Papa mbylli Javën e lutjes për Bashkimin e të Krishterëve
R.SH. - Vatikan
Papa Françesku mbylli sot Javën e lutjes për bashkimin e të krishterëve, kushtuar dashurisë për Zotin e për të afërmin, me kremtimin e Lutjes Mbrëmësore në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, në Romë, pikërisht në solemnitetin e Kthimit të Apostullit të Popujve. Të pranishëm në kremtim, përfaqësues nga Kishat e tjera të krishtera, kryeipeshkvi anglikan i Kanterbërit, Justin Welby, si edhe Mitropoliti ortodoks i Italisë dhe i Maltës, Polykarpos Stavropoulos, në përfaqësi të Patrikanës Ekumenike të Kostandinopojës. Lutjet psalmike u lexuan pikërisht prej tij dhe prej drejtorit të Qendrës Anglikane në Romë, Ian Ernest.
Nderimi në varrin e Shën Palit
Të gjitha përpjekjet drejt bashkimit të plotë të të krishterëve, nënvizoi Papa gjatë meditimit të tij, duhet të ndjekin udhën e Shën Palit, duke lënë mënjanë idetë personale për të kërkuar zërin e Zotit dhe për t'ia lënë Atij iniciativën dhe hapësirën. Vetë Ati i Shenjtë, së bashku me kryeipeshkvin e Kanterbërit e me përfaqësuesit e Kishave të tjera të krishtera, në fillim të kremtimit shkuan në varrin e Shën Palit për ta nderuar apostullin e madh e për t’u lutur së bashku.
Ta lejojmë Zotin të na i ndryshojë zemrat
“Kemi nevojë – vërejti Françesku - për këtë kthesë perspektive, për kthimin e zemrës, ashtu siç vinte në dukje Koncili II i Vatikanit, gjashtëdhjetë vjet më parë: ‘Nuk ka ekumenizëm të vërtetë pa kthesë të brendshme’ (Unitatis redintegratio, 7)”. Nuk është hera e parë, që Ati i Shenjtë nënvizon se duhet ta lejojmë Zotin të na i ndryshojë zemrat. Në udhën ekumenike, kjo do të thotë “të ecim së bashku dhe të shërbejmë së bashku, duke e vendosur lutjen në vend të parë”. Sepse sa më afër të jenë të krishterët me Atin Qiellor, me Fjalën e Zotit dhe me Shpirtin Shenjt, aq më intim dhe më të lehtë do ta bëjnë vëllazërimin e ndërsjellë.
Nisen për mision, dy e nga dy, ipeshkvijtë katolikë e anglikanë
Në përfundim të kremtimit, Papa Françesku dhe kryeipeshkvi anglikan i Kanterbërit, Justin Welby, bekuan e nisën për mision, dy e nga dy, ipeshkvijtë katolikë e anglikanë, që morën pjesë në një takim të Komisionit ndërkombëtar për Bashkimin e Misionin. Mandati i tyre, siç e shpjegoi vetë Ati i Shenjtë, është të vazhdojnë të dëshmojnë unitetin e dashur nga Zoti për Kishën e vet, në rajonet ku shërbejnë, duke përhapur së bashku mëshirën dhe paqen e Hyjit në botë. Papa nuk harroi të përmendë edhe 20-vjetorin e Komisionit të përzier ndërkombëtar për dialogun teologjik të Kishës Katolike me Kishat ortodokse Lindore, si edhe studentët ortodoksë e ata të Institutit Ekumenik të Bossey, që ndodhen në Romë për vizita shkëmbimi kulturor me katolikët.
Lutje për bashkimin dhe për fundin e luftërave
Së bashku, si vëllezër dhe motra në Krishtin, lutemi me shën Palin, duke thënë: "Çfarë duhet të bëjmë, o Zot?" Përgjigjja e parë është lutja, nënvizoi Françesku, veçanërisht, lutja për bashkimin, ashtu siç na mësoi Jezu Krishti, i cili iu lut i pari Atit që të gjithë të jenë një gjë e vetme. Ati i Shenjtë kërkoi lutje edhe për fundin e luftërave, sidomos në Ukrainë e në Tokën e Shenjtë. Një mendim, edhe për popullin e Burkina Fasos, veçanërisht për bashkësitë, që përgatitën materialin e Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve. “Dashuria për të afërmin – uroi Papa - të zërë vendin e dhunës, që fshikullon atë vend”.
Që “bota të besojë” në dëshminë e krishterë
Së fundi, duke cituar përgjigjen që Zoti i jep Shën Palit, me të cilën e nxit të ngrihet në këmbë e të vijojë udhën, Françesku i ftoi të gjithë të krishterët të ngrihen në këmbë, duke lënë mënjanë lodhjen dhe zakonet personale për të ecur përpara, ashtu siç dëshiron Hyji, që “bota të besojë” në dëshminë e krishterë.