Kërko

Papa Françesku pret Shoqatën Ndërkombëtare të Gazetarëve të Akredituar në Vatikan Papa Françesku pret Shoqatën Ndërkombëtare të Gazetarëve të Akredituar në Vatikan

Papa: tregojeni të vërtetën, por pa bujë të panevojshme. Kjo është madhështia e vatikanistit

Françesku pret Shoqatën Ndërkombëtare të Gazetarëve të Akredituar në Vatikan: "Bukuria e punës suaj rreth Pjetrit është ajo e rrënjosjes së saj në shkëmbin e fortë të përgjegjësisë për të vërtetën, jo në rërën e brishtë të thashethemeve e të ideologjive". Papa citon historianin vatikanist Accattoli dhe nxit të mos shtrembërohet imazhi i Kishës me "stereotipe", me "formula të parapërgatitura të informacionit-spektakël", ose me kategori politike

R.SH. – Vatikan

Në një atmosferë miqësore, krijuar gjatë më se 40 udhëtimeve apostolike, Papa Françesku priti sot paradite në Vatikan, gazetarët e akredituar në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, anëtarë të Shoqatës së tyre Ndërkombëtare (AIGAV - Shoqata Ndërkombëtare e Gazetarëve të Akredituar në Vatikan). Shoqëruesit e tij gjatë shtegtimeve - siç i quajti vetë Françesku, që i njeh me emër - Papa i falënderoi për profesionalitetin në trajtimin e një lloj informacioni, siç është ai vatikanas, që nuk duhet të deformohet kurrë sipas skemave politike apo info-argëtuese. Sidomos, u shprehu mirënjohjen për “delikatesën” e treguar në trajtimin e shkandujve, që kanë prekur Kishën.

Thirrja e gazetarëve

Aktualisht, shoqata ka rreth 250 anëtarë, por Ati i Shenjtë priti në audiencë 150 prej tyre, me në krye presidentin, korrespondentin e ri të gazetës katolike franceze “La Croix”, Loup Besmond de Senneville. Duke u kërkuar me shaka falje se i ngriti nga gjumi herët për pritjen e orës 8.00, Papa vuri në dukje thirrjen e profesionit të gazetarit.

“Të jesh gazetar është thirrje, disi e ngjashme me atë të mjekut, i cili zgjedh ta dojë njerëzimin, duke mjekuar sëmundjet e tij. Kështu, në njëfarë kuptimi, bën edhe gazetari, i cili zgjedh të prekë me dorë plagët e shoqërisë dhe të botës”.

Papa bekon një gazetare shtatzënë
Papa bekon një gazetare shtatzënë

Bazohuni mbi të vërtetën, jo mbi thashethemet e ideologjitë

Vatikanistit, vijoi Françesku, i duhet të shohë pas ngjarjeve, pas dukjes, duke u larguar nga stereotipet dhe paragjykimet. Kjo lloj gazetarie ka nevojë për rezistencë para komunikimit masiv, që e shtrembëron imazhin e Kishës, duke deformuar lajmet fetare si përmes ideologjisë, ashtu edhe përmes spektakolarizmit të tyre.

“Në të vërtetë, mediat priren t’i shtrembërojë lajmet fetare. I deformojnë si me regjistrin e lartë apo ideologjik, ashtu edhe me atë të ulët apo spektakolar. Efekti i përgjithshëm është një deformim i dyfishtë i imazhit të Kishës: të cilin regjistri i parë priret ta shtrëngojë në darën e politikës, i dyti përpiqet ta kthejë në argëtues e të lehtë”.

Përshëndetja për dekanen e vatikanistëve, Valentina Alazraki
Përshëndetja për dekanen e vatikanistëve, Valentina Alazraki

 Këtu, sipas Papës, qëndron përgjegjësia e vatikanistit dhe bukuria e punës së tij, që duhet bazuar mbi të vërtetën e jo mbi thashethemet e ideologjitë e çastit, pa e fshehur realitetin e madje, as mjerimin e tensionet e tij, por duke shmangur bujën e panevojshme e duke kapur thelbësoren, që është në natyrën e Kishës. Ati i Shenjtë dha shembullin e një gazetari të njohur italian, vatikanist i gazetës “Corriere della Sera”, Luigi Accattoli, i cili sapo ka mbushur 80 vjeç. Profesionin e tij ai e quan, siç shkruan në parathënien e një libri, “zanat të shpejtë aq sa të duket i pamëshirshëm, dy herë më i vështirë kur zbatohet për një subjekt të lartë si Kisha”. Në ushtrimin e këtij profesioni, ai vetë pohon se mësoi “ta dojë njeriun e të jetë i përvuajtur”, cilësi, që Papa i vuri në dukje si shembull për gjithë vatikanistët.

Gjatë audiencës
Gjatë audiencës

Fjalët e Papës shenjt Pali VI

Me këtë frymë pati folur edhe Papa Pali VI, kur i ftoi gazetarët, që do të ndiqnin Koncilin II të Vatikanit të udhëhiqeshin jo nga kritere, që e shohin Kishën me kategori profane e politike, por nga “qëllimet e saj fetare e morale” dhe nga “tiparet e cilësive të saj shpirtërore”. Duke pasur parasysh delikatesën, me të cilën vatikanistët i kanë trajtuar disa herë shkandujt në Kishë, Papa Françesku i falënderoi, sidomos për respektin e treguar ndaj viktimave. Gjithashtu, u shprehu mirënjohjen për faktin se i mbulojnë lajmet nga Kisha e Papa edhe kur dalin gjatë fundjavës, ose në mbrëmje vonë, duke u kërkuar falje për sa herë ato i kanë larguar nga familjet e fëmijët.

“Kjo është shumë e rëndësishme, i pyes gjithmonë prindërit, kur i rrëfej: 'A luan me fëmijët?', është një nga gjërat që një baba dhe një nënë duhet ta bëjnë gjithmonë, të luajnë me fëmijët e tyre”.

22 janar 2024, 12:34