Françesku, lufta mbjell urrejtje, është disfatë njerëzore
R.SH. / Vatikan
Në audiencën e përgjithshme, Papa Françesku shprehu afërsinë me viktimat, të gjithë civilë, të sulmit me raketa në Erbil, në Kurdistanin irakian: “Veprat e mira ndërmjet fqinjëve nuk bëhen me veprime të ngjashme, por me dialog dhe bashkëpunim”.
Të mos harrojmë banorët e Rripit të Gazës
“Të mos harrojmë vendet që janë në luftë, të mos harrojmë Ukrainën, Palestinën, Izraelin, të mos harrojmë banorët e Rripit të Gazës, që vuan kaq shumë. Të lutemi për viktimat e shumta të luftës, për shumë viktima”. Lufta shkatërron, gjithmonë. Lufta nuk mbjell dashuri, mbjell urrejtje. Lufta është disfatë e vërtetë njerëzore". "U kërkoj të gjithëve të shmangin çdo hap që rrit tensionin në Lindjen e Mesme dhe në skenarë të tjerë lufte". Këto, porositë e Papës Françesku në përfundim të audiencës së përgjithshme, mbajtur sot në Vatikan.
Nesër nis Java e Lutjes
Papa, gjithnjë në audiencën e sotme të përgjithshme, kujtoi se nesër fillon “Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve”. Tema e këtij viti është: '“Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, (...) e duaje të afërmin tënd si vetveten”. E ftesa e Papës: “Lutuni që të krishterët të arrijnë bashkimin e plotë dhe t’u japin dëshmi të njëzëshme të gjithëve, veçanërisht më të brishtëve”.