Papa Françesku pret prelatët auditorë të Gjykatës së Rotës Romake Papa Françesku pret prelatët auditorë të Gjykatës së Rotës Romake

Papa për Rotën Romake: të favorizohet përshpejtimi i proceseve, jo pavlefshmëria e martesave

Françesku pret prelatët auditorë të Gjykatës së Rotës Romake, të cilët i këshillon t’i shoshisin “në gjunjë” para Zotit çështjet për pavlefshmërinë e martesave: "Është përgjegjësi e madhe, që Kisha jua beson, sepse ndikon fuqishëm në jetën e njerëzve dhe të familjeve”. Papa kujton se reforma synon të favorizojë përshpejtimin e proceseve, por jo edhe pavlefshmërinë e martesave. U rekomandon gjyqtarëve të luten: "Kush nuk di, ose nuk mund ta bëjë, të japë dorëheqjen"

R.SH. – Vatikan

“Shfuqizimi i kërkesës së dy vendimeve që përputhen, në rastet e pavlefshmërisë së martesës, parashikimi i një procesi më të shkurtër para ipeshkvit dioqezan, si dhe përpjekja për ta përmirësuar dhe për ta bërë më të qartë punën e gjykatave, nuk duhet të keqkuptohen dhe kurrë, nuk duhet të eliminohet nevoja për t’u shërbyer besimtarëve me një shërbesë, që i ndihmon ata të kuptojnë të vërtetën për martesën e tyre”. Kështu u tha Papa Françesku prelatëve auditorë të Gjykatës së Rotës Romake, të cilët i priti sot në Vatikan me rastin e përurimit të Vitit të 95-të Gjyqësor.

“Është shërbim”, nguli këmbë Ati i Shenjtë. “Siç e kam thënë në parathënien e Motu proprio-s ‘Mitis iudex Dominus Iesus’, qëllimi është të favorizohet 'jo pavlefshmëria e martesave, por përshpejtimi i proceseve, jo më pak se thjeshtësia e tyre e duhur, në mënyrë që, për shkak të vendimit të vonuar në gjykim, zemrat e besimtarëve, që presin sqarimin e statusit të tyre, të mos shtypen gjatë nga terri i dyshimit".

“Prandaj – shtoi Papa – duke ndjekur hapat e paraardhësve të mi, desha që çështjet e pavlefshmërisë së martesave të trajtohen në mënyrë gjyqësore dhe jo administrative, jo pse kjo imponohet nga natyra e vetë çështjeve, por pse e kërkon nevoja për të mbrojtur, në nivelin më të lartë, të vërtetën e kësaj lidhjeje të shenjtë: e kjo sigurohet pikërisht nga garancitë e rendit gjyqësor".

25 janar 2024, 12:25