Papa Françesku takoi të rinjtë e "Fraternité Missionnaire des Cités" Papa Françesku takoi të rinjtë e "Fraternité Missionnaire des Cités"

Papa: vëllazërimi është “tharmi i paqes” për të cilin kanë nevojë periferitë

Të dëshmojnë me bujari fytyrën e dhembshur të Zotit për ata, që jetojnë në periferitë e qyteteve, ku, nganjëherë, mbizotërojnë indiferenca dhe dhuna: kjo është detyra, që Papa Françesku u beson të rinjve të "Fraternité Missionnaire des Cités", të cilët i takoi sot. Në Betlehem, kujtoi, Ungjilli i shpëtimit u kumtohet së pari barinjve

R.SH. – Vatikan

Të përtërihen shpirtërisht gjatë shtegtimit tek varret e Shën Pjetrit dhe të Shën Palit për të rijetuar "hovin bujar dhe misionar të Kishës së kohëve të para". Kjo është arsyeja, për të cilën ka ardhur në Romë një delegacion të rinjsh francezë, që i përkasin Fraternité missionnaire des Cités. Papa Françesku i takoi sot, më 4 janar, në Vatikan dhe u foli lirisht, pa letër. Në atmosferën e Krishtlindjeve, në tekstin e dorëzuar, Ati i Shenjtë i fton ata të kundrojnë Shpellën e Betlehemit.

“Shohim një vend të thjeshtë dhe të varfër, një periferi, një “banlieue” të asaj kohe – shkruan Papa, duke përdorur fjalën franceze për periferitë. - Barinjtë që i afrohen grazhdit janë njerëz të mënjanuar e me nam të keq. Megjithatë, pikërisht për ta u shpall së pari Ungjilli i shpëtimit. Janë të varfër, por kanë zemër të madhe. Kjo është edhe përvoja juaj”.

Të varfërit i kemi pranë

Në tekst, Papa vëren se nuk është e nevojshme të shkosh larg për të gjetur të varfërit: ata janë në të njëjtën lagje, në cepin e rrugës, nganjëherë, edhe në të njëjtën shkallë e në të njëjtin kat. Prandaj, nuk është e vështirë t’u kumtosh Lajmi i Mirë e të ndash jetën e përditshme me ta. “Edhe ndërmjet tyre – nënvizon Françesku - shumë e kanë zemrën hapur dhe presin, pa e ditur, Lajmin e gëzuar të Ungjillit”.

Vëllazërimi është tharmi i paqes, për të cilin ka nevojë periferia

Ati i Shenjtë i fton të rinjtë e Fraternité missionnaire des Cités të përjetojnë vëllazërimin, "tharm i paqes" në periferitë e qyteteve, duke dëshmuar, përmes pranisë dhe gjesteve të tyre, dhembshurinë e Zotit për vëllezërit, në të cilët duhet të shohin Krishtin. “E di – shkruan Papa - se nganjëherë, dhuna, indiferenca dhe urrejtja mund t’i mbysin ato lagje”. Françesku i nxit të rinjtë francezë të çojnë pikërisht atje “afërsinë, dhembshurinë dhe butësinë e Zotit për njerëzit, që shpesh janë të privuar nga dinjiteti dhe dashuria”.

04 janar 2024, 12:08