Kërko

 Il Papa durante l'intervista con Fabio Fazio a "Che tempo che fa,  2024.01.14 Il Papa durante l'intervista con Fabio Fazio a "Che tempo che fa, 2024.01.14

Papa për çiftet e parregullta: "Zoti i bekon të gjithë, të gjithë, të gjithë"

Papa Françesku, i intervistuar nga Fabio Fazio në "Che tempo che fa", kanali televiziv italian Nove, flet për dokumentin e fundit "Fiducia supplicans": "Njerëzit duhet të hyjnë në bisedë me bekim dhe të shikojnë rrugën, që propozon Zoti". Për luftën e vazhdueshme, thekson: "Shkallëzimi i luftës më frikëson". Më pas riprek temën e dorëheqjes: “Tani për tani nuk është në qendër të mendimeve të mia”. Kam folur për një udhëtim në Polinezi, në gusht dhe në Argjentinë, deri nga fundi i vitit

R.SH. / Vatikan

Tregtia e turpshme e armëve pas çdo konflikti, drama e emigrantëve, shkallëzimi i luftës, si frika më e madhe. Papa Françesku, i intervistuar për herë të dytë nga Fabio Fazio, në Che tempo che fa në kanalin tv Nove, flet për shqetësimet e tij, por edhe për dëshirën për t'u kthyer në Argjentinë pas 10 vitesh, e për një shtegtim në Polinezi, paralajmëruar për muajin gusht. E, për herë të parë, në rreth një orë bisedë, i përgjigjet publikisht polemikës që lindi nga dokumenti i fundit i Dikasterit për Doktrinën e Fesë, Fiducia supplicans, lidhur me bekimet për çiftet e parregullta të të njëjtit seks. Bekime, që i mbron edhe nëse - pranoi - “kur merr një vendim, duhet të paguash një çmim vetmie”.

Papa, që pyetjes për shëndetin e tij i përgjigjet "jam ende gjallë", flet edhe për mundësinë e dorëheqjes, "mundësi e hapur për të gjithë Papët", por që – pohon – tani për tani "nuk është në qendër të mendimeve të mia, të shqetësimeve të mia".

Papa Françesku shprehu edhe herë dhimbjen e tij të thellë për luftën në botë “në dukje vetëshkatërrim”, e megjithatë, nuk e di pse”, është e vështirë të bësh paqe – pohon – duke kujtuar se vijon të kapet pas shpresës, si “spirancë që nuk zhgënjen kurrë." Jemi ne që krijojmë zhgënjime, shumë prej tyre, kriminale” - vijoi - duke kujtuar se çdo ditë telefonon në famullinë e Gazës. "Sa arabë kanë vdekur dhe sa izraelitë, dy popuj të thirrur për të qenë vëllezër, që shkatërrojnë njëri-tjetrin. Kjo është luftë: shkatërroni!". Por pse nuk mund të bëhet paqja? “Pas luftërave, le ta themi, jo pa u turpëruar, është tregtia e armëve”, “shumë herë luftërat vazhdojnë, bëhen më të egra, për të shitur armë e edhe për të provuar armë të reja. Çmimi që paguhet janë njerëzit që vdesin”. Lufta ua rrëmben të ardhmen dhe buzëqeshjet fëmijëve, e kjo “është kriminale”, shtoi ai, duke përsëritur se fëmijët “janë të shfrytëzuarit e mëdhenj, të flakurit e mëdhenj”.

Në qershor - njoftoi - do të ketë një takim të ri botëror të fëmijëve "për të kërkuar t’u tërheqë vëmendjen fëmijëve, që janë e ardhmja". Zoti, megjithatë, "kurrë nuk lodhet duke falur", Zoti "pret, troket në derën e shumë zemrave, sepse e kanë aftësinë për të njohur të keqen që po bëjnë. Mendoni për këta prodhues armësh, prodhues të vdekjes. Zoti është pranë tyre, ua prek zemrat i ndihmon të ndërrojnë jetë e nuk lodhet kurrë duke falur", "jemi ne, që lodhemi duke kërkuar falje", ndaj "ndonjëherë Zoti paraqitet si gjykatës i paepur. Është e vërtetë që është gjykatës, por është edhe i afërt, i dhembshur dhe i mëshirshëm”. “Më pëlqen ta mendoj ferrin bosh, shpresoj të jetë realitet!”.

Nuk mund të mungonte pyetja për bekimet e çifteve gay, vendim që ngjalli jo pak polemika. “Ndonjëherë vendimet nuk pranohen, por në shumicën e rasteve, kur nuk pranohen, domethënë se nuk dihen”. "Zoti i bekon të gjithë, të gjithë, të gjithë", por më pas njerëzit "duhet të hyjnë në bisedë me bekimin e Zotit dhe të shohin se cila është rruga që u propozon Zoti”.

Por ne duhet t'i marrim për dore dhe t'i ndihmojmë për të ecur në atë rrugë, të mos i dënojmë që në fillim” - pohoi Papa -  duke kujtuar “punën baritore të kishës” dhe këshillat që ua jep vazhdimisht rrëfyesve: “Falni gjithçka dhe trajtojini njerëzit me mirësi".

Në 54 vite si meshtar “Faljen e kam mohuar vetëm një herë, për hipokrizinë e atij që rrëfehej” - pranoi - duke nënvizuar se reforma më urgjente është ajo “e zemrave, për të gjithë të krishterët”. Për të kujtuar, më pas, një dhimbje tjetër, dramën e mërgimtarëve: "Ka shumë mizori", "shpesh trajtohen si sende, jo si njerëz! Më vjen ndërmend tragjedia e Krutos, aty përballë, njeriu i mbytur në ujë. Gjithkush ka të drejtë të rrijë në shtëpi ose të migrojë" .

Pastaj frika më e madhe, "shkallëzimi i luftës", " e pyetja e ankthme se si e kur do të përfundojë. Si do të përfundojmë me armët atomike, që tani shkatërrojnë gjithçka? Si arka e Noes? Kjo më tremb! Aftësia për vetëshkatërrim që ka njerëzimi, sot. Po, a ka edhe ndonjë gjë, që e bën Papën të buzëqeshë? “Ndjeshmëria e fëmijëve” dhe “pastaj gjyshërit” – kujtoi. Janë moshatarët e mi, ndaj më pëlqen të flas me gjyshërit, janë plot me urti.

Kjo, sinteza e kësaj interviste të rëndësishme, që u përgjigjet një mori pyetjesh, të dëgjuara këto ditë nëpër botë. Me një përfundim që u përket të gjithëve:  "Ju kërkoj të thoni ndonjë uratë për mua, që të eci gjithmonë përpara e të mos dështoj në misionin tim. Por, ju lutem, uratë për…, jo kundër! Faleminderit!".

15 janar 2024, 11:47