Papa: mbështetje për bashkitë e vogla italiane të shpërfillura.
R. SH. - Vatikan
“Situata në të cilën ndodhen bashkitë e vogla në Itali, veçanërisht ato në ‘zonat e brendshme’, kryesisht ‘të shpërfillura’ dhe ‘të harruara’, është rezultat i kulturës së hedhurinave, aq sa ata që banojnë atje “vuajnë nga boshllëqe të konsiderueshme”, sepse është “shumë e kushtueshme t'u ofrosh të njëjtat burime, që u ofrohen zonave të tjera të vendit e kështu krijohen pabarazitë”. Françesku e theksoi këtë në fjalimin drejtuar Shoqatës për Ndihmën dhe Modernizimin e Autoriteteve Lokale (ASMEL), "lindur në vitin 2010 për të kontribuar në mirëfunksionimin e Autoriteteve Lokale Italiane, sipas parimit të subsidiaritetit, parim i dashur për Doktrinën shoqërore të Kishës”, dhe vëren se në këtë realitet shkaktohet një rreth vicioz:
“Mungesa e mundësive shpesh e shtyn pjesën më guximtare të popullsisë të largohet, gjë që i bën trojet e dorës së dytë gjithnjë e më pak interesante, gjithnjë e më të braktisura. Atëhere aty mbeten kryesisht të moshuarit dhe ata që luftojnë më shumë për të gjetur mundësi të reja. Si pasojë, nevoja për një shtet social po rritet në këto territore, ndërsa burimet për t'iu përgjigjur kësaj kërkese janë në rënie? Pse?”.
Britma e trojeve të braktisura
Duhet të kemi parasysh - vëren Papa - se pikërisht "zonat e brendshme", ku gjendet një pjesë e madhe e trashëgimisë natyrore, kanë "rëndësi strategjike në aspektin mjedisor", ndërsa "shpopullimi në rritje e bën më të vështirë kujdesin ndaj këtyre trojeve”:
“Trojet e braktisura bëhen më të brishta, prej këndej, shkak fatkeqësish dhe emergjencash, veçanërisht sot, me ngjarje të rënda gjithnjë e më të shpeshta: për shembull shirat e rrëmbyeshëm, përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut; thatësira dhe zjarret; stuhitë e erës, e kështu me radhë. Duke parë këto troje, kujtojmë se të dëgjosh britmën e tokës do të thotë të dëgjosh britmën e të varfërve dhe të flakurve, dhe anasjelltas: në brishtësinë e njerëzve dhe mjedisit, kuptojmë se gjithçka është e lidhur e se kërkimi i zgjidhjeve kërkon të lexohen së bashku dukuritë, që shpesh mendohen si të ndara nga njëra-tjetra”.
Laboratorë të risive shoqërore
Asmelit (Shoqatës për Ndihmën dhe Modernizimin e Enteve Lokale) që synon të kontribuojë për mbrojtjen e "dinjitetit të njerëzve" dhe kujdesin e shtëpisë sonë të përbashkët, "edhe me burime të pakta e mes njëmijë vështirësish", Françesku i kërkon të ecë përpara dhe e fton të reflektojë mbi potencialin e vendeve të harruara:
“Gjithnjë, e edhe sot, zonat e skajshme mund të shndërrohen në laboratorë të inovacionit social, duke u nisur nga një perspektivë - ajo e kufijve - që na lejon t’i shohim ndryshe dinamizmat e shoqërisë, duke zbuluar mundësi, ku të tjerët shohin kufizime, ose burime, në atë që të tjerët e konsiderojnë mbeturinë”.
Sheshe ndërtimi private sociale dhe pjesëmarrjeje
Do të doja të sugjeroja një prirje, ndërmjet shumë të tjerave, që duhet t'i kushtohet vëmendje - kujtoi akoma Françesku - atë të kërkimit të marrëdhënieve të reja ndërmjet publikut dhe privatit, veçanërisht sektorit social privat, për të kapërcyer kundërvëniet e vjetra dhe për të shfrytëzuar plotësisht mundësitë që ofron sot ligjshmëria. Mungesa e burimeve në zonat dorës së dytë i bën njerëzit më të gatshëm për të bashkëpunuar për atë që duket të jetë e mira e përbashkët; kjo krijon mundësinë për të hapur faqe të reja të pjesëmarrjes, duke inkurajuar risimin e demokracisë në kuptimin e saj të plotë.
Përdorimi i mirë i inteligjencës artificiale
Duke kujtuar "teknologjitë e reja", Papa më pas ftoi për të shqyrtuar "përdorimin e formave të ndryshme të inteligjencës artificiale", të cilat "mund të jenë të fuqishme si mjete vdekjeje", por edhe të dobishme, nëse përdoren me logjikën e "kujdesit ndaj njerëzve", komuniteteve, territoreve dhe të shtëpisë së përbashkët.
Problemi i pakësimit të lindjeve
Në përfundim të reflektimit, Françesku shprehu shqetësimin për rritjen e denatalitetit dhe për "kulturën e shpopullimit". "Duhet të bëjmë fëmijë. Italia, Spanja... kanë nevojë për fëmijë" – theksoi - duke shtuar se duhet "ta marrim seriozisht problemin e lindjeve”, që “vë në lojë” gjithë të ardhmen, sepse do të kishim një ardhmëri të frikshme. Pa djepa, pa fëmijë, pa jetë!
“Të bësh fëmijë është detyrë për të mbijetuar, për të ecur përpara. Mendoni për këtë. Nuk është publicitet i ndonjë agjencie, që bën thirrje për lindje të shumta: jo, jo, por dua ta theksoj këtë: dramën e lindjeve, sepse duhet menduar shumë seriozisht!”.