Papa: “Masa e qytetërimit shihet nga mënyra e trajtimit të të varfërve”
R.SH. – Vatikan
Të varfërit, të papunët, të pastrehët, emigrantët, të shfrytëzuarit dhe të gjithë ata që diktaturat e së kaluarës i vrisnin dhe "kultura e sotme e hedhurinave" i refuzon: niveli i qytetërimit të një shoqërie matet me trajtimin, që u rezervohet këtyre njerëzve. Papa Françesku e përsëriti edhe një herë qëndrimin e tij në favor të të pambrojturve, si dhe urgjencën e luftës kundër asaj, që e quajti "murtaja" e trefishtë: korrupsioni, shpërdorimi i pushtetit dhe mosrespektimi i ligjit. E bëri këtë sot paradite, në audiencën me përfaqësuesit e Projektit të dialogut “Dialop Transversal” ndërmjet socialistëve/marksistëve dhe të krishterëve, që synon formulimin e një etike të përbashkët shoqërore në Evropë. Nisma lindi në vitin 2014 pas një takimi të vetë Françeskut me Alexis Tsipras, asokohe kryetar i partisë Syriza dhe më pas kryeministër grek që nga viti 2015, me Walter Baier, kryetar i Partisë së të Majtës evropiane dhe me Franz Kronreif të Lëvizjes së krishterë të Fokolarinëve.
"Të ëndërrojmë një botë më të mirë"
Françesku priti 15 anëtarë të shoqatës - 7 nga partitë e majta dhe 8 nga pjesa katolike e vendeve të ndryshme evropiane. U shprehu dhimbjen për planetin “e ndarë nga luftërat dhe polarizimet”, por edhe i nxiti të shohin drejt së ardhmes dhe të bëjnë çdo përpjekje për të imagjinuar një “botë më të mirë”.
“Ne argjentinasit themi: no te arrugues, mos u dorëzo. E kjo është ftesa, që ju bëj edhe juve: mos u tërhiqni, mos u dorëzoni, mos reshtni së ëndërruari një botë më të mirë”.
Liri, barazi, dinjitet, vëllazërim
Ëndrrat e mëdha të lirisë dhe barazisë, të dinjitetit dhe vëllazërimit, pasqyrë e ëndrrës së Zotit, kujtoi Papa, kanë sjellë shpesh kthesa e përparime të mëdha në historinë e njerëzimit. Ati i Shenjtë u këshilloi anëtarëve të “Dialop Trasversal” tri qëndrime, që shërbejnë për realizimin e këtyre ëndrrave: guximin për të ndryshuar skemat, kujdesin për të vobektit dhe promovimin e respektit për ligjin. Duke i shpjeguar të trija, Françesku nënvizoi se ndryshimi i skemave do të thotë t’u hapet udha, me dialog, rrugëve të reja për ta nxjerrë botën nga konflikti e përçarjet.
“Jo” ligjeve të diktuara nga financat dhe tregu
Më pas, ai kërkoi t’u kushtohet vëmendje më të varfërve e më të brishtëve, të cilët, dikaturat e mëparshme i kanë vrarë pa mëshirë, përmendi Papa nazizmin.
“Një politikë vërtet në shërbim të njeriut nuk mund të lejojë që ligji të diktohet nga financat dhe nga mekanizmat e tregut”, u tha pastaj politikanëve të të gjitha ngjyrave.
“Solidariteti, përveçse virtyt moral, është kërkesë e drejtësisë, që nxit korrigjimin e devijimeve dhe spastrimin e synimeve të sistemeve të pabarabarta, edhe përmes ndryshimit rrënjësor të perspektivës në bashkëndarjen e sfidave dhe të pasurive ndërmjet njerëzve e popujve”, theksoi Ati i Shenjtë. Ata, që impenjohen në këtë fushë, Françesku i quajti “poetë shoqërore”, sepse, ashtu si për poezinë, edhe këtu bëhet fjalë për “të përdorur krijimtarinë”, kësaj radhe, “në shërbim të shoqërisë, që ajo të jetë më njerëzore dhe më vëllazërore".
Lufta kundër korrupsionit dhe mosrespektimit të ligjit
Së fundi, ligjshmëria. “Të luftohet plaga e korrupsionit, shpërdorimi i pushtetit dhe paligjshmëria”, bëri thirrje Papa, sepse “vetëm me ndershmëri, mund të krijohen marrëdhënie të shëndetshme dhe të bashkëpunohet me besim e fryt në ndërtimin e një ardhmërie më të mirë”. "Ungjilli i Krishtit - ky, urimi i Françeskut – frymëzoftë dhe ndriçoftë gjithmonë veprimet tuaja".
Grupi Dialop punon prej dhjetë vitesh në bashkëpunim me Dikasterin vatikanas për Kulturën dhe Edukimin Katolik. Pavarësisht nga ndryshimet ideologjike, anëtarët e tij impenjohen së bashku për fundin e konflikteve dhe për respektimin e të drejtave të njeriut në botë.