paktën 300 vdekje dhe shembjen e 43,750 shtëpive, sipas të dhënave zyrtare. Ndjehet një alarm i lartë në vend, pasojë e rreziqeve epidemike të lidhura me mungesën e kanalizimeve dhe ujit të pastër.
Françesku u shprehu urimet më të mira edhe bashkësive kishtare të Lindjes, që ndjekin kalendarin Julian dhe sot "festojnë Krishtlindjen e Shenjtë në frymën e vëllazërisë së gëzueshme":
“Shpresoj që lindja e Zotit Jezus të na mbushë me dritë, dashuri dhe paqe”.
Ndërsa i ka ende para sysh të porsalindurit e pagëzuar këtë mëngjes në Kapelën Sistine, ipeshkvi i Romës lutet "për të gjithë fëmijët që marrin Pagëzimin e shenjtë në këto ditë".