Papa: ta lusim Zotin të mbjellë paqen në zemrën e çdo vendi
R. SH. - Vatikan
Një ftesë tjetër për të qenë me lutje, pranë “popullsisë së dashur” të Ukrainës dhe atyre që vuajnë nga lufta në Palestinë e Izrael. Papa Françesku ua drejtoi të gjithë atyre, që e ndiqnin, në fund të audiencës së dytë të përgjithshme të vitit 2024, ndërsa përshëndeste besimtarët italianë:
“Ta përtërijmë afërsinë tonë me lutje për popullsinë e dashur ukrainase, aq të martirizuar, si dhe për ata që vuajnë tmerrin e luftës në Palestinë, Izrael e në pjesë të tjera të botës. Të lutemi për këta njerëz, që janë në luftë! T’ia drejtojmë lutjen tonë Zotit, që të mbjellë në zemrat e autoriteteve të vendeve të ndryshme farën e paqes”.
Blinken: shumë viktima civile në Gaza
Gjatë vizitës së tij në Izrael, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, deklaroi se numri i civilëve në Gaza, veçanërisht i fëmijëve, është "shumë i lartë" dhe se atje duhet të mbërrijnë "më shumë ushqime, ujë dhe ilaçe" për njerëzit që kanë nevoja të ngutshme. Tel Avivi njofton, ndërkohë, vdekjen e ushtarit të 186-të që nga fillimi i operacionit tokësor në Gaza, kundër Hamasit. Në Ukrainë, mbrëmë rusët bombarduan Kharkivin, duke dëmtuar një qendër shëndetësore për fëmijë.
Shkallëzimi i sulmeve me raketa dhe dronë nga Rusia po ngarkon sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës.
Papa - polakëve: Paqja lind në zemrën e njeriut
Gjatë audiencës, duke iu drejtuar shtegtarëve arabishtfolës, Papa citoi Letrën e Shën Palit drejtuar Galatasve. Kujtoi se për t'i qëndruar besnikë thirrjes së tyre, "të krishterët që ‘u riveshën me Krishtin' në pagëzim, janë të thirrur të jetojnë ‘me dashuri, gëzim, paqe, shpirtmadhësi’”.
Besimtarëve polakë u kujtoi: "Në fillim të vitit të ri, nuk duhet harruar se paqja, aq e dëshiruar nga të gjithë, lind në zemrën e njeriut”.
Së fundi, lutja drejtuar Marisë:
“Maria, Mbretëresha e Paqes, ju ndihmoftë që projektet dhe vendimet tuaja të lindin nga dëshira për të mirën tuaj, për familjet tuaja, për atdheun tuaj dhe për botën mbarë”.