Kërko

Një raketë ruse e lëshuar në Kharkiv, Ukrainë Një raketë ruse e lëshuar në Kharkiv, Ukrainë  (AFP or licensors)

Françesku: lufta është mohimi i humanizmit, kërkoj t'u jepet fund konflikteve

Papa kujtoi Ditën kushtuar viktimave të Holokaustit, më 27 janarin e ardhshëm. “Të mos harrojmë se logjika e urrejtjes dhe e dhunës nuk mund të përligjen kurrë”- nënvizoi - ndërsa vijon të lutet për paqen në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë: "Lutem për viktimat dhe të dashurit e tyre dhe u kërkoj atyre që kanë përgjegjësi politike, ta mbrojnë jetën njerëzore duke u dhënë fund luftërave".

R. SH. - Vatikan

"Vetë lufta është mohim i dashurisë për njeriun, mohim i njerëzimit". Këtë e përsëriti dy herë Papa Françesku, i cili në fund të audiencës së sotme të përgjithshme iu drejtua me këto fjalë shtegtarëve italishtfolës. Reflektim, që nisi nga nënvizimi i njoftimit se të shtunën e ardhshme, më 27 janar, do të kremtohet Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit:

Kujtimi dhe dënimi i asaj shfarosjeje të tmerrshme të miliona hebrenjve dhe njerëzve të besimeve të tjera, që ndodhi në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, i ndihmoftë të gjithë të mos harrojnë se logjika e urrejtjes dhe e dhunës nuk mund të justifikohet kurrë, sepse mohojnë vetë humanizmin tonë”.

Dënim i bombardimeve që godasin civilët në Ukrainë

Mendimi i Papës Françesku shkoi pastaj në vendet e botës, ku lufta po shkatërron jetën e popullsive, si në Lindje të Mesme, Palestinë dhe Izrael. “Mendoj për lajmet shqetësuese që vijnë nga Ukraina e martirizuar”, shtoi Papa gjatë audiencës së përgjithshme, duke  kujtuar bastisjet e dënuara nga OKB-ja, që goditën Kievin, Kharkivin dhe qytete të tjera të Ukrainës, duke shkaktuar të paktën pesë të vdekur dhe dhjetëra të plagosur. Shprehu, më pas, dhimbjen "për bombardimet që - kujton me trishtim të thellë - goditën vendet e frekuentuara nga civilët, duke mbjellë vdekje, shkatërrim dhe vuajtje".

Lufta është gjithmonë humbje, kurrë fitore!

Të mos lodhemi duke u lutur për paqen, për përfundimin e konflikteve, për ndalimin e armëve dhe për të ndihmuar popullatat e rraskapitura” - bëri përsëri thirrje Papa, duke kujtuar viktimat dhe të dashurit e tyre e duke iu lutur të gjithëve, veçanërisht atyre që kanë përgjegjësi politike, të ruajnë jetën njerëzore, duke u dhënë fund luftërave:

Të mos harrojmë: lufta është gjithmonë disfatë, gjithmonë. ‘Dalin fitues’ – në thonjëza - vetëm fabrikuesit e armëve”.

24 janar 2024, 12:42