Kërko

2024.01.01 Santa Messa nella festività di Maria SS.ma, Madre di Dio 2024.01.01 Santa Messa nella festività di Maria SS.ma, Madre di Dio

Papa: shikoni gratë, për të dalë nga spiralet e urrejtjes, kush i plagos, fyen Zotin

Papa kërkon t'ia besojmë Vitin e Ri Nënës së Zotit. Në ditën e parë të vitit 2024, Françesku kërkon rishtas respekt për çdo grua, për çdo nënë, në Kishë, në botë e në shoqëri. Në Kishë, në mënyrë që të rizbulojë "fytyrën e saj femërore" dhe t'u krijojë më shumë "hapësirë" grave, që të jenë krijuese; në botë, që të rifitojë shikimin njerëzor dhe të gjejë rrugën e paqes, të dalë nga “spiralet e dhunës dhe të urrejtjes”; në shoqëri, që ta pranojë dhe të mos e fyej “dhuratën e gruas, të çdo gruaje”.

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku, duke kremtuar  sot më 1 janar Meshën e Solemnitetit të Marisë, Nënës së Shenjtë të Zotit, me rastin Ditës së 57-të Botërore të Paqes, e paraqet Marinë Virgjër si model për Kishën, që "ka nevojë të rizbulojë një fytyrë femërore" dhe "t’u bëjë vend grave", ashtu edhe për botën, që  duhet "të shikojë tek nënat dhe gratë rrugën e paqes", "për të dalë nga spiralet e dhunës dhe të urrejtjes"

Kush i plagos gratë, fyen Zotin

Respektoni, mbroni, vlerësoni çdo grua, duke kujtuar se "kush lëndon një grua të vetme, fyen Zotin, lindur nga një grua". Duke parë Marinë, Nënën e Zotit dhe të njerëzimit, Papa Françesku kërkon rishtas respekt për çdo grua, për çdo nënë, në Kishë, në botë dhe në shoqëri. Në Kishë, në mënyrë që të rizbulojë "fytyrën e saj femërore" dhe t'u krijojë më shumë "hapësirë" grave, që të jenë krijuese; në botë, që të rifitojë shikimin njerëzor dhe të gjejë rrugën e paqes, të dalë nga “spiralet e dhunës dhe të urrejtjes”; në shoqëri, që ta pranojë dhe të mos e fyej “dhuratën e gruas, të çdo gruaje”.

Në ditën e parë të vitit 2024, Papa kryeson në Bazilikën e Vatikanit, në praninë e rreth 7 mijë besimtarëve, Meshën e solemnitetit të Marisë, Nënës së Zotit, në tetëditshin e Krishtlindjes dhe me rastin e Ditës së sotme të 57-të Botërore të  Paqes, të cilën Papa ia kushtoi temës "Inteligjenca artificiale dhe paqja".

Kohë të zbrazëta

Kohët e tanishme janë "boshe, pa paqe", të copëtuara në çdo pjesë të botës nga luftërat ose nga fenomene të tmerrshme si feminicidet. Kohë “mangësish” dhe “vetmie” që e jetojnë të gjithë: “Zbrazëtira, që kërkojnë të mbushen”. “Kush mund t'i mbushë, nëse jo Maria, Nëna e plotësisë?”, pyet Papa Françesku në vijim të homelisë së pasur me citime nga Pali VI, Toma i Çelanos, Luteri dhe Lumen Gentium:

“Kur tundohemi të mbyllemi në vetvete, shkojmë tek ajo; kur nuk e zgjidhim dot vetveten nga nyjet e jetës, kërkojmë strehim tek ajo. Kohët tona, të zbrazëta nga paqja, kanë nevojë për një Nënë, që e bashkon sërish familjen njerëzore”.

Papa na fton t’i sjellim sytë nga Zoja Bekuar, për t'u bërë "ndërtues të unitetit": "Ta bëjmë këtë me krijimtarinë e saj si nënë që kujdeset për bijtë e vet: i mbledh dhe i ngushëllon, i dëgjon dhe ua thanë lotët”.

Maria, në zemër të kohës

Maria - vijoi Papa - "është rruga e zgjedhur nga Zoti". Ajo është “pika e arritjes së shumë njerëzve dhe brezave, të cilët “pikë pas pike” përgatitën ardhjen e Zotit në botë”. Prandaj, Virgjëra Mari është "në zemër të kohës" sepse "Zotit i pëlqeu që historia të bënte kthesë përmes saj, gruas":

“Në fillim të kohës së shëlbimit, është Nëna e Zotit, Nëna jonë e shenjtë!”

Dogma e shpresës

“Është e bukur”- thotë Papa Françesku - “që viti të hapet duke iu drejtuar Asaj; "e bukur" që Populli besimtarëve "të shpallë me gëzim Nënën e Shenjtë të Zotit":

“Nëna e Zotit: është dogmë e fesë, por edhe  "dogmë e shpresës": Zoti në njeriun dhe njeriu në Zotin, përgjithmonë”.

"Nëse duam të jemi të krishterë, duhet të jemi Marianë"

Për më tepër, shton Papa, amësia e Marisë Virgjër është “mënyra për t’u takuar me butësinë atërore të Zotit, mënyra më e afërt, më e drejtpërdrejtë, më e lehtë. Të mos e harrojmë këtë... Amësia e Marisë është mënyrë për t’u takuar me butësinë atërore të Zotit, mënyra më e afërt, më e drejtpërdrejtë, më e lehtë, me stilin e Zotit: me afërsinë, dhembshurinë, butësinë”. Nëna “na çon në fillimin dhe në zemrën e fesë, që nuk është teori apo angazhim, por  dhuratë e pamasë, e cila na bën fëmijë të dashurisë së Atit”. Prandaj, "të mirëpresësh Nënën në jetën e tënde nuk është zgjedhje devocioni, por kërkesë feje":

“Nëse duam të jemi të krishterë, duhet të jemi marianë, domethënë bij të Marisë”.

Rizbulim i fytyrës femërore të Kishës

“Kisha – nënvizon Papa – ka nevojë që përmes Marisë, të rizbulojë fytyrën e saj femërore: të jetë më shumë si ajo që, si grua, Virgjër dhe Nënë, përfaqëson modelin dhe figurën e saj të përsosur; për t'u krijuar, kështu, hapësirë ​​grave, që të jenë të afta me durimin dhe guximin amtar".

Shikoni gratë, për të gjetur paqen

Bota "duhet të shikojë nënat dhe gratë për të gjetur paqen, për të shpëtuar nga spiralet e dhunës dhe urrejtjes, për të bërë kthesë, që të ketë sy njerëzor dhe zemra që shohin".

“E çdo shoqëri duhet ta mirëpresë dhuratën e gruas, të çdo gruaje: ta respektojë, ta mbrojë, ta vlerësojë, duke ditur se kushdo që lëndon edhe një një grua të vetme, fyen Zotin e lindur nga gruaja”.

Zoja e Qumshtit

Papa Françesku, duke u larguar nga teksti i shkruar, na fton të shohim ikonën e butë të Virgjërës Mari me emrin “Lactans", Zojës së Qumshtit nga Abacia italiane e Montevergine, e vendosur në anë të altarit gjatë kremtimit: "Kështu është nëna. .. Me sa butësi kujdeset për ne e sa pranë e kemi… Ajo kujdeset për ne dhe është pranë nesh":​

"Nëna e Shenjtë e Zotit! Nëna e Shenjtë e Zotit ! Nëna e Shenjtë e Zotit

Në përfundim, Papa kërkon t'ia besojmë Vitin e Ri Nënës së Zotit: “T’ia kushtojmë jetën tonë asaj. Ajo, me butësi, do të na çojë te Jezusi dhe Jezusi është plotësia e kohës, e të gjitha kohërave, e kohës sonë, e kohës së secilit prej nesh". Sepse, ashtu siç është shkruar, "nuk ishte përmbushja e kohës, e çdo kohe,  e kohës sonë, që e dërgoi Birin e Hyjit,  përkundrazi,  ishte ardhja e Birit të Zotit që  solli përmbushjen e kohës". Qoftë ky vit plot me ngushëllimin e Zotit;

“Qoftë ky vit i mbushur me butësinë amtare të Marisë, Nënës së Shenjtë të Zotit!”.

 Një lutje, kjo e fundit, të cilën Papa u kërkoi besimtarëve ta thonë tri herë, të gjithë së bashku:

“Nëna e Shenjtë e Zotit! Nëna e Shenjtë e Zotit! Nëna e Shenjtë e Zotit!”.

01 janar 2024, 13:46