Papa: "ndaloni rropamën e armëve në Ukrainë"
R.SH. / Vatikan
Operacionet luftarake, që godasin popullsinë civile dhe infrastrukturën jetike të Ukrainës "janë të poshtra, të papranueshme dhe nuk mund të shfajësohen në asnjë mënyrë". Kështu shkruan Papa Françesku në një letër dërguar Fortlumturisë së Tij Sviatoslav Shevchuk, kreut të Kishës Greko-Katolike të Ukrainës, më 3 janar. Letra u bë e njohur këtyre ditëve nga një njoftim për shtyp i sekretariatit të kryepeshkopit të madh të Kyiv-Halych, në Romë. Papa Françesku - njofton sekretariati - i përgjigjej kështu një letre të dërguar nga Fortlumturia e Tij më 29 dhjetor, kur Rusia kreu sulmin më të madh me raketa në të gjithë territorin ukrainas, që nga fillimi i luftës.
Fortlumturia e tij Shevchuk i shprehte Papës shqetësimin, duke pohuar se "lufta në Ukrainë mund të kthehej në ndeshje të harruar, pikërisht ndërsa agresioni në shkallë të gjerë po zgjeronte rrezen e tij dhe po godiste infrastrukturën civile". Papa e falënderoi Kryeipeshkvin Shevchuk për informacionin, gjë që i krijoi mundësinë - kështu shkruan – “të provojë të njëjtat ndjenja indinjate dhe dhimbjeje, që ndjente ai, përballë operacioneve të tilla luftarake".
Në letër, Papa shpreh edhe një herë afërsinë e tij me "Ukrainën e martirizuar", duke pohuar me dhimbje se i vjen keq që "në një kontekst ndërkombëtar, gjithnjë e më dramatik, lufta në Ukrainë rrezikon të shndërrohet në luftë ‘të harruar’, pikërisht ndërsa agresioni në shkallë të gjërë vijon shtrirjen e tij, duke arritur të godasë edhe infrastrukturat civile.
Papa e falënderon Kryeipeshkvin e madh për njoftimet që mori e që i krijuan të njëjtat ndjenja indinjate e dhimbjeje, provuar edhe nga ai, përballë veprimeve të tilla. Lidhur me këtë, Papa thekson: “Është detyrë ‘të mos lejojmë të bjerë heshtja, dhe jo thjesht për të mbajtur gjallë tmerrin përballë ngjarjeve të tilla tragjike, por sidomos, për t’i angazhuar të gjithë ata që kanë përgjegjësi si dhe bashkësinë ndërkombëtare në kërkim të zgjidhjeve paqësore’”. Së fundi, Papa Françesku siguron se "nuk e ka humbur kurrë asnjë mundësi për të tërhequr vëmendjen ndaj luftës në Ukrainë". Shton edhe se do të vazhdojë "ta bëjë këtë, duke nisur thirrje të fuqishme që të pushojë vringëllima e armëve në Ukrainë dhe të hapen shtigje të paqes së drejtë”.