Kërko

2024.01.21 Santa Messa in occasione della Domenica della Parola di Dio 2024.01.21 Santa Messa in occasione della Domenica della Parola di Dio  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Françesku: nga mediat sociale e shoqëria, fjalë të dhunshme, ndërsa Fjala e Zotit jep jetë!

Papa Françesku kryesoi Meshën në Bazilikën e Vatikanit për të Dielën V të Fjalës së Zotit, themeluar prej tij në vitin 2019. Gjatë homelisë i ftoi besimtarët të kenë gjithmonë një Ungjill në xhepat a çantat e tyre, më pas pyetja: "A kam lexuar plotësisht të paktën një nga katër Ungjijtë? Është libri i jetës, megjithatë shumë besimtarë nuk e kanë lexuar kurrë asnjë nga fillimi në fund". Papa do t'u japë grave dhe burrave laikë detyrën e Lektoratit dhe të Katekistit.

R. SH. - Vatikan

“Butësia” e Fjalës “jep jetë”, por fatkeqësisht shumë herë “hyn në një vesh e del prej tjetrit”, e jo “dhuna e fjalëve”, fjalët e shumta që pasojnë njëra-tjetrën dhe shpërdorohen në shoqëri (si reale ashtu edhe virtuale), me të cilat ushqehemi çdo ditë. Paraditën e sotëm, 21 janar, Papa Françesku kryesoi në Bazilikën e Vatikanit Meshën e së Dielës V të kushtuar Fjalës së Zotit dhe u drejtoi të gjithë besimtarëve ftesën, bazë e vetë  kremtimit të këtij përvjetori: ta vënë Shkrimin Shenjt në qendër të jetës personale dhe të bashkësisë:

“Të kthehemi te burimet për t'i ofruar botës ujin e gjallë që nuk mund ta gjejë; e ndërsa shoqëria dhe mjetet e saj të komunikimit theksojnë dhunën e fjalës, ne përqafojmë butësinë e Fjalës, që shpëton”.

Detyra e Lektoratit dhe e Katekistit, 11 laikëve

Në Bazilikë të Vatikanit ishin 5 mijë persona që morën pjesë në të gjithë liturgjinë, të cilën Papa, në vitin 2019, me Letrën apostolike Aperuit illis, vendosi të kremtohet të dielën e tretë të Kohës së zakonshme. Këtë vit tema është “Qëndroni në Fjalën time” (Gjn 8,31). Gjatë Meshës, dy gra morën shërbesën e Lektoratit apo të Lexuesit nga Papa dhe 9 atë të Katekistit. Janë besimtarë laikë dhe gra me origjinë nga Brazili, Bolivia, Korea, Çadi, Gjermania, Antilet: Papa u dorëzoi një Bibël dhe një Kryq, simbol i mandatit për ta shpallur  atë Fjalë që, siç nënvizoi Ati i Shenjtë në predikim, "të tërheq te Zoti dhe të dërgon tek të tjerët":

“Fjala... nuk na lë të mbyllur në vetvete, por na e zgjeron zemrën, ndryshon rrjedhën, përmbys qëndrimet, hap skenarë të rinj e horizonte të papritura”.

Jetë të shndërruara

Fjala "nxit thirrjen e Jezusit", "ngjall misionin", bën lajmëtarë dhe dëshmitarë për "një botë plot fjalë", por "të etur për atë Fjalë që shpesh e shpërfill". E dëshmojnë Dishepujt, por edhe shumë shenjtorë "miq të Zotit" dhe "dëshmitarë të Ungjillit në histori": "Për të gjithë Fjala ishte vendimtare" - kujtoi Papa, duke cituar Shëna Ndoun "i cili, i prekur thellë nga një fragment i Ungjillit sa ishte në Meshë, la gjithçka për Zotin”; Shën Agustinin, “jeta e të cilit ndryshoi, kur një fjalë hyjnore ia shëroi zemrën”; Shën Terezën e Krishtit Fëmijë, “e cila e zbuloi thirrjen e saj duke lexuar letrat e Shën Palit”; Shën Françeskun e Asizit, “i cili, pasi u lut, lexoi në Ungjill se Jezusi i dërgon dishepujt e tij të predikojnë, thërret: “Kjo është ajo që dua, kjo është ajo që kërkoj, kjo është ajo që dëshiroj ta bëj me gjithë zemër!”:

“Janë jetë të ndryshuara nga Fjala e jetës, nga Fjala e Zotit. Por pyes veten: pse nuk ndodh e njëjta gjë për shumë prej nesh?”.

Të shurdhër ndaj Fjalës

“Shumë herë - vëren Papa - ne e dëgjojmë Fjalën e Zotit, po na hyn në një vesh dhe del nga tjetri”. Ndoshta sepse - shton - “nuk duhet të jemi ‘të shurdhër’ ndaj Fjalës”. Rreziku është real: “Të pushtuar nga një mijë fjalë, e lëmë Fjalën e Hyjit të na rrëshqasë: e dëgjojmë, por nuk e dëgjojmë; e dëgjojmë, por nuk e ruajmë; e ruajmë, por nuk e lejojmë të na nxisë për të ndryshuar”. Mbi të gjitha - thekson Papa Françesku - “e lexojmë, por nuk i lutemi”. Në vend të kësaj, leximi i Shkrimit Shenjt "duhet të shoqërohet me lutje", në mënyrë që të frymëzojë dialogun ndërmjet Zotit dhe njeriut. Kjo lutje ka dy dimensione themelore, për të cilat flet Ungjilli i sotëm duke na kujtuar dy gjeste, që dalin nga Fjala e Jezusit: “I lanë rrjetat dhe e ndoqën”:

“Shumë herë përpiqemi t’i lëmë siguritë tona, zakonet tona, sepse ngatërrohemi në to si peshku në rrjetë. Por ata që janë në kontakt me Fjalën shërohen nga lidhjet e së shkuarës, sepse Fjala e gjallë riinterpreton jetën, shëron edhe kujtesën e plagosur duke shartuar kujtimin e Zotit dhe të veprave të tij për ne”.

Krishti dhe Fjala e tij në qendër, jo mendimet dhe problemet

Fjala e Zotit "e çliruar nga pesha e rëndë e së shkuarës dhe e së tashmes" - kujtoi Papa Françesku - "na bën të fitojmë pjekurinë në të vërtetën dhe në dashurinë". Mbjell në shpirt "një farë të pakalbshme", e cila "e vogël dhe e fshehur, mbin dhe jep fryt".

Papa Françesku uroi që të kthehemi te ky burim: “Ndërsa thuhen dhe lexohen vazhdimisht fjalët për Kishën, na ndihmoftë të rizbulojmë Fjalën e jetës që  rikumbon në Kishë! Përndryshe përfundojmë duke folur më shumë për vete, sesa për Të; e shpesh herë në qendër mbeten më shumë mendimet dhe problemet tona, sesa Krishti me Fjalën e tij”, pohoi Papa.

Një Ungjill, gjithmonë me vete

Në përfundim, disa pyetje për të gjithë besimtarët: “Çfarë vendi ka Fjala  e Zotit atje, ku jetoj? Aty duhet të ketë libra, gazeta, televizorë, telefona, por ku është Bibla? Në dhomën time, a e mbaj Ungjillin pranë? A e lexoj çdo ditë për të gjetur rrugën e jetës? A mbaj një kopje të vogël të Ungjillit në çantën time për ta lexuar?”

Kjo është ftesa që Papa drejtoi në fund të predikimit, fjalë e përsëritur shumë herë vitet e fundit: mbani gjithmonë Ungjillin me vete, në xhep, në çantë, në celular. Së mbrami, një pyetje e fundit: "A kam lexuar të paktën një nga katër Ungjijtë të plotë?":

“Ungjilli është libri i jetës, i thjeshtë e i shkurtër, e megjithatë shumë besimtarë nuk e kanë lexuar kurrë nga kreu në fund”.

21 janar 2024, 11:54