Kërko

Il Papa con la Delegazione Ecumenica dalla Finlandia Il Papa con la Delegazione Ecumenica dalla Finlandia

Papa: rruga ekumenike është e sigurt edhe në një botë udhëkryqesh dhe gënjeshtrash

Françesku, duke pritur delegacionin ekumenik nga Finlanda, i kujtoi rëndësinë që ka ndjekja e Jezusit për të ecur edhe në mes të "udhëve të rreme të botës". Papa shpreson që Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, e nisur dje, "të mos reduktohet në përmbushjen e detyrës dhe në kënaqësinë e vetvetes"

R.SH. / Vatikan

Rruga e të krishterëve të pagëzuar të çon gjithmonë te Jezusi. Një ditë pas fillimit të Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, Papa Françesku priti delegacionin ekumenik nga Finlanda, të cilit i foli për dëshminë e shenjtorëve, që ecën së bashku deri në gjysmë të rrugës:

“Si anëtarë të bashkësisë të të pagëzuarve, jemi në udhëtim dhe qëllimi ynë i përbashkët është Jezu Krishti. E ky synim nuk është i largët, nuk është i paarritshëm, sepse Zoti ynë erdhi të na takojë në mëshirën e tij, u bë i afërt në Mishërim e u bë ai vetë Udhë, që ne të mund të ecim të sigurt, në mes të udhëkryqeve dhe gënjeshtrave të botës”.

Dëshmia e shenjtorëve

Pavarësisht nga çastet në të cilat "nderimi i shenjtorëve dukej sikur i përçante, në vend që t’i bashkonte besimtarët katolikë dhe ortodoksë nga njëra anë - dhe besimtarët ungjillorë nga ana tjetër" - kujtoi Papa Françesku, "kjo nuk duhet të jetë më kështu dhe, në realitet, nuk ka qenë kurrë në besimin e popullit shenjt, besnik të Zotit:

“Shenjtorët janë vëllezër e motra, që e përshkuan këtë rrugë deri në fund të fundit, deri tek caku. E shoqërojnë si dëshmitarë të gjallë të Krishtit që është Rruga, e Vërteta dhe Jeta jonë. E na japin zemër ta vijojmë rrugën e dishepullimit edhe kur lodhemi e kur biem. Si drita të ndezura nga Zoti, shenjtorët shkëlqejnë para nesh, që të mos e humbasim nga sytë cakun e fundit”.

Udha së bashku, dhuratë për ekumenizmin

Papa Françesku citoi "disa Shenjtorë të mëdhenj nordikë", tejet të rëndësishëm për të krishterët, si Brigjida, Enriku dhe Mbreti Olav, njëmijëvjetori i vdekjes së të cilit do të kremtohet pas gjashtë vjetësh:

“Nëse mijëvjetori i vdekjes së Shën Olavit, në vitin 2030, do të mund të frymëzojë dhe të thellojë lutjen tonë për unitet, si dhe udhëtimin tonë së bashku, kjo do të jetë një dhuratë për të gjithë lëvizjen ekumenike”.

Kuptimi i Javës për Unitetin e Krishterë

Në përfundim, Papa Françesku i  ftoi të pranishmit ta thonë, secili në gjuhën e  vet "Atynën", me besimin se Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve nuk do të zbrazet nga kuptimi i saj:

“Të përpiqemi që ky takim ekumenik të mos thjeshtohet në kryerjen e një detyre, të mos kënaqet me vetveten, por të ketë gjithmonë limfën jetëdhënëse të Shpirtit Shenjt dhe të jetë i gathëm për t’i mirëpritur vëllezërit më të varfër e më të lënë pas dore, si dhe ata që ndihen të braktisur nga Zoti, që  e kanë humbur rrugën e fesë dhe të shpresës”.

Përshëndetje nga Kryepeshkopi ungjillor-luteran

Në përfundim, Papën e përshëndeti Kryeipeshkvi i Kishës Ungjillore-Luterane të Finlandës. Ishte përshëndetje falënderimi për pritjen e shtegtarëve finlandezë, të bashkuar në një delegacion ekumenik, që përbëhej jo vetëm nga luteranë dhe katolikë, por edhe nga përfaqësues të ortodoksëve. Fjalët tuaja  - pohoi - do të mbeten në zemrat tona dhe do t’i ngrohin, sot dhe në ditët që do të vijnë”. Më pas, Kryeipeshkvi finlandez i ofroi Papës dy dhurata nga Kisha e tij: "Një donacion për Organizatën Finlandeze në Ndihmë të Kishës", me të cilin "do të jetë e mundur të blihen njëqind batanije për fëmijët në zona të vështira" dhe "një palë doreza të zbukuruara me emblemën e Shën Olavit, për t’i mbajtur ngrohtë duart bekuese të Papës, në këtë botë të akullt, që ka aq shumë nevojë ta ndjejë ngrohtësinë e dashurisë, të paqes dhe  të shëlbimit të Zotit”.

19 janar 2024, 11:17