Papa: luftërat dhe krizat e rëndojnë atmosferën, të lutemi me këmbëngulje
R.SH. – Vatikan
“Lutja është frymëmarrja e fesë, është shprehja më e natyrshme e saj. Si një britmë e heshtur, që del nga zemra e atyre që besojnë dhe ia besojnë veten Zotit”. Kështu fillon parathënia e librit “Të lutemi sot. Sfidë për t’u fituar”, nënshkruar nga Papa Françesku. Libri i publikuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit LEV ka për autor kardinalin Angelo Comastri. Është vëllimi i parë i një serie tekstesh të vogla, që do të botohen gjatë Vitit të Lutjes, shpallur nga Ati i Shenjtë në përgatitje të Jubileut.
Papa pranon se nuk është e lehtë të shprehet me fjalë misteri i lutjes, pavarësisht se shumë shenjtorë, mësues shpirtërorë e teologë e kanë përshkruar shpesh. Ajo, mendon Françesku, përshkruhet më mirë me thjeshtësinë e atyre që e përjetojnë. Vetë Zoti na mësoi të lutemi në heshtje dhe t'ia besojmë veten Atit Qiellor, i cili e di se për çfarë kemi nevojë, edhe para se t'ia kërkojmë.
Viti 2024, siç njoftoi Papa të dielën, më 21 janar, do t’i kushtohet pikërisht lutjes, në përgatitje të Jubileut 2025. Në parathënie, Françesku shpjegon arsyet e këtij vendimi. “Në kohën tonë – shkruan ai - ndihet gjithnjë e më shumë nevoja për përshpirtërinë e vërtetë, në gjendje t’u përgjigjet pyetjeve të mëdha, që lindin çdo ditë në jetën tonë, të nxitura edhe nga një skenar botëror që sigurisht nuk është i qetë”. Ati i Shenjtë përmend krizën ekologjiko-ekonomiko-shoqërore, rënduar nga pandemia e fundit; luftërat, veçanërisht atë në Ukrainë; kulturën e indiferencës dhe të shpërdorimit: të gjitha krijojnë një atmosferë të rëndë, që i pengon njerëzit të jetojnë me gëzim dhe qetësi.
“Kemi nevojë – vëren Papa - që lutja jonë të lartohet me këmbëngulje më të madhe drejt Atit Qiellor” që Ai të na dëgjojë. Pikërisht për këtë arsye, Françesku vendosi t’ia kushtojë këtë vit lutjes, natyrisht, pa ndërhyrë në programet e çdo Kishe të veçantë. “Në këtë vit – shpjegon Bergoglio – ftohemi të jemi më të përvuajtur dhe t'i lëmë vend lutjes, që buron nga Shpirti Shenjt. Është Ai që di të vendosë fjalët e duhura në zemrat dhe në buzët tona për t'u dëgjuar nga Ati. Lutja në Shpirtin Shenjt na bashkon me Jezusin dhe na bën të ndjekim vullnetin e Atit... Asgjë si lutja sipas Shpirtit Shenjt nuk i bën të krishterët të ndihen të bashkuar si familje e Hyjit, i cili di t’i shohë nevojat e secilit për t'i bërë lutje dhe ndërmjetësim për të gjithë”.
Duke kërkuar ndihmën e gjithë anëtarëve të Kishës për ta vendosur lutjen në bazë të shpalljes së shpresës së Jubileut 2025, Papa uron që “në të gjitha shenjtëroret e botës, vende të privilegjuara për lutje, të shtohen nismat për ta bërë çdo shtegtar të gjejë në to një oazë qetësie, duke u larguar me zemrën të ngushëlluar”. Françesku nënvizon se lutja personale dhe ajo në bashkësi duhet të jetë e pandërprerë.
Pikërisht për të inkurajuar këtë, sqaron ai, “janë shkruar disa tekste të shkurtra, të cilat, me thjeshtësinë e gjuhës së përdorur, do të ndihmojnë për të hyrë në përmasat e ndryshme të lutjes”. Pjesë e këtyre teksteve është edhe ky i kardinalit Angelo Comastri, që u publikua sot (23 janar). Në fund të parathënies, Papa Françesku i falënderon autorët, duke i lënë tekstet në dorën e besimtarëve, që “të rizbulojnë bukurinë e besimit në Zotin me përvujtëri dhe gëzim”. E pastaj, kërkesa e zakonshme: “mos harroni të luteni edhe për mua”.