Mjekimi i të sëmurëve në Pakistan Mjekimi i të sëmurëve në Pakistan  (AFP or licensors)

Papa: lufta është sëmundja më e keqe shoqërore, pasojat janë të ligshtit

“Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm”, titullohet mesazhi i Ditës XXXII Botërore të të Sëmurëve, e cila kremtohet më 11 shkurt. Papa tregon se si kultura e mbeturinave mbizotëron tepër shpesh edhe në vendet që janë në paqe, ku zgjedhjet politike "nuk arrijnë t’i vënë dinjitetin e njeriut dhe nevojat e tij në qendër të vëmendjes". Mjekimi nuk duhet reduktuar vetëm në "shërbimet shëndetësore", por duhet shoqëruar me një "aleancë terapeutike ndërmjet mjekut, pacientit dhe anëtarëve të familjes".

R. SH. - Vatikan

“Duhet të kujdesemi për atë që vuan dhe është vetëm”, për të sëmurët, të ligshtit, të varfërit, që “janë në zemër të Kishës e duhet të jenë edhe në qendër të vëmendjes sonë njerëzore dhe të kujdesit baritor”. Kështu shkruan Papa në mesazhin për Ditën XXXII Botërore të të Sëmurëve, që do të kremtohet më 11 shkurt, teksti i së cilës u publikua sot nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë. “Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm. Të kurohet i sëmuri, duke kuruar marrëdhëniet”- kjo është tema e reflektimit të Papës i cili, duke u nisur nga një fragment prej Librit të Zanafillës, kujton se Zoti e krijoi njeriun për të qenë në bashkësi ndaj, për këtë arsye, braktisja dhe vetmia janë të frikshme dhe të dhimbshme. Një rrethanë, shpjegon Papa, e cila është edhe më e vërtetë “në kohën e brishtësisë, paqartësisë dhe pasigurisë, që shkaktohen shpesh nga fillimi i ndonjë sëmundjeje të rëndë”.

Lufta është sëmundja më e tmerrshme shoqërore

Françesku kujton më pas, ata që ishin "tmerrësisht vetëm" gjatë pandemisë Covid-19: pacientët, që nuk mund të kërkonin vizita, por edhe infermierët, mjekët dhe stafi mbështetës, "të gjithë të mbingarkuar me punë dhe të mbyllur në izolimin e reparteve". Pa harruar ata, të cilëve iu desh të përballonin të vetëm orën e vdekjes, të ndihmuar nga personeli shëndetësor, “por larg familjeve”. Sëmundja sociale më e tmerrshme për të cilën njerëzit më të brishtë paguajnë çmimin më të lartë, megjithatë, është lufta! Ndaj Papa kujton me dhimbje vuajtjen dhe vetminë e atyre që, për shkak të saj dhe pasojave të saj tragjike, braktisen “pa mbështetje dhe pa ndihmë”.

Dinjiteti njerëzor, gjithnjë në qendër të zgjedhjeve publike

Megjithatë, shumë herë, edhe në vendet më të pasura dhe më paqësore, "koha e pleqërisë dhe e sëmundjes shpesh jetohet në vetmi e, ndonjëherë, edhe në braktisje". Një realitet i trishtuar, bir i kulturës së individualizmit, "që lartëson me çdo kusht rendimentin dhe kultivon mitin e efikasitetit, duke u bërë indiferent dhe madje i pamëshirshëm kur njerëzit nuk kanë më forcën e nevojshme për të vazhduar". Është "kultura e hedhurinës", shkruan Papa, e cila "fatkeqësisht cënon edhe disa zgjedhje politike, të cilat nuk arrijnë të vënë dinjitetin e njeriut dhe nevojat e tij në qendër dhe jo gjithmonë favorizojnë strategjitë dhe burimet e nevojshme për t’i garantuar çdo qeniejeje njerëzore të drejtën themelore për shëndet dhe kujdesin për mjekime”. “Në të njëjtën kohë”, shton, “braktisja e të brishtëve dhe vetmia e tyre favorizohen edhe nga reduktimi i kujdesit vetëm ndaj shërbimeve shëndetësore, pa u shoqëruar mençurisht nga  “bashkëpunimi terapeutik” ndërmjet mjekut, të sëmurit dhe familjarit”.

Dëshira për afërsi dhe butësi

Të kujdesesh për të sëmurët do të thotë, para së gjithash, të kujdesesh për të gjitha marrëdhëniet e tyre: me Zotin, familjen, miqtë, personelin shëndetësor, por edhe me krijimin dhe me vetveten. Prandaj, gjëja e parë që na nevojitet në sëmundje është “afërsia plot dhembshuri dhe butësi”. Pastaj Papa u drejtohet të sëmurëve, duke u kërkuar që të mos turpërohen për këtë. “Mos u turpëro nga dëshira jote për afërsi dhe butësi!”- shkruan Françesku - “mos e fsheh dhe mos mendo kurrë se je barrë për të tjerët”. Gjendja e të sëmurit i fton të gjithë të ngadalësojnë ritmet e acaruara në të cilat jemi zhytur dhe të rigjejnë veten”. Ne erdhëm në botë sepse dikush na priti, u bëmë për dashuri, u thirrëm për bashkim dhe vëllazëri.

13 janar 2024, 13:29