Papa: të ndalet çdo luftë “masakër e kotë”. Krim, dhunimi i së drejtës humanitare
R.SH. – Vatikan
Fjalimi i Papës Françesku për 184 ambasadorët e akredituar në Selinë e Shenjtë, të cilët i priti sot paradite në Sallën e Bekimeve, në Vatikan, për urimet tradicionale të fillimvitit, ishte plot me thirrje, nxitje, lutje dhe citate. E pranishme edhe ambasadorja e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, znj. Majlinda Frangaj. Papa Françesku shprehu dhimbjen për Ukrainën, ku lufta po “gangrenizohet”, shqetësimin për tragjeditë në Kaukazin Jugor dhe në rajone të ndryshme të Afrikës, si edhe për krizën në Nikaragua, që e prek veçanërisht Kishën Katolike. Ati i Shenjtë vuri në dukje tronditjen për konfliktin në Lindjen e Mesme, pas brutalitetit të Hamasit në Izrael dhe reagimit ushtarak në Rripin e Gazës.
“Të gjithë u tronditëm nga sulmi terrorist i 7 tetorit kundër popullsisë së Izraelit. Shumë njerëz të pafajshëm u plagosën, u torturuan dhe u vranë në mënyrë mizore dhe shumë u morën peng. Nuk zgjidhen kështu problemet ndërmjet popujve, përkundrazi, bëhen më të vështira, duke shkaktuar vuajtje për të gjithë. Vërtet, kjo shkaktoi përgjigjen e fuqishme ushtarake izraelite në Gazë, e cila shkaktoi vdekjen e dhjetëra mijëra palestinezëve, kryesisht civilë, përfshirë shumë fëmijë, adoleshentë dhe të rinj, shoqëruar me një gjendje shumë të rëndë humanitare dhe me vuajtje të paimagjinueshme”.
Dhunimi i të drejtave humanitare është krim lufte
Papa nënvizoi se viti 2024 po hapet me një sërë konfliktesh, që dalëngadalë, po e shndërrojnë atë, që ai vetë e quan “Luftë III Botërore pjesë-pjesë” në një konflikt të vërtetë global. Për më tepër, kudo në botë cënohet respektimi i të drejtave humanitare, denoncoi Françesku, i cili kërkoi ndërhyrjen e bashkësisë ndërkombëtare.
“Nuk duhet harruar se dhunimet e rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare janë krime lufte, të cilat nuk mjafton të vihen në dukje, por duhen parandaluar”.
Edhe e drejta për t’u mbrojtur, theksoi Ati i Shenjtë, duket të ushtrohet përmes përdorimit proporcional të forcës, pa e tepruar e pa i kaluar kufijtë e dinjitetit njerëzor.
Armëpushim dhe lirim i të gjitha pengjeve në Gazë
Në fjalët e dekanit të Trupit diplomatik, ambasadorit të Qipros, George Poulides, ashtu si në ato të Papës, një listë me hapat e reja bërë nga Selia e Shenjtë gjatë vitit të kaluar, si lidhja e marrëdhënieve diplomatike me Sulltanatin e Omanit, emërimi i një përfaqësuesi papnor në Vietnam, marrëveshja me Kazakistanin, përvjetorët e marrëdhënieve me Panamanë, Iranin, Korenë dhe Australinë. Por, Françesku e zhvendosi menjëherë vëmendjen në përpjekjet për paqen, në një çast historik kur ajo është dobësuar e pjesërisht, edhe humbur, sidomos në luftën e Gazës.
“E përsëris thirrjen drejtuar të gjitha palëve që të arrihet armëpushimi në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, si edhe të lirohen menjëherë të gjitha pengjet në Gazë. Kërkoj që popullsia palestineze të marrë ndihma humanitare dhe që spitalet, shkollat dhe vendet e kultit të kenë gjithë mbrojtjen e nevojshme”.
Ati i Shenjtë vuri sërish në dukje qëndrimin e Vatikanit për zgjidhjen me dy shtete, me një statut të veçantë për Jerusalemin, në mënyrë që izraelitët dhe palestinezët të jetojnë në paqe. Gjithashtu, duke e zgjeruar vështrimin, kërkoi që Siria të mos vuajë më nga sanksionet ndërkombëtare, ndërsa Libani të kapërcejë amullinë institucionale e të zgjedhë presidentin e Republikës. Papa tërhoqi vëmendjen e diplomatëve edhe ndaj gjendjes në Mianmar, duke ngritur veçanërisht zërin për të drejtat e popullsisë Rohingya.
T’i jepet fund luftës së grangrenizuar në Ukrainë
Më pas, përmendi udhëtimet e frytshme në Mongoli e në Hungari, ku u ndie afërsia me luftën e Ukrainës. Pikërisht për këtë të fundit, Ati i Shenjtë denoncoi:
“Nuk mund ta lëmë të vazhdojë këtë konflikt, që po bëhet gjithnjë e më i gangrenizuar, në dëm të miliona njerëzve, por duhet t’i japim fund tragjedisë në vijim, përmes negociatave, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.
Papa shprehu shqetësimin e tij edhe për gjendjen në Kaukaz, sidomos për tensionin ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit, të cilave u bëri thirrje të nënshkruajnë Traktatin e Paqes. Foli edhe për Afrikën, ku kanë ndodhur shpesh puçe ushtarake si në Mali, Niger e në Burkina Faso. Vuri në dukje edhe gjendjen në vende të tjera afrikane të përfshira nga dhuna dhe lufta civile.
Thirrja për Nikaraguan
Duke e hedhur vështrimin drejt Amerikës, Ati i Shenjtë përmendi Nikaraguan, ku politikanët në pushtet i kanë zgjatur kthetrat edhe drejt Kishës Katolike, duke burgosur ipeshkvij e meshtarë.
“Selia e Shenjtë – nënvizoi Papa – nuk resht së ftuar për atë dialog diplomatik, që respekton të mirën e katolikëve dhe të krejt popullsisë”.
Duke pasur parasysh të gjitha luftrat, Françesku nënvizoi se civilët, kundër të cilëve hidhen bomba e qëllohet, nuk janë “dëme anësore”, siç quhen shpesh. Janë njerëz me emër e mbiemër, janë gra e fëmijë, vëllezër që vuajnë urinë e të ftohtin, për shkak të kësaj tragjedie, që është lufta, “masakër e kotë”. E pastaj, thirrja:
“Sa jetë mund të shpëtohen me fondet, që sot destinohen për armatime? A nuk do të ishte më mirë t'i investonim në favor të sigurisë së vërtetë globale?”
Ati i Shenjtë përsëriti idenë e tij për krijimin e një Fondi botëror për zhdukjen e urisë dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të planetit, pasi uria e shfrytëzimi pa kriter i burimeve të tij janë shkak për konflikte.
COP28 e çështja e migrantëve
Pavarësisht se nuk ishte i pranishëm për arsye shëndetësore, Papa përmendi Takimin mbi klimën në Dubai, Cop28, që e quajti “hap inkurajues” përpara. Pastaj, nënvizoi se ndryshimet klimatike sjellin migrimin e popullsisë, duke ngritur kështu çështjen e trajtimit të migrantëve e duke denoncuar shfrytëzimin e tyre.
“Harrojmë lehtësisht se kemi përballë njerëz me fytyra dhe emra dhe e anashkalojmë vokacionin e veçantë të Mare Nostrum (Mesdheut), që nuk është të jetë varr, por vend takimi dhe pasurimi reciprok ndërmjet njerëzve, popujve dhe kulturave”.
Papa kërkoi që asnjë vend të mos lihet vetëm në përballimin e sfidës së migracionit, duke shprehur kënaqësinë për Paktin e fundit të Bashkimit Evropian mbi Migracionin dhe Azilkërkuesit, i cili, gjithsesi, ka disa kufizime për njohjen e së drejtës së azilit dhe paraqet rrezikun e burgosjes arbitrare të migrantëve.
Amësia surrogate dhe teoria gjinore
Ati i Shenjtë foli më pas për të drejtat e fëmijëve, duke dënuar amësinë surrogate, pasi “çdo fëmijë është dhuratë e kurrë objekt kontrate”. Gjithashtu, kritikoi teorinë gjinore, që paraqitet si e drejtë njerëzore, por “është tejet e rrezikshme, sepse i zhduk dallimet ndërmjet gjinive, me pretendimin se i bën të gjithë të barabartë”. Janë kolonizime ideologjike, denoncoi Papa.
Të gjallërohet diplomacia shumëpalëshe
Më tej, Françesku vuri në dukje dobësimin e diplomacisë shumëpalëshe, duke kërkuar kthimin në rrënjët e demokracisë. U kërkoi të rinjve të votojnë në të gjitha ato shtete, që sivjet kanë zgjedhje, duke e ndierë përgjegjësinë për të ndërtuar së bashku një shoqëri më të drejtë e më të mirë. Nënvizoi rëndësinë e mbrojtjes së lirisë fetare dhe të respektit për pakicat, si edhe dënoi aktet e antisemitizmit.
“Edhe një herë e theksoj se kjo plagë duhet të zhduket nga shoqëria, sidomos përmes edukimit me vëllazërimin dhe pranimin e të tjerëve”.
Më se 360 milionë të krishterë, viktima persekutimi
Po kështu, Papa denoncoi shtimin e persekutimit dhe të diskriminimit kundër të krishterëve, veçanërisht në dhjetë vitet e fundit. Shpesh kjo ka të bëjë me "mënjanimin e përjashtimin e ngadaltë nga jeta politike dhe shoqërore dhe nga ushtrimi i profesioneve të caktuara, edhe në tokat tradicionalisht të krishtera". Në botë, mbi 360 milionë të krishterë janë viktima, për shkak të besimit, gjithnjë e më shumë "të detyruar të ikin nga tokat e tyre të origjinës".
Përdorimi etik i teknologjive të reja
Për të gjitha këto plagë, sipas Papës, zgjidhja është edukimi i rinisë, i cili kërkon edhe përdorimin etik të teknologjive të reja, të cilat mund të bëhen burim përçarjeje, ose lajmesh të rreme. Zhvillimi i Inteligjencës Artificiale, nënvizoi Françesku, të bëhet në shërbim të njeriut. Nga ky këndvështrim, rëndësi të veçantë kanë dy Konferencat Diplomatike të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale, që do të mbahen në vitin 2024. Selia e Shenjtë do të marrë pjesë si shtet anëtar.
“Vëmendje e veçantë duhet t'i kushtohet mbrojtjes së trashëgimisë gjenetike njerëzore, duke parandaluar zbatimin e praktikave në kundërshtim me dinjitetin njerëzor, si patentimi i materialit biologjik njerëzor dhe klonimi i qenieve njerëzore”.
Vështrimi mbi jubileun
Në fund të fjalimit, një vështrim mbi Jubileun, që do të fillojë në Krishtlindjen e vitit 2024. Përballë "errësirës së kësaj bote", vërejti Papa, Jubileu "është lajmi se Zoti nuk e braktis kurrë popullin e vet dhe i mban gjithmonë dyert e Mbretërisë së tij të hapura". Ndoshta, përfundoi Françesku, për të krishterët dhe jo vetëm për ta mund të jetë "koha, në të cilën një komb nuk do ta ngrejë më shpatën kundër një tjetri dhe as nuk do të mësohet më arti i luftës".