Kërko

Papa Françesku me Bartësit e Makinës së Shën Rozës, pritur në audiencë në sallën Klementine të Pallatit Apostolik Papa Françesku me Bartësit e Makinës së Shën Rozës, pritur në audiencë në sallën Klementine të Pallatit Apostolik

Papa: kemi nevojë për njerëz, që e jetojnë Ungjillin me shenjtëri

Në fjalimin e mbajtur para Bartësve të Makinës së Shën Rozës, pritur në audiencë në sallën Klementine të Pallatit Apostolik, Françesku kujton shembullin e gruas së re nga Viterbo, që jetoi në shekullin XIII, e cila, duke zgjedhur varfërinë absolute dhe duke iu përkushtuar bamirësisë, kumtoi Ungjillin. Papa nënvizon rëndësinë e përhapjes së Lajmit të Mirë përmes shenjtes mbrojtëse të Viterbos, duke i jetuar vlerat e saj me fe, forcë, vullnet, respekt dhe përvujtëri

R.SH. – Vatikan

Është histori me rrënjë në shekullin XIII, ajo e "Bartësve të Makinës së Shën Rozës", terciares françeskane, pajtore e Viterbos, Itali, festa e së cilës kremtohet më 4 shtator e paraprihet nga procesioni spektakolar i kësaj Makine, që s’është tjetër veçse një bazament për të lartuar mbi 30 metra shtatoren e shenjtes.

Që nga viti 2013, ajo përfshihet nga UNESCO në Trashëgiminë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit. Bartësit kanë për detyrë ta transportojnë Makinën nëpër rrugët dhe sheshet e qytetit. Papa Françesku i priti sot në Vatikan, duke folur lirisht me ta e duke ua dorëzuar fjalimin e përgatitur, ku kujton përvojën mistike të Rozës, e cila zgjodhi varfërinë absolute dhe iu kushtua bamirësisë, duke e kumtuar kështu Ungjillin e Krishtit.

Kemi nevojë për shenjtorë të tillë edhe sot: - nënvizon Papa në fjalim - njerëz që nuk rrinë me pantofla në divan, por digjen nga dëshira e papërmbajtshme për ta jetuar dhe për ta shpallur Ungjillin e, me pasion, ua ngjisin edhe të tjerëve dëshirën për shenjtëri”.

Bëjeni të njohur Ungjillin përmes Shën Rozës

Françesku u kërkon bartësve të Makinës së Shën Rozës, që mbajnë një peshë prej më se 50 kuintalësh, të imitojnë shenjten. “Kjo është gjëja më e rëndësishme: bëjeni të njohur Ungjillin përmes Shën Rozës e, bëjeni së bashku, në unitet e solidaritet, duke i jetuar vlerat e saj me “fe, forcë e vullnet”, me “respekt e pëvujtëri”, sepse, në procesion dhe në jetë, askush nuk mund të arrijë i vetëm një sipërmarrje kaq të madhe".

Së fundi, Papa i falënderon bartësit "për veprimtaritë e shumta asistenciale, kulturore dhe morale", që kryejnë vazhdimisht, duke i inkurajuar ta mbajnë gjallë traditën e festës së Shën Rozës së Viterbos, në Itali.

11 janar 2024, 12:31